Besëlidhja e dytë sllave e Ramës

Besëlidhja e dytë sllave e Ramës

Nga Alfons Zeneli - 11/11/2019

Krijimi i Partisë Komuniste Shqiptare është një handikap që në krye të diskutimit, që në qasjen e parë që nga rrafshi teorik. Në Shqipërinë e asaj kohe mungonin të gjitha kushtet të cilat sipas vetë marksizëm leninizmit siguronin lindjen e natyrshme të një partie të tillë.

Komunizmi as që kishte asnjë pikëtakimi me psikologjinë individualiste të theksuar të shoqërisë shqiptare e as me kodet morale të kanuneve kryesorë që rregullonin tempin social administrativ me të cilin ne keq apo mirë kishim ecur ndër shekuj.

 Por ajo më e rëndësishmja është se, siç shkruhet dhe në literaturën marksiste, nuk ishte pjekur asnjë kusht. Komunizmi shqiptar bashkë me partinë përkatëse ishte një bimë gjenetikisht e degjeneruar e sjellë me kubikë nga Beogradi.

 Pra dy shkaqe : mbjellja artificiale e farës dhe lloji sllav i farës bënë që fryti të ishte një katastrofë kombëtare. Social komunistët e sotëm, nostalgjikë me të gjitha neuronet të atrofizuar e mohojnë këtë të vërtetë edhe pse dështimi i një mbrojtjeje të tillë është nënshkruar shumë kohë më parë nga vetë kreu zyrtar i PKSH Enver Hoxha.

 Dokumentet e kohës, të asaj kohe kur Enveri nuk e dinte se si do shkonin punët, flasin qartë për varësinë e tij e të Partisë nga ''dozat'' e misionarëve jugosllavë tashmë të njohur për mbarë opinionin shqiptar Miladin Popoviç, Dushan Mugosha, Velimir Stojniç, Zvetozar Vukmanoviç Tempo dhe plot të tjerë që dominuan apo drejtuan zhvillimet në skenën politiko ekonomike të Shqipërisë deri në vitin 1948.

 Tani në mënyrën më tragjikomike të mundshme, në skenën e Shqipërisë po përsëritet e njëjta tragjedi. Opinioni publik shqiptar ka kohë e vite që reagon ndaj ringjalljes së simbolikës komuniste si dhe ndaj ''zgjimit'' të funksionarëve të diktaturës dhe ish agjentëve e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit.

 Shqetësimi alarmant konsiston në faktin se komunizmi nuk po rivjen thjesht si një retorikë por si një fakt i prekshëm në gjithë mekanizmin qeverisës administrativ. Tashmë nuk përbën më çudi fakti që qeveria e Ramës ua ka hequr ''doganën'' ''mallrave'' me siglën e komunzmit.

 Jo se Rama është komunist në kuptimin e ngushtë të fjalës, por sepse Rama është levë e atyre që e shpikën dhe e hodhën komunizmin si një armë vdekjeprurëse biologjike kundër civilizimit dhe konservatorizmit, kundër lirisë dhe kombeve.

 Parë nga ky këndvështrim, mund ta kuptojmë më së qarti se përse Edi Rama është duke vepruar kështu, mund të kuptojmë se Edi Rama nuk është i çmendur por krejt i kthjellët dhe po e çon me saktësi matematike drejt suksesit të paramenduar kauzën antishqiptare. Rënia e lirë e Shqipërisë drejt humnerës si një gur i hedhur me forcë nga krahët e fuqishëm të padronëve të Ramës, është egzaktësisht ajo çka ka pas qenë projektuar qysh kur Enver Hoxha desh ta vasalizonte vendin zyrtarisht tek etërit ideologjikë.

Ajo çka shohim sot është vazhda e përpiktë e ''lumit'' që rrjedh drejt lindjes sllave. Kanë ndryshuar kushtet historike, teknologjike, emrat, retorikët, rekuizita, shtatgjatësia e aktorëve por thelbi JO. Rrënimi, zhbërja, eliminimi i kombit shqiptar si faktor esencial nga teatri ballkanik presupozon dhe daljen përfundimtare të vetë gadishullit nga trajektorja perëndimore. Fuqitë sllave të lindjes nuk do të mund të kishin asnjë shans teorik ta korrnin këtë sukses pa kompromentuar Shqipërinë.

Një shans të tillë mund t'ua japë dhe po ua jep vetëm Edi Rama. Vetëm Edi Rama mund të tentoje mashtrimin grotesk të shqiptarëve duke ua premtuar BE që nga logu i Ohrit ku bashkë me ''vëllain'' Vuçiç po themelon ''besëlidhjen'' sllave.

 Rama po e trajton Shqipërinë dhe interesat e saj si një letër indulgjence me të cilën lan e fal mëkatet kriminale të sllavëve mbi kombin shqiptar. Në këto momente frikshmërisht kritike, shqiptarëve ju kanë mbaruar alternativat. Ju ka mbetur vetëm një : revolta e përgjithshme kombëtare për asgjësuar praktikisht planet e Ramës.

Por kjo mund të kryhet vetëm nëse nëse shqiptarëve dhe sidomos socialistëve shqiptarë ju ka mbetur i paprekur qoftë dhe një neuron i vetëm, nëse ju ka mbetur qoftë dhe një fije turp e nder e gjak shqiptari.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco