Trokitjet bethoveniane njëzetekatër vjet më parë

Trokitjet bethoveniane njëzetekatër vjet më parë

Nga Bajram Mjeku - 25/02/2023

Në mëngjesin e hershëm të 25 shkurtit të vitit ‘99, ditën kur Grupi negociator kthehej nga Konferenca e Rambouillets, në derën e banesës dëgjova katër trokitje. Ishin të njohura për mua dhe moti i quaja trokitje bethoveniane! Sapo hapa derën, përballë meje u shfaq nana, e cila me buzëqeshje të rënduar më tha:

- Erdha të të bëhem edhe një barrë më shumë!
Ishte larguar nga flakët e luftës dhe sapo u ulëm, më foli për ofensivën e forcave serbe në rajonin e Ortakollit.

- Do të vriten shumë njerëz dhe pak shtëpi do të mbetet mbi themele, - tha ajo gjithë trishtim.

Profecia e saj brenda pak ditësh, doli të jetë e saktë. U vranë shumë civil shqiptarë dhe pak shtëpi mbetën mbi themele...

Takimi me nanën për shkak të luftës ishte i munguar për disa muaj dhe asnjëherë më shumë në jetën time si atë ditë nuk kam ndier nevojë të isha afër saj, por duhej të nisja edhe një ditë pune të mundimshme në Qendrën për Informim të Kosovës, aty ku sot është Shtëpia e Pavarësisë.

Nga Kodra e Diellit zbritja me hapa të rëndë. Përtej Prishtinës, dëgjoheshin granatat e tankeve serbe kundër fshatrave shqiptare përreth maleve të Qyqavicës.

Pranova obligimet e punëve pasi mbasdite, Grupi negociator pritej të kthehej nga Konferenca e Rambouillets në Aeroportin e Prishtinës. Shkova për ritualin e kafesë së mëngjesit në sallën e konferencave për shtyp. Isha në tension dhe njëfarë boshllëku kishte kohë që kishte bërë vend në qenien time. Të përpunoje çdo ditë dhjetëra informata për vrasje, rrëmbime dhe masakra kundër shqiptarëve të pafajshëm, ishte sfidë e rëndë. Pasi në sallën e konferencave mbretëronte një heshtje mbytëse, mora kafenë dhe dola jashtë për të ndezur një cigare. Granatimet e tankeve serbe nga larg dëgjoheshin edhe më shumë...

* * *

Në Aeroportin e Prishtinës, mbërrijtëm disa minuta para se të ateronte delegacioni kosovar me avionin ushtarak të forcave ajrore franceze.

Atë mbasdite, nisi të bie shi i rrëmbyeshëm përzier me borë…

Avioni ushtarak francez me uturimë mbytëse, më në fund ateroi mbi pistë. Anëtarët e delegacionit kosovar vonuan të zbritnin për shkak të procedurave të sigurisë, derisa anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së nisën të sistemohen në xhipat portokalli të Misionit Verifikues të OSBE-së. Pasi u pajisën me armë të shkurtëra, pjesëtarët e UÇK-së u nisën drejt fshatit Kleçkë, derisa pjesa tjetër e delegacionit dhe presidenti Rugova dolën nga porta e Aeroportit. I mërzitur dhe pa dëshirë për të folur, presidenti Rugova u tha shkurt gazetarëve:

- Bisedimet ishin shumë të rëndësishme për Kosovën. Ato kanë rëndësi të madhe politike, globale dhe ushtarake…

Vargani i veturave u nis për në Prishtinë dhe bashkë me terrin, shiu binte edhe më stuhishëm përzier me borë.
Sapo dolëm në magjistrale, një kolonë e gjatë e tankeve serbe, shkonte drejt Rrafshit të Dukagjinit.
Nuk dëshiroj të flas për cenet e një pjese të delegacionit kosovar dhe "legjendat" urbane që kanë ndodhur midis tyre brenda mureve të kështjellës mesjetare, por midis Konferencës së Rambouillets dhe asaj të Parisit, e cila ndodhi dy javë më vonë, forcat serbe vranë dhe masakruan mbi 600 civil shqiptarë…

Edhe mbas 24 vitesh, beteja politike midis Kosovës dhe Serbinë nuk ka përfunduar. Deri të hënën që vjen, na ndajnë vetëm edhe pak orë nga takimi Kurti-Vuqiç në Bruksel. Të shohim a është fundi i konfliktit qindvjeçar, apo fillimi i një drame që nuk i dihet fundi?! Fjala e popullit, është fjala e Zotit dhe nuk thuhet kot: Kush mbjell rrezikun, edhe do ta korrë...

(Pamje nga konferenca për shtyp në selinë e LDK-së në janar të vitit '99 e ambasadorit amerikan dhe emisarit për Kosovën Christopher Hill, tash ambasador i SHBA-ve në Beograd).
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco