Si në çerdhe fëmijësh

Si në çerdhe fëmijësh

Nga Flaka Surroi - 21/01/2020

Jemi lodhur dhe jemi në zgrip të humnerës. Dita më ditë po e dëshmojmë se nuk kemi as mend e as vullnet për ta parë veten tek përparojmë. Për fat të keq, ngecja na është bërë shenjë identifikimi.

Ne atyre ua kemi ofruar edhe një post ministror; ne iu kemi thënë po e kthejmë muhabetin në pikën zero; ne po kërkojmë postin e kryeparlamentarit – një vit e mbajmë ne, e mandej jua kthejmë; kryeparlamentari është yni, qe edhe dy ministri po i shtojmë; po e shkrijmë Ministrinë e Kulturës e po e shtojmë një të zhvillimit rajonal; këta po e duan pushtetin absolut, ne jemi parimorë...

 

E besoj se edhe po të ishim në një çerdhe fëmijësh, muhabeti do të tingëllonte më serioz. Fëmijët do ta kishin muhabetin pa hile, se do ta mbronin interesin e vet. Ngase nga një tre-katër vjeç nuk mund të presësh të ketë përgjegjësi shoqërore e që të mendojë përtej kukullës që e do për vete. Porse ta dëgjosh këtë muhabet nga përfaqësuesit e partive që nuk e gjejnë mënyrën për t’u marrë vesh, të sjellë në pikën ku njerëzit janë duke e humbur mbase edhe shpresën e fundit se ky vend i mjerë që dikush, e nuk po di kush, e ka nëmur, do të mund të këndellet ndonjëherë.

I gjithë rrëfimi që nisi për një post që nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes paraprake, ka ardhur në pikën e akuzave të ndërsjella; të sharjeve të ndërsjella simpatizantësh dhe në situatën kur njeriu më nuk di çfarë të mendojë. Dhe sërish, po duket se e gjitha ka mbetur e betonuar prapë te posti i kryetarit të shtetit, tash me shtesën edhe të kryeparlamentarit, që e votoi edhe LDK-ja, të cilin post kjo e fundit e do për vete për një vit.

Çarja në LDK

Mbase një nga gjërat më absurde që kam dëgjuar javën e shkuar doli nga penguesi kryesor i koalicionit, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu. Duke reaguar pas ofertës së fundit të VV-së, Veliu shkroi në FB: “Angazhimi dhe veprimet e ditëve të fundit të VV-së nuk janë një përpjekje serioze për ndërtimin e institucioneve dhe arritjen e marrëveshjes me LDK-në për të bashkëqeverisur mbi bazën e fuqisë së votës. E tërë kjo është një përpjekje e VV-së për pushtet absolut dhe për ta nënshtruar e nënçmuar LDK-në, duke provuar t’ia nëpërkëmbin dinjitetin”.

Pushteti absolut nënkupton mbajtjen e të gjitha posteve shtetërore dhe kontrollin absolut në Kuvend, i cili duhet të shërbejë si “korrigjues” i ekzekutivit. Për cilin pushtet absolut mund të bëhet fjalë, po qe se ekzekutivi ndahet në dysh dhe po qe se për ta kaluar cilindo ligj, Kuvendi duhet ta ketë kuorumin, i cili varet nga LDK-ja dhe nga pakicat joserbe. Do të duhej ta kishte një argumentim pak më logjik për ta shpjeguar shmangien konstante që ia bëjnë Veliu me miq në LDK lidhjes së një marrëveshjeje eventuale me VV-në. Shumë më burrërore do të ishte të thoshte se “nuk e duam koalicionin e VV-në”, sesa të na i masakrojnë nervat me pallavra të kota që nuk çojnë askund.

E se ky status në fakt nuk e paraqet edhe ndjenjën që e ka pjesa tjetër e LDK-së që nuk është e linjës se Veliut, e tregoi reagimi i menjëhershëm i Vjosa Osmanit, e cila në statusin e saj në FB po tregonte se partneri i vetëm i mundshëm i LDK-së në këtë situatë është VV-ja. Ky qe një status që po e zbulonte se ku në të vërtetë qëndron problemi te LDK-ja – te një rrymë e fortë nën kontrollin e Veliut, që nuk lejon që të tejkalohen akuzat e nivelit të çerdheve të fëmijëve për ta arritur një marrëveshje politike që do të sillte njëfarë ndryshimi në këtë vend.

Se përderisa do të zgjatë ngërçi i kotë, Qeveria në dorëheqje do të vazhdojë të manipulojë me krejt çka të mundet nëpër ministri e agjenci, dhe do të vazhdojë të shpenzojë para kot. Sa për rikujtim, për ata që janë shumë “parimorë”, në gjashtë muajt e fundit Kosovës i janë tretur gjysmë milioni euro vetëm për rrogat e badihavxhinjve zëvendësministra, që as emrat nuk ua mësuam për dy vjet.

E këto janë paratë që po dihen. Po ato që nuk dihen?

Dhe të mos thonë se janë duke u përpjekur për të gjetur zgjidhje për interesin e Kosovës, se kjo nuk është e vërtetë. Edhe këtu sundon interesi personal e grupor, përderisa pasojat i hamë ne.

Thaçi në veprim

Trysnia e ndërkombëtarëve nuk po duket aq e fuqishme ndaj penguesve të arritjes së marrëveshjes. Ajo që po duket se është duke ndodhur është se Thaçi është duke i ngrehur penjtë në prapavijë dhe se me çdo kusht po do që ta pamundësojë ardhjen e Kurtit në postin e kryeministrit.

Ideja që t’i drejtohet Kushtetueses për interpretimin e afateve të paqena që po i shpik ai vetë për t’i bërë trysni Kurtit, mund të lidhet me intencën që disi (me përvojën tashmë të regjur) aktgjykimi i Kushtetueses nga 2014-a të anulohet e që t’i jepet interpretim tjetër. Teorikisht, vendimet e Kushtetueses mund t’i riinterpretojë e t’i anulojë vetë Kushtetuesja – duke arsyetuar se ndërkohë kanë dalë teori të reja juridike që japin interpretim tjetër nga ajo që ka ndodhur në të kaluarën.

duke pasur parasysh se gjyqtarët/et e Kushtetueses janë emëruar pas pazarit mes partive politike, nuk është larg mendsh që edhe mund ta nxjerrin një interpretim të ri. E kjo do të mund të ndodhte po qe se Thaçi, njëanshëm, merr ndonjë vendim që më pas duhet të kundërshtohet nga VV-ja dhe, në parim, nga LDK-ja. E kundërshtimi mund ta cytë një proces të ri vlerësimi që mund të sjellë një interpretim tjetër. Porse kjo që u tha mbetet krejt në nivel të konspiracionit dhe në rastin hipotetik se Thaçi nuk ia del që me njerëzit e afërt të tij përbrenda LDK-së ta ndalojë formimin e koalicionit.

Kompromisi i fundit

Për ta shmangur madje edhe hipotezën e tillë, e besoj se ekziston një mënyrë, një kompromis i fundit, që mund ta sjellë formimin e Qeverisë së re, e ky është që kryeparlamentari Konjufca të japë dorëheqje. Por, kjo me kusht: që tema e kryetarit të shtetit të mos hapet para janarit të 2021-s.

Pra, VV-ja, nëpërmjet veprimit individual të Konjufcës, do ta kthente postin e kryeparlamentarit në duart e LDK-së, përkatësisht të Vjosa Osmanit, siç e kishte thënë vetë Kurti edhe gjatë fushatës. Nga ana tjetër, LDK-ja do të hiqte dorë përkohësisht nga një post, i cili është momentalisht i zënë, dhe i cili nuk ka ndonjë arsye të veçantë t’i takojë, pos dëshirës së madhe për ta akomoduar ndonjë njeri shumë ambicioz dhe jo domosdo të dijshëm dhe reprezentativ.

Madje, e besoj se nuk do të kishte pasur asnjë kuptim që posti t’i kthehej Konjufcës pas një viti – po nuk është bre ky post një top futbolli që do t’ia kthesh shokut tënd të lojës pasi të jesh ngirë së vrapuari pas tij. Formimi i institucioneve do të duhej të ishte diçka shumë më serioze sesa kjo që po e dëgjojmë të thuhet nga njerëzit që e quajnë veten të ngritur intelektualisht.

Ndërkohë

E derisa vazhdojnë takimet e brendshme dhe defilimi i pafund i politikanëve të të dyja partive nëpër televizionet kosovare, një numër impresiv njerëzish iu bashkuan aksionit për ta ndalur ndërtimin e një zone rezidenciale bri Liqenit të Badovcit.

Nga një postim në FB u kuptua se projekti për ndërtimin e 17 vilave në zonën e 2-të, që doli të jetë e palejueshme, rreth liqenit që e furnizon gjysmën e Prishtinës me ujë, ishte gati për t’u realizuar. Mjaftoi që një aktivist për mbrojtjen e natyrës ta hapte një faqe në FB dhe që më pak se një javë të mblidheshin 24 mijë veta që e kundërshtojnë këtë ndërtim.

Pas një sërë shmangiesh në shumë pyetjet që i bëri gazeta në Komunë e në MMPH, dhe pas raportimit se MMPH-ja dhe Komuna kishin dhënë dritën e gjelbër për projektin, më në fund u lajmërua Komuna. Sipas saj, MMPH-ja e kishte detyruar që t’ia lëshonte kushtet ndërtimore investitorit, ani që një vendim i këtillë kishte qenë në kundërshtim me një akt nënligjor që nuk e lejon ndërtimin në atë zonë.

Nëse Komuna e ka ditur se dhënia e kushteve të ndërtimit është në kundërshtim me ligjin, pse e ka zbatuar “urdhrin” e MMPH-së? Përse nuk e ka kontestuar këtë, qoftë në procedurë administrative, qoftë, më pas, edhe me masë të përkohshme nga Kushtetuesja? Si bëhet që Komuna nuk e ka planifikuar ta rrisë liqenin akumulues, të ndërtuar para 50 e sa vjetësh, kur dihet se popullata e Prishtinës me rrethinë është disa fish më e madhe.

Ministri në detyrë i MMPH-së ka thënë se i ka nisur inspektorët në Komunë për të parë nëse ka gjë të kundërligjshme aty, dhe në njëfarë forme ka premtuar se do ta anulojë vendimin, po qe se del të jetë ashtu. Por nuk e di sa është për t’i besuar këtij njeriu, pas asaj që ka ndodhur me hidrocentralet, me pëlqimet mjedisore, a çfarë lejesh të përkohshme që janë lëshuar nga ministria që ai e udhëheq.

Lajmi më i gëzueshëm në këtë ngjarje është mobilizimi shumë i madh i njerëzve, i cili, megjithatë, nuk besoj se do të ishte po aq i madh, po qe se do të organizoheshin protesta kundër këtij projekti, apo cilitdo tjetër që shkon në favor të degradimit të mëtejmë të natyrës dhe mjedisit në Kosovë.

* * *

Përderisa të vazhdojë lufta e nivelit të çerdheve të fëmijëve ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, Kosova do të degradojë edhe më shumë në të gjitha aspektet. Askush nuk mund të na marrë seriozisht kur e kemi një shërbim diplomatik të mbushur me kushërinj e dosta të kumandantave; e aq më pak do të na marrë seriozisht kur formimin e Qeverisë ia nënshtrojmë një posti gjysmëceremonial, në të cilin janë zgjedhur njerëz që vetëm telashe na kanë sjellë.

Jemi lodhur dhe jemi në zgrip të humnerës. Dita më ditë po e dëshmojmë se nuk kemi as mend e as vullnet për ta parë veten tek përparojmë. Për fat të keq, ngecja na është bërë shenjë identifikimi.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco