Vuçiçomania e Perëndimit

Vuçiçomania e Perëndimit

Nga Islam Lauka - 20/08/2023

Presidenti serb, A. Vuçiçi, në mënyrë të përsëritur, deklaron se nuk i njeh vendimet e SHBA-së për shpalljen “non grata” të bashkëpunëtorëve të tij si, kreu i shërbimeve inteligjente, A. Vulin, ose të miqve të tij në Srbska Republika, si M. Dotik dhe se do t’i mbështesë dhe do të bashkëpunojë me ta.

Megjithatë, Uashingtoni i thotë: ti je partneri ynë i preferuar! Në Shqipëri, amerikanët kanë një standard krejt tjetër-Uashingtoni distancohet prerë nga të gjithë ata që guxojnë të mbështesin “non gratën” S. Berisha.

Është po ky Vuçiç që refuzon të nënshkruajë marrëveshjen e Brukselit e të Ohrit, që kërcënon fqinjët me ndërhyrje ushtarake, që nxit serbët për dhunë në veri të Kosovës, që tash e 12 vjet minon procesin e dialogut me Prishtinën zyrtare.

Megjithatë, Brukseli i thotë: ti je partneri ynë i preferuar! Lidhur me Kosovën, euroburokratët kanë një standard krejt tjetër: sanksione ndaj përpjekjeve të saj për t’u mbrojtur nga dhuna e ekstremistëve serbë.

Të bën përshtypje fakti që servilët shqiptarë të Uashingtonit e të Brukselit, këtej e përtej Drinit, i thonë të njëjtën gjë Vuçiçit: ti je partneri ynë i preferuar!

Vuçiçomania e Perëndimit, duket se ka në bazë interesat e tij të tanishme, gjeopolitike, të keqperceptuara.

Po vuçiçomania e servilëve shqiptarë si shpjegohet, kur dihet mirë që kjo qasje është në kundërshtim me interesat tona shtetërore e kombëtare? Duket, ajo ka në bazë vetëm një dëshirë: ruajtjen e statusit të tyre të përjetshëm si sahanlëpirës të perëndimorëve.
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco