22 Marsi 2024 e gjeti pluralizmin shqiptar në shënjestrën e asgjësimit

22 Marsi 2024 e gjeti pluralizmin shqiptar në shënjestrën e asgjësimit

- 23/03/2024

Nga Prof. Myqerem Tafaj.

Dje ishte 22 mars, dita historike e fitores së PD dhe forcave aleate antikomuniste mbi diktaturën komuniste ndër më të egrat në planet. Ajo fitore është e pashlyer, jo vetëm në mendjet dhe zemrat tona si demokratë, por edhe të qytetarëve të tjerë, edhe atyre të majtë, të cilët nuk kishin lidhje me strukturat represive të diktaturës dhe kishin vuajtur njëlloj pasojat e atij regjimi antinjerëzor.

Ajo ditë është historike edhe për fillimin e funksionimit të Votës së lirë dhe të pluralizmit politik në Shqipëri, vendin ndër tre vendet më të varfëra të planetit. Dje Berisha, lideri politikikisht i burgosur, shpërndau videot asaj Ditë historike. Cdo qytetar, që i pa ato video, dëgjoi tezat parimore të një lideri perëndimor mbi përgjegjësitë e PD si fituese plebishitare e zgjedhjeve të para demokratike, misionin, qëllimet, dhe sidomos parimet e zhvillimit të pluralizmit e demokracisë, si dhe të rëndësisë e rolit të opozitës në një demokraci. Këtu fillon edhe paradoksi i madh. Sot, 32 vjet më vonë, demokracia dhe pluralizmi janë vënë nën shënjeshtrën e asgjësimit të tyre. Dhe kjo duket qartë në shumë aspekte.

Filluar me përkujtimin e kësaj date historike. Sigurisht për qeverinë dhe PS kjo është një datë që ata duan t‘a fshijnë nga historia e Shqipërisë, nga memoria e shqiptarëve, sepse në atë ditë kjo parti humbi pushtetin pas 50 vjetësh dhe u përbysë diktatura e etërve të tyre në krye të PPSH.

Fatkeqësisht, shumica e medias, nga frika e kontrollit qeveritar, as nuk e përmendi si datë dhe nuk i kushtoi fare vemendje në programet e saj, a thua se 22 marsi 1992 ishte dita e vendosjes së diktaturës komuniste dhe jo dita e rrëzimit të saj me votë të lirë. Ndërsa faktori tjetër i elitës së shoqërisë, shoqëria civile, as nuk u kujtua për këtë datë, sepse OJQ janë bërë zgjatime qeveritare.

Paradoksi tjetër është se Berisha, lideri që udhëhoqi PD në rrëzimin e diktaturës komuniste, sot, pas 32 vitesh, është i burgosur politik, pikërisht nga partia pasardhëse e asaj komuniste dhe qeveria e saj. Goditja politike e Berishës është skena kryesore e skenarit të asgjësimit të PD dhe pluralizmit politik, si dhe e instalimit të sistemi hibrid gjysëmdemokratik në Shqipëri.

Ky skenar filloi në 2017 kur PD pësoi humbje të thellë, e cila i dha gjithë "tepsinë" dhe timonin PS. Lënia e mandateve nga PD u përdor brutalisht nga maxhoranca për të manipuluar qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar, cka i krijoi qeverisë së PS-së edhe kushtet për zhvillimin e zgjedhjeve moniste vendore 2019, praktikisht pa opozitë. Komuniteti ndërkombëtar, me qëllimin e mirë por krejt naiv, për t‘i dhënë një mësim opozitës për bojkotin e zgjedhjeve vendore, toleroi zgjedhjet moniste në një vend që kishte vuajtur 50 vjet nga farsa e zgjedhjeve moniste, edhe për faktin se nuk ishte i vetdijshëm se këto zgjedhje në Shqipëri nuk janë thjesht administrative si në Finlandë apo Zvicër, por thellësisht politike dhe ato thujase përcaktojnë edhe fatin e zgjedhjeve parlamentare.

Me zgjedhjet vendore moniste u shënua faktikisht goditja e parë, gati asgjësuese, për pluralizmi shqiptar. Skenari i qeverisë për asgjësimin e PD dhe opozitës kulmoi pas zgjedhjeve të 2021 me lobimin e turpshëm për sanksionimin e Berishës, një dekadë pasi ishte larguar nga pushteti. Më tej, ky skenar vijoi me përdorimin e gjykatave për mohimin flagrant të së drejtës së demokratëve për t‘u përfaqësuar me partinë e tyre politike, PD e Rithemeluar, si dhe me delegjitimimin flagrant të grupit parlamentar të PD së Rithemeluar në Kuvend.

Ky skenar hyri në fazën më ekstreme të tij, në fund të vitit të kaluar, me përndjekjen politike të ish Presidentit dhe ish Kryeministrit Berisha dhe familjes së tij, një përndjekje dhe sulm politik, i cili, në thelb synon asgjësimin e PD, dhe si i tillë nuk ndryshon shumë nga lufta e regjimeve alla Putin ndaj opozitës dhe lidershipit të saj. Por zgjedhjet e 14 majit 2023 treguan se demokratët janë ndërgjegjësuar për skenarin e asgjësimit të PD, cka i motivoi ata të votojnë masivisht PD e Rithemelimit në kushtet e pa hasuara më parë në këto tre dekada pas rrëzimit të diktaturës, presion i hapur nga qeveria për të mos marrë pjesë në zgjedhje, terror në cdo qendër votimi nga bandat afër qeverisë, mos përfshirje të forcës së tyre politike, PD së Rithemeluar, dhe kryetarit të saj në listë, mosdhënia e asnjë qindarkë nga buxheti për PD e Rithemeluar, dhe survejim masiv të cdo demokrati në qendrat e votimit. Megjithatë, gati 40% e votuesve, votuan PD e Rithemelimit. Ndoshta ky ishte edhe shkaku që coi qeverinë në vendimin politik për të izoluar fizikisht Berishën me arrest në shtëpi dhe ndalim të komunikimit të tij me demokratët si kryetar i tyre.

Deputetët e PD kuptuan qëllimin e vërtetë të skenarit për asgjësimin e PD dhe opozitës, prandaj ata u bashkuan në shtatorin e kaluar dhe zhvilluan një betejë gati 6-mujore në Kuvend, kundër strategjisë së maxhorancës për delegjitimimin e opozitës dhe për të kërkuar respektimin e të drejtave elementare kushtetuese të grupit parlamentar të PD. Fatmirësisht, kjo betejë në Kuvend zgjoi edhe vemendjen dhe mbështetjen e kumunitetit ndërkombëtar, i cili, ndoshta, pas gati pesë vitesh, kuptoi edhe qëllimin e vërtetë të kësaj strategjie afatgjatë e të mirëstrukturuar të maxhorancës, për asgjësimin politik të PD dhe opozitës në Shqipëri.

Kjo e detyroi maxhorancën që të pranoj të bisedoj me kryesinë e grupit parlamentar të PD dhe të njohë, edhe pse pjesërisht, të drejtat elementare kushtetuese të opozitës për kontrollin parlamentar të qeverisë, përmes komisioneve hetimore, si dhe të drejtën e saj të barabartë me shumicën për reformën zgjedhore. Imagjinoni ku kemi arritur sot, 32 vjet pas 22 marsit 1992: opozitës në shënjëstër për t‘u asgjësuar, i jepen, si „lëshim“, nga maxhoranca disa të drejta elementare kushtetuese të veprimtarisë së saj parlamentare! Kjo situatë e trishtë politike tregon përmasat e vërteta të degradimit të standarteve të demokracisë dhe vendosjen e pluralizmit politik në shënjestrën e qeverisë për t‘a asgjësuar plotësisht atë.

Eshtë e paimagjinueshme që me këtë shkallë të degradimit të demokracisë dhe pluralizmit në vendin tonë të shpresohet për integrimin e Shqipërisë në BE! Ky nivel i standarteve të demokracisë dhe pluralizmit të con, e shumta, deri tek Ballkani i hapur i Vucic apo në ndonjë aleancë tjetër të regjimeve autokrate në Evropë apo Azi. Por në fund të tunelit ka dritë! Bashkimi i grupit parlamentar po shoqërohet me bashkimin e demokratëve në strukturat e PD dhe konsolidimin e tyre. Protesta madhështore e 20 shkurtit tregoi se sot gardiani i vërtetë i demokracisë dhe pluralizimit në vendin tonë është populli i thjesht opozitar, i cili është i gatshëm të luftojë, në cdo kohë, në mbrojtje të fateve të vendit, të lirisë, demokracisë dhe pluralizmit në vendin tonë.

Populli opozitar mund ta zgjojë dhe vetdijësojë edhe elitën letargjike të shoqërisë shqiptare, për rrezikun që i kanoset demokracisë dhe pluralizmit politik shqiptar, sot 32 vjet pas 22 marsit 1992. Por, populli opozitar kërkon një lidership të përkushtuar dhe të gatshëm për t‘a udhëhequr atë në cdo betejë me maxhorancën dhe qeverinë, për fatet e demokracisë dhe pluralizmit, duke filluar me krijimin e kushteve reale për zgjedhje të lira dhe votën e lirë. Bashkimi i PD ndodhi por nuk është cdo gjë.

Lidershipi i PD së bashkuar duhet të mobilizojë dhe të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë faktorët e elektorati të djathtë, me organizatat e të rinjve dhe grave, organizatat e sipërmarrjes, të profesionistëve të lirë, të fermerëve, si dhe me sindikatat në betejën për zgjedhje të lira, si themel i një shoqërie të lirë, i pluralizmit dhe qeverisjes demokratike. Kjo strategji bashkëpunimi e PD duhet të shtrihet në cdo rreth të vendit.

Deputetët dhe të zgjedhurit me votë, nga demokratët në strukturat drejtuese të PD së Rithemeluar, në cdo rreth, duhet të marrin përgjegjësinë për të krijuar këtë një Aleancë të fuqishme të Fitores në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, me të gjithë faktorët dhe grupet e interesit të atij rrethi apo qarku.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco