Tre mesazhet e Ramës dhe fantazma McGonigal që po i prish qëndrimin në New York

Tre mesazhet e Ramës dhe fantazma McGonigal që po i prish qëndrimin në New York

Nga Agim Nesho - 13/09/2023

I. Mesazhi i parë i Ramës është vlerësimi që ai i bën “diplomacisë Shqiptare që po arrin suksese dhe maja të reja”. Në fakt Rama, si mjeshtër i mekanizmit të propagandës që mban regjimin, i fsheh opinionit publik se qenia anëtar i Këshillit të Sigurimit është një detyrë që çdo shtet anëtar i OKB-së duhet të bëjë për vetveten dhe organizatën. Këtë retorikë për Këshillin e Sigurimit dhe pothuaj të njëjtën axhendë kishte bërë edhe Gaboni, i cili po shërben në Këshillin e Sigurimit në të njëjtën periudhë si Shqipëria. Në tetor 2022, delegacioni i Gabonit kishte presidencën e Këshillit të Sigurimit dhe përgatiti një debat të nivelit të lartë ku ministria e jashtme lajmëron se do ta drejtonte Presidenti Ali Bongo i Gabonit. Si në rastin e Ramës, takimi do të ishte në nivelin e ministrave të jashtëm. Por si Bongo i Gabonit ashtu edhe Rama i Shqipërisë mendonin se janë të aftë të luanin rolin e liderëve botërorë. Pavarësisht se Bongo e vlerësonte qenien e Gabonit në Këshillin e Sigurimit si një arritje historike, ai nuk e gëzoi deri në fund për arsye të një grushti shteti ndaj dinastisë së tij që kishte dekada në pushtet dhe opinioni publik mendonte që zgjedhjet manipuloheshin dhe institucionet ishin të palegjitimuara.

Megjithatë është për t’u përmendur arritja që Rama e kuptoi se çfarë rëndësie ka Organizata e Kombeve të Bashkuara pas 10 viteve në pushtet, kur në vizitën e tij të parë u mor me aktorët e Hollivudit, të cilët do t’i ftonte kur Ai të bënte Shqipërinë. Euforia e tij për rolin e tij të padiskutueshëm (Ramës) duket se po zbehet edhe nga Presidenti Shqiptar i OSBE-së, Osmani, i cili po tregon më substancë.

II. Porosia e Ramës për takimin Kurti-Vuçiç ishte qesharake për të besuar atë që Vuçiç me qesëndi e quan ‘lider global’. Rama u provua që nuk ka asnjë influencë në institucionet e Kosovës dhe tek kryeministri Kurti, por edhe te Vuçiç, që e ka përdorur për të zbatuar projektet ruso-serbe në Ballkan. Pasi u bë leckë si zëdhënës i Vuçiç për të bindur Bashkimin Europian që mos t’i bënte presion Serbisë për t’i vënë sanksione Rusisë, iku me vrap nga Ballkani i Hapur - vepra e tij diplomatike me Vuçiç - kur kuptoi me vonesë (ose dikush e ka lajmëruar) se lidhjet e Serbisë me Rusinë janë shumë të thella dhe mund ta mbysin dhe atë vetë. Këshilla e Ramës për të dy vendet është bërë sikur ishte një deklaratë e Presidentit Amerikan dhe jo një të përdoruri si argat, që donte ta bënte Shqipërinë pjesë të Jugosllavisë së re për të qetësuar ambiciet nacionaliste të Beogradit.

III. Mesazhi për minoritetet dhe shuplaka për Greqinë ishte mesazhi i një kryeministri, i cili dëshpërimisht kërkon të gjejë një marrëveshje sa më të shpejtë me Greqinë. Për Ramën ishte e papranueshme që Greqia qëndroi në parim për rastin ‘Beleri’. Ai ishte i bindur që me ‘llafe’ ai i kishte dhënë shumë Greqisë duke shkelur edhe Kushtetutën për ndarjen e detit. Të paktën ata duhet ta linin të bënte ‘ç’të donte’ me pronat në bregdet. Shumë shqiptarë të mençur më thanë: - Mirë ua bëri grekëve se i gënjeu, i talli, ju tha që nuk ma firmos Presidenti Meta, etj. etj. Në fakt Rama u tremb nga çfarë ju kishte premtuar, por grekët i besuan premtimeve dhe e lanë Ramën që të shkatërrojë demokracinë në Shqipëri pa thënë asnjë fjalë. Qëndrimi ‘arrogant’ i Ramës nuk tregon forcë por është pjesë e një negocimi që Rama kërkon ta bëjë me aktorë të tjerë.

Të tre mesazhet e Ramës nuk ishin gjë tjetër veçse shprehje e ankthit të tij për situatën e krijuar nga çështja korruptive McGonigal. McGonigal po i del si fantazmë, prej të cilit as vëllai Alex nuk mund ta shpëtojë. Në lojë është krenaria amerikane që një gangster ballkanik kërkon ta sfidojë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco