Dalldisja shqiptare dhe një foto

Dalldisja shqiptare dhe një foto

Nga Fadil Sahiti - 10/02/2023

Jemi popull që e duam dalldisjen. Jo më kot muzika 'Tallava' i ka rrënjët tek ne!

Dalldisemi edhe për gjëra triviale, siç ndodhi se fundmi me fotografinë e I. Rugovës e varur në hollin e Parlamentit Evropian. Një shkrepje e rastësishme e dikujt dhe ne lëshojmë avull nga vetja.

Dikush e përbaltë figurën e një të vdekuri, dikush tjetër në mënyrë infantile e mbron dikë që tani është histori.

Dalldisja vërehet sidomos te 'myhibët' e LDK-së, por edhe te kampi tjetër, te 'myhibët' e VV-së.

Të dy kampet kanë vetëm një problem, si të shërojnë frustrimet e tyre, të cilat vijnë kryesisht për shkak të paaftësisë së drejtuesve të tyre për t'u marrë me problemet konkrete të vendit.

Ka një kamp tjetër, ku hyjnë politikanë dhe analistë të ngjyrave të ndryshme, të TV-së dhe FB-së.

Rugovën e quajnë 'më i madhi i shqiptarëve', ia ndërrojnë emrin nga 'Ibrahim në Brahim', madje kryetarja e shtetit, megjithëse ka dhënë një kontribut të paçmuar në kaosin politik të vendit, e krahason foton me 1000 fjalë, dhe trivialitete të ngjashme.

Vendi i shkrepjes së fotos është krejtësisht e rastit. Është marrëzi të besosh që fotografi t’i ketë thënë Zelenskit dhe ... shkoni përballë asaj fotoje, sepse vlera e fotografisë do rritet shumë, kjo për shkak të figurës së 'kryetarit legjendar'.

Ne e dimë pse fotoja është aty ku është. E dimë edhe misionin politik të Rugovës, të cilin nuk e kishte zgjedhur vet.
Ai u detyrua të drejtonte një lëvizje dhe me mjetet që kishte në dispozicion, u përpoq të mbronte popullin e tij që rrezikohej të shfarosesej. Edhe këtë e bëri mjaft mirë. Kaq. Këtu përfundon ’madhështia e tij politike’.

Ai nuk kishte ndonjë gjenialitet politik, të tipit 'know-how', apo të kishte mision politik mbrojtjen e vlerave evropiane, siç pretendohet. Shumë pak ishte politikan, por nuk ishte fare hipokrit, siç janë këta të sotshmit, që shtiren si politikanë të aftë, por me jokompetencën e tyre e kanë sjellë shtetin e Kosovës në një situatë “të jesh apo të mos jesh”.

Sipas këndvështrimit tim, ata që duan të rregullojnë 'fytyrën' e tyre përmes imazhit dhe fytyrës së I. Rugovës, apo edhe ata që bëjnë të kundërtën për të njëjtin qëllim, nuk bëjnë gjë tjetër veçse tregojnë se janë të pafytyrë dhe të paturpshëm.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco