VIDEO-SYRI TV/ Me snajper në makinë, si u arrestua ish-efektivi i RENEA-s

09:01, 27/07/2022

Një ish-efektiv i RENEA-s është vënë në pranga nga “Shqiponjat” pasi në makinën me të cilën udhëtonte bashkë me mikun e tij Elton Hithin, u gjet një snajper. Nga kontrollet në banesat e tyre, policia zbuloi arsenal armësh e municionesh. Ndërkohë, efektivi Remal Rada, vetëm 3 muaj më parë kishte ‘dezertuar’ nga forcat elitë të Policisë së Shtetit. Nuk përjashtohet mundësia që 2 të rinjtë t’i shërbenin një grupi kriminal

SYRI TV

Një ish-efektiv i RENEA-s, i identifikuar si Remal Rada, 39 vjeç, dhe miku i tij Elton Hithi, ky i fundit me precedent të mëparshëm penal, kanë përfunduar në prangat e Policisë, pasi në makinën me të cilën udhëtonin u gjet një armë zjarri tip snajper.

Pas kontrollit në banesat, e tyre, përfshirë atë të ish-efektivit të forcave elitë në Policinë e Shtetit, iu zbulua një arsenal armësh. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar arma snajper me silenciator, një armë zjarri pistoletë, dy palë dylbi, municion luftarak dhe një automjet. Në këtë të fundit u gjetën, përveç snajperit, edhe targa të huaja, një mjet identifikimi si ato të Policisë dhe një pult për hapjen dhe mbylljen e targave të mjetit.

Ndalimi është bërë në orët e mbrëmjes së kaluar në rrethrrotullimin e Sanatoriumit në Tiranë.

Efektivi Remal Rada që shikoni në këtë foto, ka shërbyer më herët për një periudhë të gjatë në radhët e Policisë së Shtetit, në repartin RENEA. Ai lëvizte me një automjet luksoz me targa angleze në momentin kur është ndaluar nga kolegët e tij të repartit “Shqiponja”.

Këta të fundit në bashkëpunim me Komisariatin Nr. 1 në Tiranë, ndaluan automjetin për kontroll pasi kishin siguruar informacione se brenda tij lëviznin persona të armatosur. Efektivi kishte rreth 3 muaj që ishte larguar nga radhët e Policisë, ndërsa ende janë të paqarta arsyet.

Ndërkohë, që miku i tij Elton Hithi, 28-vjeçar, banues në Laknas, rezulton që në vitin 2016 të jetë arrestuar si pjesë e një grupi, i cili në kohë dhe vende të ndryshme kryenin vjedhje me dhunë. Të rinjtë do të merren në pyetje në lidhje me arsyen pse mbanin armë pa leje, e për më tepër në automjetin e tyre. Ndërkohë, duhet kujtuar se në një sërë ngjarjesh kriminale, ka rezultuar që ish-komando të forcave speciale, të Gardës apo reparteve RENEA e FNSH të kenë qenë autor apo bashkëautorë të tyre. Disa prej të cilave në kuadrin e dyshimeve, por nuk kanë munguar as arrestimet apo shpalljet në kërkim të tyre. Nga ana tjetër, nuk përjashtohet mundësia që efektivi Rada dhe miku i tij Hithi, të jenë pjesë e ndonjë klani kriminal.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco