Parodi mbi dashurinë time, ngjarje reale, më 08 dhjetor 2023

Parodi mbi dashurinë time, ngjarje reale, më 08 dhjetor 2023

Nga Kimete Berisha - 11/12/2023
1. Majë ndërtesës ngjitur Rilindjes, dy punëtorë e ngrehnin një litar. 
Kur më panë mua, njëri prej tyre filloi të bërtiste: 'Do të bie'. 
Zëri i qeshte, e ndjeja se po luante me mua dhe me 'vdekjen' e tij, veç për ta tërhequr vëmendjen time, por megjithatë thashë, po e çon dreqi po përpjeket prej meje, larg qoftë, më mirë po ndërhyjë, le t'më qëllon krye shpirti një reagim....
E çova kokën, i bërtita: 
- 'Mos gabo me kriju probleme. 
Rri mirë, sillu mirë....'. 
- U  gëzua shumë që ia arriti qëllimit dhe ma dërgoi një puthje me litar në duar. 
2. Nuk kalova as 200 metra, u zateta në një burrë me kapuç të zi dhe me mjekër po ashtu të zezë. Më tha me zë të ashpër: 
- 'Mos gabo m'u ndal, Kim'. 
- Jo, jo, i thashë. 
Gratë që e shoqëronin e përkrahën në kërkesën  e tij që unë të mos ndalem kurrë. 
- Më me qejf do të shtiresha kinse nuk i dëgjova, më me qejf do të shtrihesha tani përmbys e të pushoja, e kurrë më të mos....
3. Pas gjysmë ore shkova në një servis të veturave. 
Djali që punonte aty, kur më pa, iu tha kolegëve të tij: shpejt kryjani punën. 
Ata nuk lëviznin. 
Unë i thashë: nuk po të dëgjojnë. 
Ai buzëqeshi. 
- A e di pse nuk po të dëgjojnë, e pyeta! Tha: jo. 
- Sepse po jep urdhëra i buzëqeshur. 
Qeshi. 
Pastaj, ai ma tregoi emrin e tij, pa e pyetur dhe më tha: shyqyr që së paku në shtëpi kur shkon nuk ka grua që i bërtet. 
Unë qesha. 
- E ai shtoi: ftohtë e kam, por...! 
4. Ndjehesha sikur burrat janë çuar në
këmbë dhe po e ndjekin autoren. 
U ndala për të blerë veshje të brendshme, me theks të veçantë - të kuqe. 
Kur dola, në veturë polici ma kish lënë një njoftim. 
Fryente era, binte pak borë, dhe njoftimi policor fluturoi. 
Duke e ndjekur njoftimin, rrezikova të
flijohem, por e zura. 
E lexova. 
Nuk e kuptova përmbajtjen veç stacionin policor ku obligohesha të paraqitem. 
Nuk e dija ku është, kur e gjeta ishte një hotel....
- Nuk është kthyer polici ende, më thanë. 
- A kthehet, e pyeta. 
Dhe e përbeva në Zot, që ta telefononte policin në fjalë e ti tregonte se unë jam qytetare e përgjegjshme dhe jam lajmëruar menjëherë për ta marrë dënimin e merituar. 
- Nga pesha e përgjegjësisë, kisha pas harruar ta vesh pallton, kur kam hyrë në hotelin policor me mëngë të shkurtëra.
5. U nisa ta pijë një kafe në shtëpi e të qetësohem sa nuk i mbeta ndokujt në dorë. 
Kur e hapa derën, terr, ftohtë, një paralajmërim në derë - jeni shkyçur për pesë pare. 
- Ama unë jam qyterare e ndershme. 
E kam zanat nuk e çoj zemërimin në zemër, prandaj nuk e çova mendjen tek serbët në Veri të cilët kurrë nuk paguajnë rrymë dhe gjithmonë kanë rrymë, nga frika mos po më dalin mendtë. 
I thirra shkyçësit. 
Biseda që incizohet për përdorim të brendshëm ishte kjo:
- Pashë Zotin, mos më merrni në qafë. 
Jam vetëm, nuk kam njeri në këtë botë që mund ta kryej një punë për mua. 
Është ftohtë dhe siç ju thashë unë jam femër. 
Mos e lini një femër shqiptare në terr...
6. Erdh rryma. Unë dola nga shtëpia. 
Çka isha dehur. 
E kisha pirë një kadë verë. 
Ndoshta s'isha kthyer më në shtëpi....
Por, ndoshta ky nuk është fundi. 
7. Shkova për ta paguar dënimin për parkim në kthesë të hamamit. 
- Kur nuk të njohin - ke qejf të të njohin krejt. 
- Kur të njohin krejt - ke qejf të gjendet dikush që s'të njeh. 
U afrova ta paguaj qejfin, por s'më linte njëri. 
M'u tekë. 
Fliste më zë shumë të lartë. 
- Po të ftoj në kafe - tha. 
Ti shkruan bukur por 'të kam thënë' jo me emra, jo me emra....- bërtiste. 
- Mua më pëlqen të jem e urtë, prandaj, në
përpjekje për ta paguar dënimin e heshtur e kokëulur, arkëtarja duke e parë situatën, nxitoi shpejt...
dhe ky burri i moshuar nuk ndalej,  vazhdonte me zë të lartë...
'Mos shkruaj me emra'. 
- Dera u hap, e unë duke dalë shpejt, seç m'u duk ai zë sikur i dalë nga varret. 
8. Hyra në veturë. 
U shikova në pasqyrë. 
M'u duk vetja e qetë, e butë, e ëmbël. 
I thashë vetes: as s'je e qetë, as e butë, as e ëmbël. 
- Pse ti vetja ime më mashtron edhe mua!
9. Besoja se rreziku kaloi. 
Dhe u nisa në shtëpi. 
Në radio KFOR Leonard Cohhen i këndonte 'Pelës së munguar', me sa vijon:  
'Lutu për kaubojin,
Atij i ka ikur Pela,
Dhe ai s'do të ndalet kurrë më duke e kërkuar, derisa ta gjejë, 
Të dashurën e tij, endacaken e tij.
Por lumi është përmbysur,
Dhe rrugët janë çarë,
Dhe urat janë rrënuar,
Nga frika e humbjes së saj'.
- I lakmova Pelës. Shumë. 
O Zot, a është e mundur!  
Edhe Pela i ka punët në dashuri më mirë se unë. 
- Se më erdh inat t'ju tregoj në fillim
të tregimit, se një ditë më parë, ai djali me sytë e zi (për të cilin ju kam treguar se u dashurova në të) më tha që nuk ka mundësi të dashurohet në mua. 
- 'Të kuptoj' - ia ktheva unë, anipse nuk e kuptoja.
10. Kur hyra në shtëpi, e hoqa fustanin e zi nga trupi, i mora gërshërët, e shqyeva fustanin dhe e hodha. 
Dikund duhej të shfryhesha. 
Ishte hera e dytë që e kisha veshur. 
Nuk m'u dhimbt' asnjë trohë, më duket se ju kam treguar se mua më pëlqen shumë të hudh gjëra...
...dhe sidomos të thyej gota...
ajo krisma e xhamtë, si protestë që thyhet, tingëllon si dhimbje e ftohtë që përplaset në gur. 
Bam. 
11. Nuk u mërzita që përvoja ime ishte e mundimshme, por u mërzita që rrëfimet e mia të dashurisë ishin qesharake. 
P.S. 
ZHAK PREVER:
Ah, Barbara!
Të kujtohet? Atë ditë binte shi litar mbi fytyrën tënde!
- BARBARA:
Ah, po, Zhak. Dhe, shiu ma prishi frizurën dhe buzëkuqi u shpërnda në
fytyrën time, si gjak!
- ZHAK PREVER:
Shi binte edhe mbi anije, Barbara!
- BARBARA:
Po, po, mbi gjithçka binte shi, veç
mbi ty nuk binte shi atë natë në
Brest, derisa ti me çadër në dorë e analizoje shiun që na lante pa pra. 
(Shi binte edhe mbi përkthimin tim. 
Shiu e lante shiun, përveç poetin. 
Prandaj, mbas kaq shumë vitesh shiu e lau nga dashuria edhe këtë poezi, e lau aq shumë, derisa e bëri parodi)

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco