Plani dhe çmimi i vdekjes

Plani dhe çmimi i vdekjes

Nga Daut Dauti - 07/02/2023

Janë skena të tmershme këto që i shkaktoi tërmeti në Turqi dhe Siri. Arenë e vdekjeve masive. Vdekje të vështira. Tërë familja, lagjja dhe qyteti vdesin përnjëherë. Të shtypur nga pesha qindra tonelatash të mureve dhe pllakave të betonit.  Ndoshta disa kanë vdekur lehtë duke qenë edhe në gjumë pasi që tërmeti sulmoi herët në mëngjes. Kushedi?

Në këto mendime isha dje në mëngjes kur dola nga shtëpia. Kur hyra në një pjesë të rrugës që fillon të ngushtohet në një sokak, pashë fqiun tim që vinte nga ana tjetër. Ecte ngadal dhe dukej i  lodhur kurse në dorë kishte një tubë letrash. Para se të afroheshim përballë, e përshëndeta me një ‘hello’ si zakonisht, por kësaj radhe (nuk e di pse) edhe e pyeta se si ishte me shëndet.

Ai u ndal dhe më tha:’Nuk jam mirë’. U ndala edhe unë dhe e shikova në sy. Sytë i kishte të skuqur dhe në fytyrë i shihej një lodhje e rëndë. Ai është dukshëm më i shkrurtër se unë me trup dhe ndoshta diku rreth 10 vite më i vjetër në moshë.

Pas një pauze të shikimit të shkurtër dhe të ndërsjellë, ai vazhdoi:’Nuk më ka mbetur shumë jetë. Ndoshta edhe katër apo pesë vite. Kështu më thonë mjekët’.

Unë vazhdova i befasuar ta shikoja në heshtje. Nuk ka shumë fjalë kur hapet tema e vdekjes.Ta pyesja se nga cila sëmundje lëngonte? T’i thoja se mjekët mund ta kenë gabim? Se mund të bënte më mirë… çka ti thoja? Pyetje të tepërta që mua nuk do të më sqaronin asgjë dhe nuk do t’i ndihmonin as atij.

Pastaj, ai foli sërish: ‘Isha te zyra e planifikimit të funeraleve. Ja letrat…’ dhe mi afroi t’i shihja. E lexova faqen e parë ku ishin titujt pa i vënë syzat se shkronjat ishin të mëdha dhe ‘bold’. Sërish heshta.

Ai vazhdoi:’Plani i funeralit po më kushton 5000 funta’.

‘5000 funta!? – e pyeta me habi.

‘Nuk janë shumë’ – më tha.

Pastaj u ndamë dhe i dëshirova shëndet. Nuk mund të ndjehesh indiferent kur dëgjon për vdekjen e dikujt që e njeh. Sidomos në këtë rast kur personi që pret të vdes, e planifikon funeralin e vet.

Është trimëri ta planifikosh vdekjen tënde, sidomos pjesën e ngjarjes që ndodhë me trupin tënd pas daljes së shpirtit e deri te varri apo krematoriumi. Por, si e kanë përjetuar vdekjen mijëra njerëz në Turqi e Siri, të cilët nuk kanë pasur kohë as të mendojnë për këtë gjë? Në kokë më sillen mendimet për vizitat e mia në Turqi. Askund tjetër nuk kam kaluar më mirë. Turqit e shtonin respektin ndaj meje edhe më shumë kur u tregoja se nga isha. Prandaj, është çështje natyrale të dhimbset dikush që të respekton.

Në fakt, unë fqiut tim nu kia di as emrin, sikur ai që nuk ma di mua. Por, asnjëher nuk kemi pasë të këqia nga njëri tjetri. Fëmijët e mi, por edhe gruaja, ua dinë emrat pothuaj të gjthë fqinjëve që i kemi. Unë jo. Askend nuk e njoh me emër. Me asnjerin nuk kam pasur me shumë bisedë se ‘hello’ dhe ‘how are you?’. Ndoshta edhe ndonjë fjalë më shumë, por jo biseda të gjata. Në Angli, sidomos në Londër, anglezët nuk kultivojnë fqinjësi sikur në Kosovë apo diku tjetër në botë. Nuk e preferojnë miqësinë e afërt dhe hyrje-daljet me fqinjtë. Te anglezi vlenë ajo thënia ‘shtëpia ime është kështjella ime’ (Englishman's home is his castle). Kjo ka krijuar një sovranitet dhe privatësi ndoshta të tepruar.

Sidoqoftë, është punë luksi kur vdes në qetësi dhe ke mundësi ta planifikosh vdekjen dhe funeralin. Unë për vete, nuk kam këso planesh. Tërë atë që e di dhe e dëshiroj, është se dua të varrosem aty ku kam lindur. Unë kurrë nuk kam pasur plane afatgjata në jetë. Shumica e pjesës së jetës sime ka qenë e karakterit të planit afatshkurtër ose ‘ad hoc’. Por, unë as që mendoj shumë për këtë punë se nuk e kam ndërmend të vdes së shpejti. Për vdekje gjithmonë ka kohë edhepse ajo vjen pa kohë. Por, duhet ta kemi parasyshë se vdekja  është e pabesë dhe nuk i respekton afatet.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco