Madame de Sévigné, Çetta, Tërmeti

Madame de Sévigné, Çetta, Tërmeti

Nga Eqrem Kryeziu - 14/02/2023

Njëherë m’u dha rasti ta takoja kokë më kokë Anton Çettën. Kishte ardhë në Prizren pēr një pajtim dhe kërkoi ta shoqëroja si një lider lokal që isha. E shfrytëzova rastin të shpreh mirënjohjen time për përkthimin e romanit “Vocërraku” nga Daudet. E sigurova për ndikmin e pashlyeshëm që pati në djalërinë time dhe jo vetëm. Fliste Antoni me një ligjërim aq të rrjedhshëm e të qetë sa, po të ishe i pavëmendshëm, mund të dukej se nuk po thoshte asgjë. Ishte hera e parë që më rastiste të takoj një njeri të atillë.

Nuk e kam atë libër, ndonëse më merr malli për të. Daudet merr për moto të romanit një periudhë nga Madame de Sévigné: Sa herë që kujtoj vendet ku kalova fëmijërinë, tronditem përtej arsyes. Nuk mund të garantoj se bëra një citim besnik, por jam i sigurt se fjalia kryesore është krejt e saktë: …tronditem përtej arsyes. Mikeshat dhe miqtë e mi e dinë se nuk mund të krenohem me kujtesën time, por po flasim për një libër që pati ndikuar fuqimisht tek unë. Është një lloj përjashtimi.

Shpesh e kam pyetur veten se ç’do të thotë kjo “përtej arsyes”. Ende e pyes.

Shqiptarët e Kosovës janë tunduar shpesh të tronditen përtej arsyes. Por ky është fati i secilës qenie njerëzore. Tani botën e ka pushtuar dhembja për dramën e tërmetit në Turqi e në Siri. Dëgjova se në Siri flitet: Kush shpëtoi nga tërmeti - vdiq dhe kush vdiq - shpëtoi. Në qoftë se ky njerëzim e merr këtë mesazh, atëherë viktimat, kudo qofshin, nuk kanë shkuar kot.

I lutem Zotit që t’i bëjë të denjë për ta duruar barrën e sprovës atyre që u ka rënë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco