Anglezët me sytë nga ne: Kujt i duhet Ruanda, kur kemi Shqipërinë!!

Anglezët me sytë nga ne: Kujt i duhet Ruanda, kur kemi Shqipërinë!!

- 18/12/2023

Ndërsa ngre një çadër për t’u mbrojtur nga shiu rrebesh, drejtori i portit të vogël të Shëngjinit afrohet pranë një hapësire me baltë pas kalatës dhe i shpjegon gazetarit britanik të 'The Times', se si ky territor do të ndihmojë në zgjidhjen e problemit të emigrantëve drejt Italisë.

“Ky është vendi ku italianët do të ndërtojnë qendrën e tyre të përpunimit të emigrantëve,” janë fjalët e Sandër Marashit për The Times, “ajo do të mbulojë mbi 3000 m2, por nuk do të ndikojë në aktivitetin e portit”, thotë ai.

Marashi citohet edhe teksa përsërit për gazetarin britanik të njëjtat formula që dëgjohen nëpër komunikimet e kryeministrit Rama për mediat italiane. “Është kënaqësi për që ndihmojmë pasi kjo është ajo që bëjnë për njëri tjetrin partnerët evropianë”.

Me këto fjalë të Marashit nga Lezha nis shkrimi në të cilën britanikët shfaqin interes për një vend tjetër të depozitimit të emigrantëve afrikanë më pak problematik se Ruanda. Qeveria britanike e drejtuar nga Rishi Sunak ka hasur në vështirësi për marrëveshjen me Ruandën, pasi gjykata e rrëzoi paktin e parë të nënshkruar mes Rishi Sunak dhe Pol Kagame.

Në këtë situatë, kur shohin se Italia e ka gjetur “Ruandën” e saj për 36,000 emigrantë në vit, gazetari britanik ngre pyetjen: kujt i duhet Ruanda kur kemi Shqipërinë?

'The Times' citon Belind Këlliçin si një zë opozitar. As ai nuk shprehet kundër thelbit të  marrëveshjes, por citohet të flasë për mungesën e transparencës dhe arrogancën e Ramës.

Ndërkohë media britanike ka një seri citimesh që i aprovojnë prurjet e afrikanëve në Shqipëri.

Taulant Balla, ministri i Brendshëm, flet edhe ai si Sandër Marashi, duke përsëritur automatikisht togfjalëshat e Edi Ramës. “Të jesh anëtar i Bashkimit Europian nuk është vetëm e dobishme, por edhe përgjegjësi”, thotë Balla, që shprehet pozitiv për marrëveshjen.

Media britanike citon edhe kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreu që është i bindur se 36 mijë emigrantë afrikanë në vit nuk do ta dëmtojnë reputacionin e plazheve aty pranë. Për këtë, Pjerin Ndreu merr shembullin e emigrantëve afganëve kur thotë se: “Ata janë sjellë në mënyrë të shkëlqyer”.

A po negociohet një marrëveshje e dytë Rama-Sunak për emigrantët?

Shkrimi i 'The Times' vjen pas një vizite të Edi Ramës në Itali, ku ai pati një takim dhe një drekë pune me kryeministren e Italisë, Xhorxhia Meloni dhe me kryeministrin e Britanisë së Madhe, Rishi Sunak.

Ky i fundit e ka mbyllur një marrëveshje me leverdi me Ramën pak muaj më parë, kur qeveria jonë pranoi të riatdhësojë 1500 të dënuar shqiptarë nga burgjet britanike drejt Shqipërisë.

Të dënuarit shqiptarë kanë qenë një shqetësim në rritje i opinionit publik në Britaninë e Madhe, veçanërisht pas fushatës së Brexit, kur propaganda e disa partive të djathta u intensifikua. Por tani që shohin se si Italianët po na përdorin si “kosh” për të devijuar fluksin e refugjatëve afrikanë, britanikët po shohin një shans tjetër shpëtimi tek Shqipëria.

A do të kemi një marrëveshje tjetër Rama-Sunak për importimin e afrikanëve? Është herët të japësh një përgjigje. Nuk ka asgjë konkrete në tryezë, përveç një dreke pune në Itali, të shoqëruar me shkrimet e mediave britanike që e krahasojnë Shqipërinë me Ruandën.

Çfarë e pengon Ramën për një marrëveshje me Rishi Sunak?

Së pari, janë vetë pohimet e Ramës. Ai ka pranuar se ka pasur kërkesa edhe nga vende të tjera, për ta përdorur Shqipërinë si vend tranzit në procedurat e emigracionit. Por Rama ka deklaruar se një marrëveshje të tillë mund ta bëjë vetëm me italianët, si një popull me të cilin shqiptarët janë në borxh për shkak të pritjes që iu bë gjatë eksodit në vitet 90.

Çështja është që kryeministri i ka ngrënë edhe më parë fjalët e tij. Edhe një marrëveshje si kjo me Melonin, ai e kishte mohuar para selisë së Partisë Socialiste, kur shprehej se nuk do të pranonte që vendet e pasura t’i shkarkojnë emigrantët e tyre në Shqipëri. Dhe sërish e bëri.

Në anën tjetër një vendim i Gjykatës Kushtetuese ka pak gjasa ta ndalë marrëveshjen me Melonin. Tashmë ajo është përshëndetur edhe nga presidentja e Këshillit Europian, Ursula von der Leyen, ndërsa mediat italiane e kanë përgëzuar në kor.

Dihet se gjykatësit e drejtësisë së re nuk e mbajnë presionin e ndërkombëtarëve. Në anën tjetër, Rama ia njeh mirë pikat e dobëta. Jo më kot, kryeministri doli garant se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar ndërsa fliste në Itali për marrëveshjen për refugjatët italianë.

“Gjykata Kushtetuese ka bërë detyrën e saj. Pezullimi i marrëveshjes është proces automatik para se të ratifikohet, është provë se unë nuk kontrolloj gjykatat. Por jam i bindur se marrëveshja nuk ka asgjë antikushtetuese” tha Rama duke folur në krah të dy kryeministrave Meloni dhe Sunak.

I vetmi zë kundër në shkrimin e The Times është ai i një prej banorëve të zonës pranë Gjadrit, që thotë atë që të tjerët vetëm e pëshpërisin. “Shumica e njerëzve nuk do të ta thonë këtë, por nuk i duan emigrantët këtu sepse kanë frikë se do të ketë vetëm burra. Kështu që ata janë të shqetësuar për gratë dhe motrat e tyre,” citohet të thotë Agron Kola për gazetarin e 'The Times', që e prezanton si një fermer 47-vjeçar, që po pinte një gotë raki në kafenenë lokale./Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco