Mësoni 10 arsyet pse nuk ju ndalet kolla

Mësoni 10 arsyet pse nuk ju ndalet kolla

11:34, 22/11/2021

 

Irritimi i rrugëve të frymëmarrjes pas një të ftohure apo gripi

Zakonisht simptomat nga një e ftohur apo grip kalojnë brenda disa ditëve. Por, mund të ndodhë që kolla juaj të mos qetësohet, madje mund të vazhdojë për javë apo muaj. Kjo ndodh si pasojë e ndryshimeve që shkakton virusi apo ndryshimi i temperaturave në rrugët e frymëmarrjes, mukozat bëhen të ndjeshme dhe duan kohë të kthehen në gjendjen e mëparshme.

Duhani

Duhani dëmton mekanizmat mbrojtës të rrugëve të frymëmarrjes duke rritur inflamacionin.

Përdorimi i medikamenteve që frenojnë kollën

Kolla është një refleks mbrojtës që mbron rrugët e frymëmarrjes duke nxjerrë jashtë sekrecionet apo trupat e huaj. Duke frenuar kollën, sekrecionet mbeten në rrugët e frymëmarrjes dhe ndihmojnë në mbivendosjen e një infeksioni bakterial. Po ashtu, mosmarrja në sasi të mjaftueshme e lëngjeve mund të ndikojë në zgjatjen e kollës. Alkooli dhe pijet me përmbajtje kafeine nuk rekomandohen, pasi thajnë mukozat dhe shtojnë refleksin e kollës.

Rinitet alergjike (rrjedhje e hundëve) dhe astma

Janë shkaktarë të zakonshëm të kollës. Një infeksion viral mund të shkaktojë një atak astme. Disa njerëz mësojnë që janë me astmë, pasi kanë kaluar një të ftohtë. Në këto raste, pacienti krahas kollës mund të ketë vështirësi në frymëmarrje dhe fishkëllima në gjoks.

Sëmundje të mushkërisë

Pneumonitë dhe më rrallë, tumoret, emfizema etj, janë sëmundje specifike, të cilat diagnostikohen nëpërmjet ekzaminimeve të rekomanduara nga mjeku.

Sinusiti

Rrjedhja e sekrecioneve nga sinuset në gojë mund të nxisë refleksin e kollës. Rekomandohet shpërlarje e shpeshtë e hundëve me ujë fiziologjik, pasi ndihmon në uljen e edemës së mukozës së hundës dhe pakësimin e sekrecioneve, si dhe përmirësimin e kollës.

Refluksi i acidit

Shfaqet me gromësira, djegie gjoksi, kollë kronike të tejzgjatur. Evitoni substancat që shtojnë refluksin si: yndyrat, çokollatën, pijet me gaz, verën e kuqe, pijet me aciditet të lartë, alkoolin.

Medikamente antihipertensive

Një grup i caktuar i medikamenteve që përdoren për trajtimin e hipertensionit mund të shkaktojnë kollë të zgjatur. Në të tilla raste mjeku kardiolog mund t’jua ndryshojë mjekimin dhe t’ju rekomandojë medikament tjetër.

Sëmundje të zemrës

Kolla nga insufiçienca kardiake mund të jetë e thatë ose me sekrecione shkumoze me ngjyrë rozë. Në stade më të avancuara, pacienti përveç kollës referon edhe vështirësi të theksuar në frymëmarrje, sidomos në pozicionin shtrirë, fishkëllima në gjoks apo ënjtje të këmbëve.

Stresi

Stresi, nervozizmi apo gjendja psikologjike, mund të shkaktojnë ose zgjasin kollën. Kolla psikogjenike ka karakteristikën që të qetësohet gjatë periudhës së gjumit. Nëse kolla juaj zgjat më shumë se 3 javë, duhet të konsultoheni me mjekun pasi mund të jetë e nevojshme të bëhen ekzaminime të mëtejshme apo të merret trajtim specifik.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco