Përvjetori jubilar në kohën e kursimtarëve

Përvjetori jubilar në kohën e kursimtarëve

Nga Syri.net Kosova - 17/02/2023

Ky është një përvjetor jubilar, por qeveria kursimtare e Albin Kurtit nuk e ka ndarë asnjë cent për Festën e Pavarësisë. Edhe disa flamuj u vendosën në kryeqytet pak orë para së premtes nga komuna.

Figura më e lartë që po qëndron në Kosovë me 17 shkurt është Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj. Në shtetin amë, 17 shkurti është një ditë e zakonshme, edhe pse data më e rëndësishme për kombin pas 28 nëntorit.

Moti i shkëlqyer për këtë kohë dimri, i ka shtyrë kosovarët drejt bregdetit. Por, kanë mbetur këtu aq sa për ta festuar 15 vjetorin e shpalljes së Republikës. Më pak në Prishtinë e si zakonisht, më shumë në Prekaz.

Një dekadë e gjysëm më herët, temperaturat ishin të acarta, megjithatë ngrohtësia dhe gëzimi që solli pavarësia, tejkalonin gjithçka. Përpjekjet shekullore për t’u shkëputur nga Serbia, përfundimisht u finalizuan me sukses.

Si në çdo ngjarje të tillë, protagonistët mbeten në histori, mbahen mend. Kryeministri që e  lexoi deklaratën e pavarësisë, deputetët që e nënshkruan deri te krijuesi i flamurit apo kompozitori i himnit.

Ata ishin një pjesë e vogël e një armate të vendosur për ta pavarësuar shtetin. Qindra e mijëra sakrifikuan gjithçka, ranë në beteja, u dërrmuan në burgje e u rrahën në demonstrata, u zhdukën pa lënë gjurmë e u masakruan.

Ky popull e paguajti shtrenjtë lirinë dhe pavarësinë. Rrugëtimi i mundimshëm ia vlejti në fund, sepse sot jemi shtet demokratik, i njohur nga bota.

15 vjet nuk janë shumë, sidoqoftë gjëra të mira kanë ndodhur në këtë periudhë. Kosova ka dëshmuar se mund të funksionojë si shtet me një demokraci të brishtë, por funksionale. Në këtë vend mbahen zgjedhje demokratike, ndërrohen pushtetet me votë paqësisht.

Vendi ka ruajtur një rritje formale ekonomike pozitive, pavarësisht disa krizave, falë edhe infuzionit shpëtimtar nga diaspora jonë e fortë.

Minoritetet i kanë të drejtat e garantuara me ligjet dhe Kushtetutën më të favorshme në tërë Evropën e më gjerë.

Ky përvjetor e gjen Republikën në dyvjeçarin e një kursi të ri politik. Pushteti i Vetëvendosjes ka edhe dy vjet kohë për të korrigjuar degradimin e shkaktuar nga qeveritë e kaluara, ndërsa është i sfiduar në dialogun me Serbinë.

Edhe pse sa ishte në opozitë mobilizonte mijëra protestues, kryeministri Albin Kurti ka vendosur ta pranojë Asociacionin me disa kushte. Gjithashtu i ka thënë “Po” pas presionit të shtuar ndërkombëtar një plani franko-gjerman, drejt një marrëveshjeje finale me Serbinë.

Mesazhet amerikane me rastin e Festës së Pavarësisë flasin për njohjen reciproke në qendër, por në planin e përmendur, askund nuk figuron.

Gjithsesi, brenga kryesore, si rëndom në vendet e rajonit, është largimi masiv i të rinjve. Dhjetëra mijëra ua kanë mësyer vendeve të BE-së në kërkim të një jete më të mirë. Me mijëra presin në dyer te ambasadave për një vizë pune apo bashkim familjar.

Disa masa qeveritare me kosto milionëshe, nuk kanë arritur ta ngjallin shpresën që ta ndalin këtë eksod dramatik. Me pagë mesatare që mezi mbulon shpenzimet elementare në kushtet e një inflacioni që po e zhduk edhe shtresën e mesme, shumica e familjeve po mbijetojnë.

Përveç një nivelizimi dhe harmonizimi të pagave me pasoja për disa kategori, në dy vitet më kritike të Kosovës në aspektin ekonomik, rrogat nuk kanë lëvizur asnjë cent në sektorin publik, ndërsa sektori privat është edhe më keq.

Megjithatë, pushteti i Kurtit mburret me disa shifra ekonomike, që në realitet janë sinonim i skamjes.

Një mandat qeverisës duket i pamjaftueshëm që qeverisja e Vetëvendosjes të bindë për ngritjen e mirëqënies së cënuar tashmë.

Në këtë përvjetor, është e qartë se Kosovës i duhet një dinamikë e re për të lëvizur, e si rrjedhojë një ekip i ri qeverisës nëse duam të kemi hovin e munguar ekonomik dhe kthimin e shpresës sidomos te rinia që po ikën.

Por, kjo varet nga ata që e kanë besimin e votuesve aktualisht, që kanë vendosur të kursejnë fort, në ditën më të shënuar të vitit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco