AKR drejt 'shkrirjes' në LDK, partia e Isa Mustafës hap dyert edhe për diasporën

AKR drejt 'shkrirjes' në LDK, partia e Isa Mustafës hap dyert edhe për diasporën

13:00, 11/01/2021 Nga Albionë Zhitia

Koalicionet parazgjedhore në këto zgjedhjet e fundit nuk po dalin të jenë shumë të pëlqyera për partitë politike. 

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur që këto palë zgjedhje të garojë e vetme, por me një listë të kandidatëve për deputetë me përbërje edhe të partive të tjera.
Kështu së paku u shpreh kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në një prononcim për Syri.net Kosovën.

“Kemi vendosur që të mos kemi koalicionet siç jemi mësuar t’i shohim zakonisht, por që jemi të hapur t’i lëmë vende edhe partive të tjera që të garojmë së bashkë më një listë të përbashkët të deputetëve”. 

Në pyetjen tonë se a ka pranuar AKR-ja që të garojnë në kuadër të listës së LDK-së, Mustafa u shpreh se kanë biseduar dhe se janë të pajtimit, por që për këtë ka mbetur të definohet vetëm edhe sa persona do të garojnë nga kjo parti. 

“Ne kemi pasur bisedime me AKR-në, ku i kemi dhënë hapësirën e duhur që të garojnë nën listën tonë zgjedhore si dhe mbetet gjatë ditës së sotme ta finalizojmë atë. Kandidatët nga AKR do të jenë më pak se 10, pasi do kemi edhe emra të tjerë të partive tradicionale që kemi bashkëpunuar me ta” – deklaroi Mustafa për Syri.net.

Ndër të tjera, Mustafa theksoi se gjatë ditës së sotme pritet edhe të dorëzohen të gjithë emrat e kandidatëve për deputetë që janë propozuar nga degët e LDK-së.

E vëmendje më të madhe LDK këtë herë i ka dhënë edhe diasporës. Kryetari Mustafa për Syri.net tha se gjithmonë ka pasur kërkesa nga diaspora që të kenë kandidatët e saj dhe tani ka ardhur koha që edhe ata të kenë përfaqësuesit e tyre. 

“Ne kemi degët tona në Zvicër, Gjermani dhe shtetet e Beneluksit ku çdo herë kanë shprehur gatishmërinë që të jenë pjesë e listave zgjedhore me përfaqësuesit e tyre. Mirëpo deri sot nuk kemi mundur, por tani është koha dhe do shohim që edhe ata të jenë pjesë e këtyre zgjedhjeve. Ne jemi të hapur për diasporën gjithmonë, por votat nga diaspora është më e ndërlikuar, prandaj edhe shumë herë kemi hezituar” – u shpreh Mustafa.

Kreu  i LDK-së tutje shtoi se si parti kanë formuar edhe shtabin zgjedhor dhe ka filluar ekipi të dalë në terren dhe të punojë me struktura. 

Deri më tani asnjë parti nuk ka dalë me ndonjë dëshirë për të pasur koalicion parazgjedhor me dikë, të gjitha janë shprehur që do garojnë të vetme, me përjashtim të LVV-së që pritet të ketë një koalicion me iniciativën e Vjosa Osmanit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco