Meta: Procesi ndaj meje, hakmarrje se shkatërrova planet e armiqve të Shqipërisë për...

Meta: Procesi ndaj meje, hakmarrje se shkatërrova planet e armiqve të Shqipërisë për...

21:41, 04/02/2022

Presidenti Ilir Meta thotë se po tentojnë ta shkarkojnë përmes Gjykatës Kushtetuese pasi prishi planet e armiqve të Shqipërisë. 

Në intervistën për A2, kreu i shtetit u shpreh se ndaj tij po kryhet hakmarrje se ka shkatërruar planet e armiqve të Shqipërisë për të cenuar sovranitetin e vendit dhe të Kosovës. 

Pjese nga intervista e Presidentit Meta për Televizionin A2 CNN

Gazetarja (Merita Haklaj): Shikues të nderuar mirëmbrëma, jemi në intervistën e se premtes dhe në A2CNN është Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Zoti Meta, faleminderit që pranuat, kënaqësi që jemi nëkëtë bisedë së bashku!

Presidenti META: Kënaqësi e imja që të jem me ju dhe me të gjithë teleshikuesit tuaj

Gazetarja: Çëshjet e ditës janë mjaft intensive dhe veprimtaria juaj është mjaft intensive, që nga ai presidencial e deri të ai politik, me përballjen në Gjykatën Kushtetuese, poezitë dhë këngët gjithashtu. Megjithatë zoti Meta, doja të ndalesha te reagimet, vetëm te një pyetje, për reagimin tuaj në lidhje me situatën e ekonomisë, në lidhje me rritjen e çmimeve. Keni pasur edhe një reagim gjatë ditës së sotme në lidhje me kapjen e shtetit dhe prandaj sipas jush, duhet një komisioni parlamentar.

Çfarë keni ndërmend kur e kërkoni këtë?

Presidenti META: Po, sot unë kam mbështetur mesazhin dhe apelin shumë të fortë të Konfindustrias, një pjesë e rëndësishme dhe e pavarur e shoqërisë civile.

Në mënyrë të vazhdueshme, jo vetëm gjatë kësaj periudhe, por edhe më parë, unë kam ngritur shqetësime serioze sa i takon dobësimit të ekonomisë sonë, që reflektohet në shumë aspekte dhe që kurrë nuk mund të mbulohet nga propaganda dhe nga retorika vetëlavdëruese e Qeverisë.

Në këtë drejtim unë kam kërkuar që Parlamenti të rrisë rolin e tij, jo vetëm monitorues, por edhe kontrollues, ndaj Qeverisë dhe institucioneve të tjera, jo vetëm atyre të pavarura të zgjedhura nga Parlamenti, në mënyrë që kjo situatë spekulative në treg, të marrë fund.

Kjo heshtje, për të zhvendosur vëmendjen nga problemet reale, të cilat dëmtojnë çdo ditë jo vetëm gjendjen e qytetarit tonë, por edhe e vështirësojnë në tryezën e tij të përditshme dhe njëkohësisht rrisin koston e jetesës, duhet të marrë fund.

Secili të bëjë detyrën e tij për të rritur transparencën, për të stabilizuar çmimet në kufij të pranueshëm, dhe njëkohësisht për të mbrojtur të drejtat e konsumatorit dhe të taksapaguesve shqiptarë.

Gazetarja: Në fakt, qeveria ka deklaruar se nuk ka ndërmend të hyjë në tregje, duke qenë se diçka normale ende…

Presidenti META: Unë i kam kërkuar Parlamentit, sepse Qeverisë i kemi kërkuar prej kohësh, të reflektojë dhe të bëjë veprime të përgjegjshme, të cilat do ta përmirësonin situatën makro-ekonomike, nuk do ta rrisnin borxhin publik në këto përmasa shqetësuese siç janë shprehur edhe institucionet ndërkombëtare dhe partnerët në fushën e financave apo të ekonomisë.

Gazetarja: Ju  jeni shprehur në mënyrë të vazhdueshme…

Presidenti META: Nëse shohim të gjithë treguesit ekonomikë dhe socialë sipas EUROSTAT-it, Shqipëria është në një situatë shumë më të vështirë se sa disa vende të tjera të rajonit.

Kjo reflektohet në largimin shumë herë më të madh të shqiptarëve nga Shqipëria, në krahasim me ata qytetarët që largohen nga vendet e tjera të rajonit.

Gazetarja: Ju keni një përballje me Parlamentin në Gjykatën Kushtetuese dhe ne presim që të hënën të vijojë seanca e nisur.

Presidenti META: Ka tri vite me hetime, me procese farsë, që mbështeten me nenin që nuk ekziston më në Kushtetutën e Shqipërisë: “Agjitacion Propaganda”. Kjo është çështje e tyre. Nuk më shqetëson aspak mua si Ilir Meta.

Por sa i takon përgjegjësisë që kam si President i Republikës, kjo është e rëndësishme pasi kuptohet se gjithçka bëhet në funksion të kapjes totale të shtetit, dhe të institucioneve që kjo mazhorancë nuk i ka kontrolluar dot deri më tani.

Gazetarja: Megjithatë, zoti Meta, a i druheni ndonjë vendimi për shkarkim? Ju jeni shprehur dhe është e natyrshme që ky  vendim, për vendimin e Parlamentit për shkarkimin e Presidentit të Republikës, do të shërbejë si një precedent, sepse është hera e parë që kemi një situatë të tillë. A besoni se do të matet shumë Gjykata Kushtetuese për të dhënë një vendimmarrje të tillë për shkak të saj apo i druheni se do të ketë një vendim të tillë të shpejtë dhe ai do të jetë shkarkimi juaj?

Presidenti META: As kam pasur dhe as kam ndonjë shqetësim se ç’do të bëjë Gjykata Kushtetuese me këtë çështje!

Sepse nuk mendoj se ka ndonjë qytetar të Republikës së Shqipërisë, që nuk e ka të qartë se ky është një proces, ose që të gjitha proceset që janë nisur nga Parlamenti, janë të bazuara në Nenin “Agjitacion-Propagandë”, që është një nen, që nuk ekziston më në Kushtetutën tonë.

Presidenti gjykohet për aktet e tij. Kushtetuta është shumë e qartë se kur shkarkohet Presidenti. Shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës! Pra, as për shkelje të lehtë dhe as për shkelje të tjera! Për shkelje të rënda! A e dini ju se cila është shkelja e rëndë e Kushtetutës? Është kur Presidenti cenon integritetin e vendit, të nxjerrë ndonjë sekret shtetëror që është në funksion të interesave të armiqve të Shqipërisë! Të cenojë interesin kombëtar fjala vjen, për kufijtë e shtetit të Kosovës apo të interesave të tjerë të shqiptarëve!

Për mua është shumë e qartë se thelbi i gjithë këtij procesi, është pikërisht kjo: Se Ilir Meta duhet ndëshkuar, sepse ka shkatërruar planet e armiqve të Shqipërisë për të cenuar integritetin dhe sovranitetin e Shqipërisë, sovranitetin dhe integritetin e shtetit të Kosovës, që ne e kemi detyrë kombëtare për ta mbrojtur, dhe intereset e tjera kombëtare të shqiptarëve, dhe nuk më shqetëson si qëllim i tyre. Përkundrazi, unë dhe ekipi im bëjmë detyrën  tonë në mënyrë që të mbrojmë deri në fund Institucionin e Presidentit të Republikës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco