‘Një princi nuk i mungojnë kurrë arsyet legjitime të thyejë një premtim’

‘Një princi nuk i mungojnë kurrë arsyet legjitime të thyejë një premtim’

Nga Sonila Meço - 07/09/2023

Me filozofinë e kësaj shprehjeje të Makiavelit, tek Princi i tij është ushqyer me lugë gjithnjë e më të mëdha oreksi i pushtetit me çdo kusht, i qëllimit që justifikon çdo lloj mjeti. Madje edhe e kundërta ka shërbyer gjithaq, përdor mjetet legjitime për qëllimin më të keq, pushtet absolut.

Këtu jemi katandisur, në ripërsëritjen me dramatike të historisë sonë politike, ku rotacioni nuk ekziston më, sepse mekanizmi garantues është bërë skrap nga qëllimi diabolik i NJËSHIT. Por edhe më rëndë, jo vetëm mos të funksionojë më rotacioni, por edhe në ndodhtë që një dhemb ingranazhi pa dashje, krejt rastësisht, pa asnjë logjikë inxhinierike të mundësojë rotacion, ai mos ndodhë se s’ka kush ta marrë pushtetin. Opozitës i hynë me kuç e me McGonigal, me maç e me lobistë, parà, shantazhe e fabrikime sa e bënë copë. Aq copë sa nuk i besonin më as vetes, gjer në paranojë se kush tradhëtonte brenda saj. Aq e fortë tymnaja, sa edhe kush shpëtonte prej saj e dilte në dritë, duke dashur të dëshmojë rikthimin e kthjellimit bëhej me gisht nga bloza në fytyrë.

Erdh momenti për shumë arsye, rrethana, që u nda qartë kush doli nga ajo katrahurë e kush mbeti. Të dalët nga beteja e rëndë opozitare ende janë duke u përpjekur të pastrojnë nga trupi tymin, që nuk e krijuan vetë, po kërkojnë njëri-tjetrin në një akt mëse normal, ku negociata, arti i së mundurës, agresiviteti i armikut të përbashkët dhe ambicia për rikthim si alternative konkuruese e fituese janë përbërës mëse normalë të politikës. Edhe në demokraci të kultivuara. Ndryshimin tek to e bëjnë institucionet, që nuk rreshtohen gjunjë-përkulur ndaj pushtetit dhe Njëshit për të shmangur kësisoj çdo oreks, ambicje, ethe, diabolizëm e epsh për pushtet nga politikanë të thyeshëm moralisht prej karakteresh të dobëta a të ndyra.

Ajo që i ndodhi opozitës në këto tre vite është tragjike për shoqërinë. Ajo tymnajë e llahtarshme krijoi çarje të forta e mosbesim të egër, ama politika kurrë nuk rresht në procesin e saj natyral për të prodhuar zgjidhje. Sapo është kryer akti më i paperceptueshëm deri dje i gjetjes së një vendi në të njëjtën tryezë, me të njëjtin qëllim i deputetëve demokratë. A ka hipokrizi?

Po kjo është mëse normale, aty ka edhe pendesë, ende frikë, paranojë, ka inat të pazbutur, mëri të pa sheshuara, por ndryshe nga dje kur çdo iskër zjarri mbahej brenda saj nga benzina e sponsorizuar prej pushtetit, tani palët po nisin të shohin në sy njëri-tjetrin me zhbërjen dalëngadalë të flakëve e tymit bashkë me to.

Gazmend Bardhi fitoi një betejë me Lulzim Bashën. Duke dëshmuar se është shumicë brenda pakicës së dikurshme dhe duke u shfaqur si alternativë e konsoliduar për garat e mëtejshme në PD.

Basha mbeti me 9 deputetë, një tkurrje e frikshme e politikanit të vetzgjedhur, që atú ka luftën brenda llojit dhe jo atë ndaj regjimit.

Tashmë, plaga e përçarjes ka nisur të rekuperojë pas mahisjes. Çdo presion i atypëratyshëm ndaj opozitës për përgjigje mbi çdo tezë të së ardhmes e lëndon atë ‘kore’ fillestare, që nuk lejon më gjakderdhjen.

Koha dëshmoi se në PD nuk ka më një NJËSH absolut, se kush tenton të blihet nga pushteti duhet të llogarisë vetminë e pritshme, kush ka ambicje, guxim dhe është i përgatitur arrin të imponohet, kush mendon se është i pasfidueshëm detyrohet një ditë të ulet në negociatë e kompromis për të ndarë pushtet e ide. Kush merr vendime pa forume, mbetet pa to. Ata që mendojnë se kanë monopolin në parti ushqejnë iluzion se vijnë në pushtet pa integruar edhe të tjerët. Pra frika e madhe se ç’ndodh nëse zihen e përçahen nesër e ka përgjigjen: e patë ç’ndodh! Se e panë pa u bashkuan, me a pa hipokrizi.

Më gjeni një parti edhe në demokraci të konsoliduara ku bashkimi edhe pse vullnetar nuk mbahet sa nga dëshira, sa nga qëllimi për pushtet, ideologjia për reforma, por edhe nga frika, hipokrizia e kulisa brenda llojit. T’i kërkosh tani përgjigje shteruese opozitës së dalë nga një masakër e pangjashme sulmi përçarës është kaq nazike, idealiste, naive në rastin më të mirë, aq e rrezikshme, që e bërë edhe me presion të egër t’i krijojë sërish pushtetit aktual të vetmen shpresë për të barabitur Enver Hoxhën në vite qeverisjeje: përçarjen e opozitës.

Dhe diçka e fundit: Jo, tashmë nuk ngjajnë njëlloj partia e pushtetit me atë të opozitës. Mos e teproni me këto barazlargime sterile, që më shumë dëshmojnë frikën se guximin për të thënë gjërat troç!

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco