Një ASK pa Milan Radoiçiq është esenca e ndryshimeve me të kaluarën

Një ASK pa Milan Radoiçiq është esenca e ndryshimeve me të kaluarën

Nga Dren Dushi - 09/11/2023

Dy grupacionet dominuese të politikës së Kosovës këto dy dekadat e fundit, janë të përcaktuara fuqishëm nga financimet e dy fondeve të famshme; fondit “3%” dhe fondit “Vendlindja  Thërret”. Ata që morrën nën kontroll fondin “3%”, i cili u bë i mundshëm nga besimi që populli  kishte te Presidenti Rugova, pas shfaqjes së UÇK-së dhe fondit “Vendlindja Thërret”, në formë klandestine nga ish Kryeministri Bukoshi dhe nga Ministri i tij Isa Mustafa, u vunë në dispozicion të grupit politik majtist të LPK-së, të cilët kishin plane shtet-kapëse pas çlirimit të Kosovës.

Duket se edhe koalicionet që dominuan Kosovën e këtyre dy dekadave të fundit, përfshirë Kuvendin e famshëm të LDK-së dhe fluturimit të karigeve, u përcaktuan nga të përbashkëtat e këtyre dy grupacioneve të përcaktuara nga fondet e përmendura. Këto fonde, këtyre dy
grupacioneve që kapën LDK-në dhe PDK-në, ju mundësuan një përparësi të konsiderueshme në  suksesin politik të Kosovës së pas-luftës, ata ishin një hap para me blerje e themelim mediash, biznesesh të mëdha, investimesh kapitale, konkurrim për të bërë privatizime, privatizim të bizneseve kryesore si; nafta, duhani, importi, e deri te kapja dhe kontrolli i ndërmarrjeve të mëdha publike të cilat akoma nuk po mund të dalin nga kriza, siç është edhe Trepça (e grevave të fundit) që ka më shumë administratë (të përcaktuar nga sistemi klientelist i punësimit të kaluar) se minatorë. 

Kosova nuk do mund të hetoj e merret pa frikë e presione, me këto dy grupime politike, të cilat për të kapur shtetin, nuk përdorën vetëm parat e fondeve në fjalë, por edhe kapacitetet për të shkaktuar frikë, dhunë, kuptohet, pa lënë kurrë trag, apo përgjegjësi. Kështu ndodhi me qindra vrasje (shumë prej të cilave politike) në fillim të pas-luftës, për të vazhduar me vetëm (vet)vrasje sporadike më vonë, kryesisht të atyre që ju dilnin në rrugë.

Nuk do mund të kishte një skemë të tillë, me një gjyqsor normal, andaj grupacionet u siguruan ta de-normalizonin gjyqsorin, duke futur njerëzit e tyre në Këshill Prokurorial, Gjyqsor, për të krijuar kështu një anemi të gjatë e parazite në drejtësinë e Kosovës, e cila sot ka ngreh krye dhe po e lufton Presidenten Osmani, që fitoi zgjedhjet edhe duke përmendur Vettingun, ndër tjerash. Madje edhe këto kohë, nuk do mungonte edhe kërcënim/frikësimi (në tentativë meqë Presidenten për sa e njoh unë nuk mund ta frikësosh) në adresë të saj, në kontestin e zgjedhjes së kreut të KP-së. 

Në këtë rrethanë të krijuar nga këto dy grupacione, u gjend mirë edhe një grupacion tjetër, ai i Milan Radoiçiq. Në një vend ku nuk ka sundim ligji, nuk mund të kërkosh sundim ligji në një pjesë të kontestuar, siç ishte Veriu i Kosovës ku ligjin e bënte Radoiçiq dhe Veselinoviq. 
Natyrisht, meqë Kosova vuri standarde të shtet-kapjes, korrupsionit, frikësimit të prokurorëve që deshën të sfidojnë rendin, frikësimin (herë-herë vrasjen) e gazetarëve, dhe vrasjen e politikanëve, u bë e mundshme edhe një bashkëjetesë ndër-etnike, bazuar në këto “vlera”, dikush do vriste politikanë serbë, dikush politikanë shqiptarë, sipas “nevojës”.

Milan Radoiçiq që kontrollonte veriun, klandestinin, mund të pasuronte disa shqiptarë brenda muajit, teksa Lista Serbe, një organizatë që për konsideratat e mia është kriminale, do garantonte funksionimin e qeverive të cilat anipse vjedhnin zgjedhjet, nuk mund të qeverisnin
pa mbështetjen e tyre. Dikush i priste në Kuvend me orë të tëra.

Kështu Kosova hyri në një cikël që zgjati rreth një dekadë, pra që nga marrëveshja e parë për Asociacionin e Komunave serbe, e cila ra në kundërshtim me Pakon Ahtisari (pra ata që nënshkruan ASK-në 2013-15, u dakorduan që të hapnin pakon e Ahtisarit), deri më sot, kur nën presionin e luftës në Evropë, Kosova dhe Serbia po duhen të përfundojnë marrëveshjen e cila të paktën pengon eskalime të mëtutjeshme në veri.

Por çfarë ndodhi?

Një rezistencë e pa parë ndonjëherë nga diplomacia e Kosovës, përfshirë të gjithë krerët e shtetit të Kosovës, meqë për herë të parë, në lidershipin e Kosovës nuk kishte njerëz me dosje serioze (meqë dosje për gaz-sjellës në Kuvend mund të kenë), të tilla si proklamimet e
shërbimeve të NATO-s, apo shteteve tjera mike të Kosovës, ku ish liderët e Kosovës lidheshin me grupe kriminale që merreshin me të gjitha të zezat. 

Rezistenca diplomatike e Kosovës e vitit 2022-23 mund të mbahet në mend të historisë tonë shtetore, pse jo edhe kombtare, meqë, ndonëse morrëm edhe sanksione, rrezikuam zgjedhje e ndëshkime të ndryshme, nuk dorëzuam shtetin në duart e një organizate terroriste të udhëhequr nga Milan Radoiçiq, i cili donte të bëhej kreu i një Srbska Republike të dytë në Ballkan, për të vazhduar bizneset e tij kriminale midis serbëve dhe shqiptarëve.

Kjo rezistencë, solli përfundimisht shpartallimin e defaktorizimin e Milan Radoiçiq (dhe kompanisë së tij terroriste) në Kosovë, pas ngjarjeve në Banjskë, ku Policia jonë profesionale e evropiane, kreu një mision të përmasave filmike. Ky mision tregoi dy gjëra; se Kosova nuk heziton të përballet me rrezikun që vjen nga Serbia, se kemi burra e gra që nuk hezitojnë të japin jetën për këtë vend, dhe se ne nuk jemi terroristë, hakmarrës, se kursejmë civilët, objektet e kultit, madje edhe se jemi tolerantë dhe nuk godasim armikun pa-mëshirshëm kur ai fillon të tërhiqet e ikë.

Po përmend këto gjëra meqë kjo është esenca e një teme e cila sot dominon opinionin publik të Kosovës, si do të jetë Asociacioni i dakorduar në Bruksel? 

Epo fillimisht, duhet sqaruar se përse kishim rrezikun e madh, rezistencën dhe hezitimin? E përgjigjia e kësaj pyetje është sepse kishim një Asociacion të brumosur, ku në kontroll të tij do të ishin faktorë si Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq, nuk janë më. Dallimi esencial e një Asociacioni të ri të serbëve të Kosovës, përveç shtesave “sipas modeleve evropiane” dhe garancës së SHBA-ve se draft-statuti i ri për AKS është krejtësisht i nënshtruar ndaj Kushtetutës së Kosovës, është edhe fakti se këtë herë, me apo pa AKS-në, Kosova nuk do të ketë Milan Radoiçiqin dhe Zvonko Velesinoviqin për ta qëndisur nga brenda AKS-në.

Pavarësisht gjithë këtyre, në një vend demokratik, ku Kushtetuta është akti më i lartë juridik, mbetet të flasë edhe Gjykata Kushtetuese, e cila në të kaluarën shpesh ka folur në mënyra shumë të diskutueshme dhe paradoksale, sidomos në interpretimet e saja për format se si
duhen zgjedhur institucionet pas zgjedhjeve, interpretime të cilat do t’i sjellin probleme në të ardhmen vendit. Në rastin e interpretimit për draft-statutin, sigurisht që do merren parasysh ligjet e Kosovës, meqë çdo ikje nga kjo, e vë në pozitë të vështirë edhe demokracinë
perëndimore.

Viti 2024 duhet ta gjej Kosovën pa sanksione nga BE, me një pozicion të përshpejtuar integrimi, me një normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, me investime të reja dhe përdorim të mirë të këtij 3.3 miliardëshi i cili duhet të vihet në fokus të mbajtjes së rinisë brenda, dhe me një Asociacion pa Milan Radoiçiqin, e të nënshtruar ndaj Kushtetutës së Kosovës. Kjo është rruga e vetme, të tjerat janë thjeshtë taktizime dhe luftë makabre politike siç dinë të bëjnë grupet e përfolura në këtë shkrim. 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco