Pseudo-moralisti me emrin Fahri Musliu...!

Pseudo-moralisti me emrin Fahri Musliu...!

Nga Mustafë Kadriaj - 12/03/2024

Shkruan: Mustafë Kadriaj

Reagim

Para se t’i tregohet vendi në mozaikun kombëtar Fahri Musliut, kritika më e madhe bie mbi Bashkësinë Islame të Kosovës, meqë për mbajtjen gjallë të institucioneve të BIK-ut meritorë janë besimtarët, të cilëve soji i Fahri Musliut ua konteston besimin dhe devotshmërinë e tyre, e aq më shumë e thumbon edhe BIK-un, ndërsa ende nuk ka një reagim zyrtar.

Me këtë, myftiut Tërnava dhe BIK-ut dua t’ua përkujtoj se shumë herë kemi dëgjuar nga ata të thonë që ne të tjerët nuk duhet të përzihemi në punët e BIK-ut. E qartë kjo, askush nga ne nuk ka interes të përzihet, por së paku ju duhet “të përziheni” në punët tuaja, që d.m.th. ju duhet të reagoni dhe të dilni me deklaratë, sepse ndryshe heshtja juaj lë të kuptohet sikur ju po pajtoheni me këtë.

Në kohën në të cilën ne jetojmë, vetëm për ta rritur shikueshmërinë, mediat në Kosovë po degradojnë me emisione dhe të ftuar, por sidoqoftë është punë e tyre, ama kur të shet mend një pseudo-moralist, karrierën e të cilit e njeh gjithë opinioni, kjo është tepër e papranueshme. E them këtë, sepse nëse kthehemi në vitet e ‘90-ta, prindi im atëbotë ka vdekur i suspenduar nga puna, me akuzën se ka marrë pjesë në demonstratat e asaj kohe dhe pas vdekjes gjyqin e ka fituar avokati Hysni Bytyqi (ish-avokat në Beograd), e për hir të opinionit më duhet të theksoj se ky avokat është rrahur nga grupet kriminale në Beograd për vdekje, por falë Zotit ka shpëtuar, ndërsa Fahriu nuk e ka ndërprerë punën as në vitet e ‘90-ta, dhe asnjëherë nuk ka pasur problem me pushtetin e me këto grupe kriminale, dhe vazhdon të lëvizë edhe sot në ato relacione.

Se sa është demokratik shteti serb, këtë e dëshmojnë edhe shumë fakte të tjera: sot mbahet në burgjet e Serbisë ish-ushtari i UÇK-së nga Korisha e Prizrenit; ndaj politikanëve serbë që i pranojnë krimet në Kosovë, pushteti serb ushtron dhunë deri në paralizimin fizik të tyre, duke i lënë invalidë, ndërsa “shkëlqesia” e Fahriut endet poshtë e lart nëpër Serbi, e në vend që t’ua urojë besimtarëve Muajin e Ramazanit, ai shet moral për arsim, për shtetndërtim, për fe dhe, mbi të gjitha, si duhet të jetë një besimtar i devotshëm.

Nëse flasim me referenca, Fahri Musliu vetëm referencë nuk është, as nga aspekti intelektual, as kombëtar, e aq më pak moral. Si kryevepër e tij, që vetë e cilëson autobiografinë e aktorit të përmasave ndërkombëtare Bekim Fehmiu, e kam blerë nga dora e tij në vlerë 30 euro, e kjo “kryevepër” është e mbushur me fotografi, prandaj më shumë mund të quhet album i fotografive sesa autobiografi, ndërsa për moral kombëtar çka t’i kujtojmë Fahriut, kur askush nuk e di asnjë argat të tij që e ka bërë për kauzën kombëtare, sepse sikur të ishte i tillë nuk do guxonte as të mendonte, e lëre më të jetonte dhe të lëvizte lirshëm në Beograd.

Ai i akuzon besimtarët që nuk e pranojnë kritikën. “Shkëlqesi” Fahri, besimtarët e pranojnë kritikën, por shpifjet jo, e aq më shumë nga soji yt. Nëse nuk je i plotësuar, pse nuk konvertohesh aty ku ndihesh më mirë, ose të deklarohesh ateist, por jo të na tregosh moral, aq më shumë që besimi Islam nuk ka nevojë për sasi, por për cilësi, e nuk ka fare nevojë për hipokritë. Pra, Zoti nuk e largoi nga mëshira e Tij djallin pse nuk ishte i mençur, por pse nuk ishte i sinqertë dhe falënderues.

Prandaj, nëse e shikon profilin e Fahriut, ai vetëm shqiptar nuk të duket. Këtë nuk po e shpif, por është diçka që shihet dhe vazhdimisht krahasohet me figurën kyçe në Serbi. Pra, nëse nuk i kanë të përbashkëta gjenet, emërues të përbashkët e kanë jetën që kanë bërë dhe e bëjnë në të njëjtin vend, që d.m.th. se ka bazë shkencore që edhe bimët duke qëndruar afër marrin nga njëra-tjetra.

Sa për kujtesë të Fahriut, njoh miq nga Opoja që janë intelektualë dhe biznesmenë, por njëherësh janë besimtarë dhe aq më shumë kanë dhënë dhe japin kontribut në mjekësi, në edukim, në filologji, në histori dhe dinë të bëjnë biznes, ndërsa kontributi juaj në shkencë është si ato lojërat “gërvisht dhe fito”. Ndoshta Fahriu mund të krekoset që ka diplomë të Beogradit, por jo të gjithë e kishin atë fat sikur ai, që janë shkolluar në Beograd dhe kontributin e kanë dhënë dhe e japin në Beograd.

Për fund, Fahri Musliu nuk është as më shumë dhe as më pak se sa një mbetje e ideologjisë komuniste, që ende kundërmon erë të neveritshme, por e mira e kësaj ideologjie është se i përket së kaluarës dhe që çdo ditë është në venitje e sipër.
 

Ky shkrim është përgjegjësi e autori dhe nuk përmban asnjë qëndrim të redaksisë së Syri.net Kosova

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco