Bërllok, skandale dhe mjerim

Bërllok, skandale dhe mjerim

Nga Zejnullah Jakupi - 01/09/2023

Duke udhëtuar me autobus nga Ulqini drejt Prishtinës, në doganën e Kosovës, doganieri i kërkon vozitësit të autobusit uj për të pirë. Ky (shoferi) në shenjë respekti dhe duke dëgjuar urdhërin e doganierit „kapadai“ ja dha dy shishe uj, isha ulur në ulësen e parë pas vozitësit. E pashë me sytë e mi. I thash shoferit se doganieri nuk guxon të kërkojë uj, sepse ju jeni vetëm një vozitës i autobusit privat që barte udhëtarët dhe nuk jeni në shërbim të doganierit. 

Doganieri i Kosovës (nuk e kisha parë ndonjëherë një gjest të tillë), e „detyroi“ ose e luti vozitësin që t´jepte uji. Dhe vozitësi ja dha dy shishe. Po me çfarë të drejte? Zyrtari shtetëror duhet të ketë uji- furnizim nga shteti dhe jo të bëhet lypës- hajn, të korruptohet. Shteti është më i fortë se individi. Zyrtari doganor duhet të jetë zyrtar shtetëror që nuk guxon të lëshohet në sjellje të tilla që e dëmtojnë imazhin e shtetit. Po pse e bëri, nuk e di? Ndoshta me qëllim që të tregojë se kjo qeveri është si ato më përpara. Nuk e di. Ose aq ka ditur, ashtu edhe ka vepruar. Jam i sigurt që, jo vetëm ai, por, as ata që e kanë punësuar nuk e dijnë teorinë e sistemeve sociale të Talcott Parsons e as të Max Weber-it. Ky doganieri, me sjellen që bëri e tregoi se nuk ishte zyrtar i shkolluar. Por, ishte më shumë, të themi, një „zyrtar“ i punësuar sipas bindjeve militariste partiake. Nuk e di se gjatë cilës qeveri është punësuar? Por, gjithsesi për këtë sjellje deviante duhet mbahet përgjegjëse Dogana e Kosovës.

Kjo sjellje e shumëtuar sado që na duket si humane, e izoluar (hajt se su bë nami, është eshtuar erifi!!!), ajo e tregon fytyrën e zbehtë të shtetit dhe zyrtarit të saj. Fakti se jemi kapadai, vrehet kudo. Prandaj, mund të jetë që opozita e pushteteve të më parshme duhet ketë qenë fajtore pse kemi akoma njerëz (nënpunës), zyrtarë, profesorë, docent etj në pozita, në të cilat ata me sjelljet e tyre joprofesionale, natyrisht, e dëmtojnë funksionimin e shtetit dhe institucioneve të tij. Ata e shfrytëzojnë pozitën zyrtare për hesapet e tyre personale dhe famljare, shoqërore (për çështje miqësie). 

Ne si popull (apo komb), sido që ta thuash, kemi shumë zbrazëti. Kemi shumë defekte shoqërore. Defekte kemi edhe në ndëmarrje, në punë ku punojmë. Udhëtimi me autobus. Asnjë prej tyre nuk ka WC- mini tualet. Ndalimi për të pushuar dhe për t´i kryer nevojat fiziologjike, bëhet vetëm në vendet e caktuar 2- ose 3 herë për 6 orë udhëtim. Sa për info: WC-ja është fytyra e Restorantit, e ndërmarrjes, e pishinës etj. Disa pronarë nuk i vizitojnë as nuk i pastrojnë ato, nuk i mirëmbajnë as nuk investojnë në to. As shitësit në Markete nuk i kotrollojmë produktet e skaduara. Të shpeshta janë helmimet nga ushqimi. E vrejta edhe në Ulqinë një kulturë të tillë papastërtie. Bërllok deri në fyt. U binda se ku vegjetojnë – ku bëjnë pushim shqiptarët ka shumë bërllok. Pramendo Ulqini vend turistik e nuk kishte WC publike (e kam fjalën për „Plazhin e Vogël“. Pllazhi i Madh është më mirë, por kudo në qytetet ka vende të mjera, pa investime, të mbushura me mbeturina.

Sa për ta dokumentuar e fotografova WC-në publike në Pllazhin e Vogël dhe, me dyshime, po guxoj t´a nxjerrë një foto këtu se ju trishtoj. Me gjithë dëshirë do ja dërgoja kryetarit të Komunës së Ulqinit i cili me sa dihet është shqiptar. Ne (shqiptarët) nuk i vrejmë detajet. Thash me vete, po emisioni propagandist i Blendi Fevziut për Ulqinin, si ishte e mundur vallë që ky tipi nuk i kishte parë vallë ato, - gazetari më i mirë i trojeve shqiptare? Po them se i ka munguar shkolla e gjermanisë. Gjermanët i duan shumë detajet. Detajet janë të rëndësishme, sepse aty e sheh bërllokun dhe jo vetëm anët e mira të qytetit. Prandaj e them se gazetarët e mirë dhe profesionist shohin më shumë shëmti, sesa mrekullira.

Papastërti morale dhe fizike kemi sa të duash. Rrena dhe dallavere po ashtu. Skandale, poshtërësi po se po. E kur jemi te bërlloku, të tillë, edhe në Kosovë ka sa të duash. Jemi popull me kulturë bërlloku. Me këtë vlerë mund të konkurojmë me cilindo shtet në BE dhe rajon. A gojën e kemi përplotë glamurë dhe reklama, me bërje qefi, me salltanate e idiotësira tjera, sa të duash- po ashtu. Por jo me vlera. Jo me detaje, me ruajtje sekretesh shtetërore, private e intime, me mbrotje të nderit dhe respektit. Por me sharje, fyerje dhe kërcënime, siç ishte ky i z. F. Klinaku ndaj kryeministrit Albin Kurti- e kjo është padyshim vepër penale edhe pse disa e cilësojnë (S. Lushtaku) si mendim. Po, për këtë mendim (kërcënim, kanosje verbale) një mërgimtar u dënua nga gjykata me burgim i cili pastaj ju zëvendësua me 2000 euro pagesë detyruese. E akuzojnë Albin Kurtin pse kemi ardhur në këtë gjendje, por që ai nuk është fajtori. Kërkesa që tani të bëhet Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe është vulosur në vitin 2013, por bazën e ka në Planin e Decentralizimit (Plani Marti Ahtisaari). Bosnizimi i Kosovës vetëm se ka ndodhur. Këtë mund ta vërtetosh nëse kërkon në google komunat me shumicë serbe, siç janë; Parteshi, Graçanica etj. Aty në hartë të këtyre venbanimeve i ke emërtimet në gjuhën serbe. Edhe në Kushtetutë të Republikës së Kosovës të gjitha nacionalitetet janë të barabartë, në përdorimin e simboleve kombëtare, gjuhës etj, dhe tani me formimin e asociacionit Komunat me Shumicë Serbe bëhen entitet (shih eksterritorialitetin e Kishës Serbe në Kosovë), sikur ai në Bosnje ose mund ta deklarojnë shkëputjen ose do ta kenë vetëqeverisjen e pavarur nga strukturat qendrore shtetërore. Me sa dihet Albin Kurti ka qenë kritikuesi më i madh i Planit të Marti Ahtisaarit.  

E kur jemi tek shantazhi, kërcënimi, fyerja; a e patë se çfarë i bëmë Rita Orës?

Edhe nëse e ka përqafuar flamurin serb (pa qëllim, mund të mos e ketë dalluar nga flamuri hungarez), të një fansi në koncert, rastësisht, nuk u bë nami. Artisti, artistja duhet të jetë i/e hapur dhe zemërgjerë. Rita është vlerë ndërkombëtare e kalon kufinjt kombëtar. Për fat, ajo është e jona. Ajo është artiste. Është brumi ynë. Është krenaria jonë. Ajo na ka bërë të famshëm. Duhet ta ruajmë, ta respektojmë se është e jona. Rita Ora është e Kosovës - e gjithë Shqiptarisë mbarë.

Bërllok e bëm. E, bërllok dhe amoralizma kemi mjaft. Ku mbeti kodi civil, pse nuk e miratojmë?! A është edhe ky kushti për integrim në BE? A mund të integrohemi në BE pa e miratur? Gjithsesi JO. 

Deri tani nuk është fituar beteja për ta ofruar Republikën e Kosovës ndaj BE-së, ose për ta shpejtuar integrimin në BE. Siç u tha nga takimi në Bled të Sllovenisë, një vend i Ballkanit do jetë anëtarë, gjegjësisht do të fitojë statutin e kandidatit potencial kur ai është afër vlerave të BE-së. Vlerat Evropiane do të thotë, shteti të funksionojë si një sistem byrokratik në aspektin pozitiv, të jetë neutral, të mos privatizohet nga individët, për ta kthyer ate në shërbim të tyre. Plotësimi i kushtit për hapjen e negociatave me BE-në nuk është vetëm dialogu me Serbinë edhe pse është i rëndësishëm. Një shtet ku ka respektim të drejtave, nacionale, politike, religjioze, qytetare, të drejtave individuale të njeriut, ai është shtet i të së drejtës. 

Duke lexuar një artikull në K2.0 kuptova se sa larg jemi me plotësimin e këtyre kushteve. Jeta jonë private është e pavlerë e pambrojtur. Sfera intime, private nuk mbrohet fare (shih artikullin). Në Kosovë, një x njeri (dashnor) apo ish- i fejuari ose ish-burri frikëson ish-gruan ose dashnoren etj, se do t’ia publikojë fotografitë e videot intime, që ia ka bërë asaj sa kanë qenë bashkë, shpesh pa dijeninë dhe pëlqimin e saj. Mund të ketë edhe abuzim nga gruaja ndaj burrit. Shtetet e BE-së, veçmas po marrë shembull këtu Gjermaninë dhe legjislacionin gjerman i cili nuk lejon gjëra të tilla. Në gjermanisht thuhet: „Das Recht am eigenen Bild“- E drejta për fotografinë (pamjen) personale. Pra, nuk lejohet që kjo e drejtë individuale, intime, personale që të shkilet, të botohet fotografia ose video e as të keqpërdoret nga askush, as nga mediet. Kjo e drejtë mbrohet me ligj. Ai që e shkel e merr dënimin, me burg ose mund edhe t´i bëhet zëvendësimi me para, sipas vendimit të gjyqit.

Shoqëria si kjo në Kosovë është sikur sjellja e doganierit me shoferin e autobusit, ose sikur hudhja e bërllokut kudo. „Unë jam doganier- jam zyrtar i shtetit dhe unë kam të drejtë të të urdhëroj të më japish edhe gjera private, uji, cigare, të holla etj etj. Unë e bëj bërllok, e nuk më ha fare palla!!! Ose unë jam gazetar, guxoj të botojë, të manipuloj, të nxis dhunë, konflikt, urrjetje, të dëmtoj biznesin, jetën e dikujt në media dhe rrjete sociale dhe nuk jap llogari, se jam gazetar. Nuk është legjitime dhe e drejtë. Kjo sjellje është kundërligjore dhe e dënueshme.

Ky, burri i të së ëmës, qoftë gazetar, apo person natyror, ose juridik (si abuzues) terrorizon gruan, ish dashnoren, edhe pse edhe ajo është motra e dikujt etj., e konsideron si pronë të vet dhe shteti nuk reagon sepse shteti dhe gjithë shoqëria funksionon sikur zyrtari doganor. Unë jam shtet, unë jam ligj, unë të rrahi dhe nuk të lë të nxjerrish zë prej goje.
Unë të dhunoj, unë të poshtroj dhe ti nuk mund të mbrohesh. E për çka është shteti, e për çka shërben ligji dhe drejtësia? A e kemi thënë, a e kemi shkruar e kodifikuar në legjislacion se Dinjiteti, Vyrtyti i njeriut është i paprekshëm!
Viktimat, kryesisht gra, thuhet në këtë artikull, kanë provuar gjithfarë metode për ta ndaluar abuzuesin, përfshirë kërkimin e ndihmës nga policia — por të gjitha përpjekjet kanë qenë të pasuksesshme. 

Në artikull thuhet tutje se abuzuesit veprojnë kështu: Abuzuesit i përdorin pamjet private e intime të grave, si karrem, provojnë të kontrollojnë jetët e viktimave. Ata shfrytëzojnë posedimin e pamjeve për ta detyruar viktimën për favore seksuale, për ta ngacmuar, poshtëruar, izoluar apo eksploatuar financiarisht.

Një shtet si Kosova që pretendon të integrohet në BE nuk ka dhënë akoma një përgjigje në këtë çështje. Në fakt, është e tërë shoqëria një teren i minuar që nuk lejon që të mbrohet liria individuale, sfera private dhe ajo intime.  Abuzuesi përhap pamjet private intime të partneres së tij, kur të doj, pa miratimin e viktimës- palës së dëmtuar. Pastaj as media nuk e ruan të drejtën e viktimës që të mos i botohen pamjet pa pëlqimin- aprovimin e saj, të tij. 

Ato, ata, ripublikojnë fotografitë, pamjet filmike intime duke shumësuar ato në hapësirën online. Të tillat janë kampanja urrejtjeje e përçmimi ndaj viktimave dhe askush nuk ndërmerr asgjë, pra as policia, sepse viktimat nuk i paraqesin rastet e abuzimit në polici, sepse frikësohen nga ndëshkimi i abuzueseve por edhe nga frika se nuk do kenë mbështetje familjare. Por ka edhe neglizhencë nga policia edhe kur denoncohen rastet e tilla, sepse „policia nuk e ruan konfidencialitetin e viktimës“, (…).

„Raportimi në polici veç ka hapur një vend të ri për tallje e përçmim për viktimat“, thuhet në artukull. „Paragjykimi, mungesa e konfidencialitetit, stigmatizimi dhe fajësimi i viktimave nga policia renditen si disa prej sfidave që ndikojnë në rënien e raportimit të dhunës, në raportin e realizuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, ku në mënyrë kritike shqyrtohet reagimi i policisë.“

Policia e Kosovës nuk ka dhënë përgjigje lidhur me procedurat që ndjekin kur përballen me një rast të abuzimit seksual përmes pamjeve, ka thekësuar artikulli në fjalë. Pra abuzimi seksual përmes shpërndarjes së pamjeve nuk është i kodifikuar në legjislacionin e Kosovës, pra, as në kodin penal dhe, përhapja e pamjeve filmike intime numrohet vetëm si „shantazh“, „ngacmim“ e të tillat nuk kuptohen si formë e dhunës seksuale.

Çka tregon kjo? Ky është pra mentaliteti ynë bashibozuk. E njëjta ndodh përditë edhe sa i përketë të drejtës së gazetarëve apo njerëzve privat që bëjnë fotografime, video nga brendësia e restoranteve, hoteleve, bizneseve por edhe ndaj institucioneve dhe i shpërndajnë pa leje në opinionin publik. Është neglizhenca jonë, është regjiditeti, mospërfillja, idiotësia, kokëfortësia dhe çka tjetër jo. Pse nuk merremi me gjëra të tilla, pse nuk na interesojnë detajet? Pse nuk i bindemi ligjit? Të drejtës për ta çmuar dhe respektuar tjetrin si veten tonë! Ne nuk i duam vogëlsirat. Ne nuk i duam të sinqertët. Ne nuk e duam drejtësinë. Jemi popull i (pa) kulturuar. Jemi popull me kulturë bërlloku. Kemi mbetur mbrapa- edhe për fajin tonë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco