'Nuk ka Trump, Biden, apo Melon që e shpëton Edi Ramën'

'Nuk ka Trump, Biden, apo Melon që e shpëton Edi Ramën'

Nga Edith Harxhi - 16/03/2024

Nga Edith Harxhi

Në zgjedhjet Amerikane të vitit 2016 dhe më pas në 2020 kam shprehur qartë qëndrimin tim pro Trump dhe e kam mbrojtur atë në çdo media në Shqipëri.

Është e natyrshme si e djathtë dhe konservatore të jem pro të djathtës dhe republikanëve në ShBA dhe Konservatorëve në Mbretërinë e Bashkuar. Që prej BREXI-t që mendoj ende se ishte lëvizja më e mençur e britanikëve për të dalë më vete BE-së, zgjedhjet në ShBA në 2016 dhe më pas në 2020 ishin për mua një ogur i mirë për tu larguar nga establishmenti i korporatave dhe establishmenti politik që krijoi globalizmi i deformuar.

Ky establishment është munduar të krijojë një rend të ri botëror, ku sovranizmi duhet shuar me çdo kusht dhe kufijtë midis shteteve duhen zëvendësuar me anarki globale, përzierje racash e kulturash, këmbim popullsie, largim nga e kaluara dhe zhdukje të trashëgimisë e historisë së popujve si dhe një kulturë e re postmoderniste, transgjinore dhe pa rend dhe pafamilje e cila ish përcaktuar qartë që në librat e shenjtë.

Pikërisht sepse jam kundër kësaj politike globale për të tjetërsuar popujt dhe kulturat, vazhdoj të mbështes dhe promovoj fuqishëm parimet konservatore si e vetmja shpresë për tu kthyer në një shoqëri ku individi dhe komuniteti janë më të rëndësishmet dhe ku liria, familja, kombi dhe besimi janë mbi gjithçka.

Megjithëse e pranoj Amerikën aleatin tonë strategjik ashtu siç është me të mirat dhe mangësitë e veta, respektoj çdo administratë amerikane si vullnet i shprehur i miliona amerikanëve. Ajo lufton për interesa të veta strategjik dhe ne jemi vetëm një bulëz uji në to.

Prej vitit 2021, kam gjykuar si vendim krejtësisht të pamatur dhe të gabuar nxjerrjen non grata të liderit të opozitës antikomuniste shqiptare dhe arkitektit të Shqipërisë demokratike Z. Berisha. Është fare e qartë që lobimi i elitës neo komuniste në Shqipëri së bashku me rrjetin e George Soros që lufton për ‘rendin e ri botëror’ që fatkeqësisht është më vrastar se komunizmi vetë, kanë bërë të mundur këtë vendim kaq fatal për opozitën në Shqipëri dhe Shqipërinë vetë.

Qëndrimi i Edi Ramës në pushtet me çdo kusht dhe autokracia e re në Shqipëri ju konvenon disave sot për të ruajtur një lloj stabiliteti relativ në Ballkan në këto kohë luftrash dhe për të bërë më shumë para.

Kjo nuk do të thotë që çdo kush që do të ishte në krye të ekzekutivit në Shqipëri nuk do të bënte gjithçka për të ruajtur stabilitetin e kërkuar dhe të dëshiruar në Ballkan.

Por jo kundër interesave kombëtare dhe duke flirtuar me Serbinë dhe duke i shkel syri sanksioneve ndaj Rusisë e duke përzënë shqiptarët nga vendi i tyre.

Ky sulm ndaj opozitës antikomuniste në Shqipëri në një kohë kur bota perëndimore e ka harruar që komunizmi ishte drama më e rëndë e njerëzimit deri 30 vite më parë, ka bërë që sot Shqipëria të rrënohet për brenda dhe perëndimorët të duartrokasin dhe të vazhdojnë marrëveshjet me Edi Ramën duke e ditur që ai shet interesat e vendit të tij, që është autokrati më i rëndomtë, aventurieri politik më perfid, dhe pazarxhiu më i madh.

Pra të tjerët po përfitojnë në kurriz të Shqipërisë nga dëshira dhe nevoja për pushtet si Putini, i një lideri periferik dhe bufon.

Marrëveshja e marrjes së emigrantëve afrikanë ishte e tillë, mbyllja e syve para futjes së investimeve të dyshimta nga parajsat fiskale në Portin e vjetër 4 mijë vjeçar të Durrësit, lobimi me njeriun më të fuqishëm të kundërzbulimit të FBI amerikane McGonigal, samitet ndërkombëtare prej letre dhe pa substancë në Tiranën e betonizuar nga paratë e drogës, Butrinti që po tjetërsohet si pasuri e trashëgimisë botërore dhe së fundi dhënia e ishullit të Sazanit për llogari të dhëndrit të Presidentit Trump.

Të gjithë thonë sa i fortë paska qenë ky njeri që arriti të gjitha këto dhe vazhdon të qëndrojë në pushtet duke bërë favore ndërkombëtare dhe duke shitur çdo pëllëmbë tokë të Shqipërisë pasi provoi të shesë Kosovën, vetëm e vetëm për të qëndruar në pushtet dhe për tu amnistuar politikisht.

Unë jam kundër të gjitha këtyre sa më lartë dhe shumë e shumë aferave të tjera që ndoshta ende nuk i dimë por një ditë do ti mësojmë.

Dhënia e Sazanit si zonë e mbrojtur kujtdo qoftë dhe për interesa meskine të një njeriu të etur për pushtet dhe para si Rama, më trishton, pavarësisht faktit që duke parë gjithë bregdetin shqiptar tek shkatërrohet nga lloj, lloj investitorucësh ‘strategjik’ ‘çuna lagjesh’, pa asnjë kacidhe dhe pa vizion dhe që shkelën e dhunuan mbi pronat e shqiptarëve që nuk i morrën kurrë ato që ju kishin lënë baballarët, them më mirë që vjen një amerikan si Jared Kushner.

Por, nga ana tjetër tjetërsimi i çdo prone publike dhe private nga një njeri që çfarë ti zejë syri i ve gishtin dhe e shet, blen dhe e rrjep për interesa personale, është një krim kombëtar që nuk mund të kapërdihet më.

A do të marrë fund ndonjë herë kjo sagë 11 vjeçare e një autokrati krejtësisht të pandërgjegjshëm që shkatërroi vendin e tij, e përdor si plaçkë lufte dhe e shet për të qëndruar në pushtet?

Ka shembuj të tjerë në botë por popujt e ndërgjegjshëm reagojnë, ngrihen dhe e rrëzojnë.

Mos mendojë kush se Rama amnistohet apo qëndron në pushtet me këto përdredhje majtas djathtas apo shitje blerje të plaçkës së luftës së quajtur Shqipëri. Vetëm ndërgjegjja popullore është përcaktuese, e shprehur me revoltë apo me votë kur kjo e fundit është e lirë.

Nuk ka Trump, Biden, apo Melon që e shpëton këtë autokrat kur të vijë dakiku popullor.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco