‘Gam gam” kryeministër, nuk ta kanë fajin mediat

‘Gam gam” kryeministër, nuk ta kanë fajin mediat

Nga Syri.net Kosova - 02/12/2019

Shfryrja ndaj medieve nuk është gjë e re për kreun e qeverisë shqiptare. ‘Kazani’, siç preferon t’i quajë ai, të gjithë ata që nuk shkruajnë e flasin me tone pozitive për të, mbetet halë në sytë e Edi Ramës.

Në kulmin e tragjedisë, mbërrin deri aty sa të burgosë gazetarë e t’ua vëjë dryrin portaleve, të kërcënojë këdo që i del para, të mundohet të shuajë çdo zë kritik e të mbyllë secilën gojë që flet ndryshe.

Boll hallet e pafund pas tërmetit katastrofal, shqiptarët duhet të durojnë edhe marrëzitë e një politikani të papërgjegjshëm në krye të ekzekutivit.

Po të mos jenë mediat, ato që nuk i ka nën kontroll, kuptohet, abuzimet dhe skandalet, gafat e shpërdorimet shtetërore, nuk i merr vesh njeri.

Natyrisht, mediat kanë telashet e tyre, vështirësitë, mangësitë, bëjnë edhe ato gabime. Secili duhet të mbajë përgjegjësi për punën e vet, por sidomos në këto rrethana të rënda, gazetarët kanë nevojë për mbështetje e jo goditje.

Ashtu siç ka profesionalizëm e guxim, nuk mungojnë as amatorizmat dhe lapsuset. Në një kohë krize, kujdesi do të duhej të jetë më i madh e ndjeshmëria më e thellë.

Raportimi i mediave, në vend që të jetë i mirëseardhur për autoritetet, shihet me urrejtje prej tyre. Në këtë periudhë anarkie, plasimi i shumë informacioneve të rëndësishme, ka efekt të jashtëzakonshëm pozitiv.

Mediat duhet të jenë zë i publikut. Një “gam gam” kryeministër, nuk i do të tillat.

Ai preferon kamera që e shndërrojnë tragjedinë në një “reality show” të tijin personal.

Qoftë edhe kur i i përgjigjet lehjeve të një qeni.  Por, të mos hyjmë te kapitulli i qenve, se edhe aty, nuk mungonin aferat shtetërore, me pasoja në reagimin pas tërmetit.

Politikanët arrogantë dhe të dështuar në qeverisje, gjithnjë në raste krizash, përpiqen ta “zbulojnë” fajtorin, të përgojojnë e të shpifin, për ta zhvendosur vëmendjen.

Nuk është ky momenti i debatit për mediat, por Rama e hap, sepse i duhet të kacavirret në një çengel.

Ai e di se po të mos jenë këto, “mediat e kazanit”, vuajtjet e shumë  njerëzve do të fshiheshin nga hapësira mediatike publike.

Para tërmeti, tërmeti dhe post tërmeti, nuk mund të vizatohen sipas shijes së piktorit. Së paku, do të duhej t’i falënderonte reporterët për mundimin e pa fund të tyre, gjatë këtyre ditëve tragjike, e jo t’i kërcënojë si të ishin kriminelë.

Gam gam-et e një kryeministri, nuk e mbulojnë dot, krimin dhe kriminelët e vërtetë.

Tragjeditë, sjellin momente solidariteti, por edhe reflektimi. Mediat, janë të pazëvendësueshme në misionin e tyre.

Tërmeti, është një dukuri e natyrës, që duhet t’i bëjmë ballë. Ashtu siç rrezikon shpëtimtari për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat, edhe gazetarët janë në rrezik gjatë raportimit.

Ata mund të bëhen fajtorë, nëse fshehin faktet, për t’ia bërë një argat pushtetit, por jo nëse raportojnë të vërtetën e ngjarjeve.

Kjo e vërtetë, sa më shumë zbardhet për opinionin, aq më tepër dhemb.

Sidoqoftë, ujku mjegull do. Edhe “gam gam” kryeministri njësoj bën!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco