Mes ikjes e izolimit - Kosova feston një dekadë e gjysmë shtet

Mes ikjes e izolimit - Kosova feston një dekadë e gjysmë shtet

Nga Astrit Veliqi - 17/02/2023

Kosova sot feston 15-vjetorin e Pavarësisë, një ditë kjo e cila u kurorëzua pas një sakrifice të madhe historike ndër breza.

Por vula e gjithë këtij rrugëtimi të pashembullt për ta përjetësuar lirinë e ka pushka e Adem Jasharit dhe lufta heroike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ndihmuar nga aleatët perëndimor dhe bombat e NATO-s.

E sot kur shteti ynë po feston Ditën e Pavarësisë, çdo qytetar i vendit, i ri e plak do të duhej të ndihej krenar me jehonën festive e cila u brymos nga gjaku dhe gjymtyrët e shumë dëshmorëve dhe martirëve të lirisë.

Por si e gjeti Kosovën përvjetori i pavarësisë, apo një dekadë e gjysmë shtet?

Me pak fjalë, në një gjendje jo të mirë, mes ikjes dhe izolimit, me shumë sfida e pengesa drejt rrugëtimit të saj si shtet, nisur nga ato të brendshme, sikur janë kriza e madhe ekonomike ku qytetarët pas rritjes bazike të çmimeve po përballen me varfëri çdo ditë, ku një pjesë e madhe e tyre menzi po e kalojnë muajin.

E shto kësaj edhe ikjes masive të qytetarëve, duke ikur nga vendi të cilit përkundër entuziazmit për festën i ka humbur shpresa, një shpresë për jetën e të ardhmen e saj.

Derisa në sferën e jashtme, shteti ka ngecur shumë në integrimin e tij, duke nis faktin që përkundër 15 viteve shtet, ende kemi mbetur të izoluar, i vetmi vend në Evropë që duhet pajisur me vizë për të udhëtuar drejt aspiratës tonë evropiane.

15 vitet shtetësi por vendi ka mbetur në një 'geto ballkanike', derisa paradoks i kësaj është ikja masive e qytetarëve të cilët duke u zhgënjyer nga përspektiva e vendit, janë sy e vesh nga bota e perëndimit. 

Pamje e dhimbshme kjo në shikim të parë, por pritjet e qytetarëve për ndryshim kanë qenë të mëdha, derisa përkundër mburrjes qeveritare, realiteti tregon një tablo tjetër, atë të pashpresës, varfërisë e pasigurisë për të ardhmen në shtetin e ëndrrave shekullore.

Sfidë tjetër e madhe e vendit, në këtë rrugëtim mbetet edhe marrëveshja finale me Serbinë, ku apetitet ruso-serbe për territore janë rritur edhe me shumë që pas agresionit në Ukrainë.

Kosova e Serbia si vende fqinje me një të kaluar tragjike duhet domosdo të arrijnë të pajtimi, në të kundërtën gjeneratat e ardhshme nuk do të na falin për mos-arritjen e paqes dhe mirëqënien në Ballkan, ku larg qoftë në të kundërtën edhe historia mund të rikthehet e përgjakshme.

Por sot me shumë se kurrë shteti i Kosovës i cili e ka mbushur moshën e 15-të ka nevojë për vende pune, siguri, mirëqenie, në mënyrë që truri i saj rinor të mos e shohë Evropën me sy, por Kosovën ta sheh si vend të shpresës e ardhmërisë.

Por a do të ndodhë kjo, gjasat janë të vogla, megjithatë shpresa nuk vdes kurrë, ku edhe në këtë përvjetor jubilar jehona e kremtës festive bëri bashkë të vogël e të madh, prandaj vetëm të bashkuar mund të bëjmë ma të mirën për vendin tonë.

E ku fëmijët tanë do të ecin e vrapojnë pa u friguar nga askush, që e nesërmja të na gjejë ma të bashkuar e në paqe.

Kosovë...GËZUAR DITA E PAVARËSISË!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco