'Rruga e Re' e LDK-së!

'Rruga e Re' e LDK-së!

Nga Zejnullah Jakupi - 09/09/2023

„Rruga e Re“ e proklamuar është një „Kampfwort“ (në gjermanisht do të thotë: fjalë me kuptim luftarak). Në fakt është slogan i vjetër. Kuptimi i fjalës ose shprehjes është shumë koncize, me të cilën mund të zhvillohet debat shoqëror ose politik. Po pse "Rruga Re" dhe PSE nuk është botuar s´paku në faqen zyrtare të uebfaqes së partisë, kjo mbetet PIKËPYETJA e madhe? Botimi në uebfaqe të partisë, e plotë si platformë, do të mund të lexohej dhe studjohej prej secilit, por kështu, e pa botuar, për shumicën që nuk ka qasje të drejtpërdrejt, duket si një fantazmë. A është Rruga e Re një proklamim, për ecjen drejt qorrsokakut, ose siç tham më lartë, një fjalë nxitëse- nga e cila na del në pah- kamuflimi, nxitja e stërkeqjes në një Rrugë të Re!!!

Cfarë simbolizon Rruga e Re? Një rrugë e re në kuptimin jofizik- iluzionist, gjithmonë është një rrugë e projektur në imagjinatën parasëgjithash, e kryetarit dhe partisë, i cili me gjasë, shtegun- rrugën e kosideron si një ecje e drejtë, ecje në rrugën e re- dhe „jashta normave të Polis-it“, na apelon të besojmë që ajo do të jetë ri-rreshtimi i ri ideologjik, një rebelim individualist kundër normave të dikurshme të partisë. Fushëbeteja e tij nuk drejtohet vetëm kundër Polis-it Rugovist, por edhe kundër kundërshtarëve politik- pra kundër qeverijses së Albin Kurtit.

Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku vizionin e tij të Rrugës së Re e sheh „për shërimin e polarizimit shoqëror që sipas tij, sepse ky polarizim e „ka ngufatur vendin (…) tash e sa kohë“. Thua se Albin Kurti po e lufton shtetin dhe themelet e tija dhe se e ka kthyer Republikën në një shtetet dikatatorial dhe Lumiri tani me Rrugën e Re po „projekton rikthimin në fundamentet shtetare të Republikës - ato të lirisë e jo frikës, demokracisë e jo persekutimit, integrimit euroatlantik e jo izolimit“. 

Drafti i Rrugës së Re, si e potencuam më lartë, është botuar në letër dhe sipas kryetarit të Partisë i ka 30 kapituj, por nuk është botuar në uebfaqen e LDK-së. Është e qartë se bërja e rrugës së re apelon për një koncept të ri politik konvencional. Kontradikta qëndron në thelb të këtij mesazhi, sepse koncepti i saj ideologjik egzsiton dhe është bymosur me vizionarin e saj, të presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. E pse vallë tani ky proklamim? A duhet që gjithmonë ta themi se ecja duhet të bëhet në rrugën e vjetër të presidentit historik. Pse duhet të jetë rruga e re mbase asgjë nuk ka ndryshuar në rreshtimin e saj ideologjik?

Gjithsesi proklamimi i „Rrugës“ përmban edhe kontradikta tjera objektive. Kontradiktore është gjithsesi „qëllimi i ecjes“. A është më e rëndësishme ecja si synim apo objektivi- rruga si objekt rrethanor? Motoja e rrugës së re duket shumë demode, sepse rruga është ose mbetet rrugë dhe nuk sjell rezultatet nëse ai që ecë asaj rruge nuk punon si duhet, nëse ripërsëritet dhe propagandon duke aluduar se po e bënë shpikjen e shekullit. 

Lumiri sërish po e vë thekësin te ideologjia duke e harruar se kufiri mes të djathtës dhe të majtës gati është shkrirë. Kështu ka deklaruar tash e shumë kohë përpara, A. Giddens, sociologu i School of Economics and Political Science në Londër.  

Votuesi dhe opinioni i gjerë në Kosovë pret që Lumir Abdixhiku të na tregojë më shumë për ekonominë. Të na tregojë gjithashtu se „Rruga e Tretë“ është më e mirë se "Rruga e Re", sepse kjo e para, në kuptimin ideologjik, i ka shkrirë gati dallimet. Ecja në Rrugën e Re është simbolike dhe nuk identifikohet me realitetin. LDK-ja, parasëgjithash ka nevojë për byrokratizëm të Maks Weberit dhe për një protestanizëm vendor që disciplinon shpirtin e hutuar të njeriut tonë dhe më pak ka nevojë për mesazhe simbolike. 

LDK-ja ka nevojë gjithashtu për shkundje dhe reflektim, ka nevojë për ringjallje. Ajo ka nevojë për GUXIM, siç e patë bërë dikur Vjosa Osmani, Donika Gervalla në radhët e tyre, e shumë të tjerë pas tyre. Një ´legjendë´ një shpirtë protestues kundër nëpërkëmbjes, kulturës së robit e sfidoi Albin Kurti, Vjosa Osmani, duke u rebeluar, duke mos u pajtuar me kulturën e robit dhe të nënshtruarit, kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, kundër bandave në veri dhe gjithkund tjetër, kundër bosnjëzimit të Kosovës dhe stërkeqjen e strukturave institucionale shtetërore. Prandaj ata u sfiduan për ta tejkaluar veteveten. 

Lansimi i Rrugës së Re duket si kampanjë elektorale por pa një përkushtim dhe pa përfshirë gjithë strukturën e partisë dhe në këtë rast kjo përfshirje vështirë se do t´i elektrizojë masat- elektoratin e gjithëmbarshëm. Prandaj duhet thënë se kryetari i LDK-së duhet të ketë principe, duhet të jetë i përkushtuar dhe rebelues për të arritur qëllimin final, si u dëshmua në rastin e Albin Kurtit.

Lumir Abdixhikut, me sa duket, nuk do t´i shkojë mirë parulla e sajuar për disa arsye. E para, nuk i ka njerëzit për rreth për të ecur në rrugën e re. E Dyta, rrugëtimi ideologjik është vetëm frazë. Te gjithe e duan kapitalin, sistemin kapitalist ose gjysmë-kapitalist me fytyrë dhe pamje sociale. E Treta, Lumir Abdixhiku duhet te mësohet të ecë rrugës së vjetër me mendësinë e themeltarit të saj, Dr. Ibrahim Rugova.

Kampanjat e tilla si dikur "Shteti Shtet", "LIDHJA" etj, nuk e ndihmuan LDK-në që të mos bie edhe më poshtë në votim nga qytetarët. Kryetari, si duket, nuk është në gjendje që t´i edukojë njerëzit- përkrahësitë e tij, që t´i shpie drejtë asaj rruge të re të konstruktuar. ´Xhemati´ i tij është ai i grindavecave e gjysmë akademik, për nga struktura, që fraksionet i zgidh me përjashtim të anëtarëve apo edhe me „rrahje me karrige“, siç u dëshmua gjatë gjithë këtyre viteve të kalauara. 

GUXIMIN politik e kanë dëshmuar, gjatë gjithë kohës, sa kanë qëndruar dhe po qëndrojnë në opozitë, duke u fshehur pas PDK-së dhe AAK-së rivale, prandaj as nuk e bëjnë opozitën si duhet duke ofruar zgjidhje alternative për ta sfiduar qeverisjen e Albin Kurtit.

Lumir Abdixhiku dhe Rruga e tij e Re mbetet me gjasë një frazë boshe. Sepse Lumiri nuk është i sinqertë. Në shumë vendime të mira dhe të drejta, Lumir Abdixhiku duhet ta duartrokas Albin Kurtin, pse jo edhe propozimeve nga opozitarët tjerë, kur e kanë mirë dhe, nuk duhet ta kundërshtojë aty ku e ka mirë Albin Kurti. Nëse kryeministri Kurti e ka keq, atëherë LDK duhet bëjë opozitën si duhet, të ofrojë zgjidhje alternative. Ajo duhet të dal me propozime konkrete dhe ta sfidojë qeverisjen e Albin Kurtit. LDK-ja duhet të jetë serioze dhe jo të dirigjohet nga PDK dhe ta emitoj atë duke u ndikuar nga prapaskenat e saja, të cilat kanë qenë një taktikë e keqe e LDK-së, në të kaluarën dhe që e kanë sjellur LDK-në në këtë deregje.

Rruga e Re mund të ketë kuptim kur je i përgatitur dhe i përkushtuar që të besh politikën opozitare dhe me këtë të arrish t´i fitosh zgjedhjet e ardhshme. Mund të bësh opozitë të suksesshme edhe pa këto sllogane, pa këto parulla impozante.
"Rruga e Re" ka gjasë të dështoi sikur dikur LIDHJA, sepse nuk mundi t´ua lidhë kryet problemeve që akoma si shoqëri nuk po kemi mundësi t´i zgjidhim tash e 24 vite rrjesht. Reformat në arsim, në drejtësi, ekonomi dhe në kulturë mbeten në mes të rrugës dhe për këtë LDK e ka një pjesë bukur të madhe të fajit.  

Njerëzit në Kosovë kanë nevojë të ecin rrugëve të Kosovës me bindje dhe të sigurtë. Nuk na duhet ecja si torzo mbi rrugën e shtruar dhe pa koncept, në rrugën e re e pa krye. LDK-së i duhet një reflektim i ri, një përafrim i Rugovizmit, pa iluzione e mesazhe marketingu. LDK-së i duhet një strategji e cila e ndihmon ate që të gjendet zgjidhja, ato që Albin Kurti, sic po thotë kryetari Lumir Abdixhiku, nuk po mund t´i zgjidh!?

Rruga e Re nuk dëshiron ta ndryshojë status quon e arritur tash e sa vite. Rruga e Re duhet ta bëjë Kosovën atraktive për investime dhe për kthimin e Trurit. Duhet ta bëjë atë valide, të kapshme për njeriun modern me Sigurime Shëndetësore, me rritje të pensioneve dhe rritje të mirëqenies, të gjithmbarshme.

"Rruga e RE" nuk është shkopi magjik që do t´i zgjidh problemet, siç proklamohet. Sllogani nuk e avancon LDK- në, por vetëm e bënë qesharak në sytë e opinionit publik.

Nuk është e rëndësishmja ecja në „rrugën e re“ apo të "vjetër“, por puna dhe përkushtimi, sepse mjaft kemi ecuar dhe jemi mashtruar duke ecur.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco