“Era politike e Vuçiqit po perëndon”

“Era politike e Vuçiqit po perëndon”

Nga Enver Robelli - 28/01/2023

[Disa mendime të prof. dr. Millan Podunavac, profesor i shkencave politike në Universitetin e Beogradit dhe në Fakultetin e shkencave humane në Podgoricë. Burimi: Revista NIN, Beograd]

Pas vizitës së fundit të ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, sipas prof. dr. Millan Podunavac, “është i mposhtur, dhe i tillë dukej edhe kur iu drejtua kombit. I vetmuar, i izoluar, i humbur. Rrogëtar politik. (...) I është shembur karizma politike dhe i është shkapërderdhur titulli i liderit të bllokut politik serb radikal-nacional dhe klerikal. (...) Era politike e Vuçiqit po perëndon”.

Mbi trashëgiminë politike të Vuçiqit, Millan Podunavac thotë:

“...koha e sundimit të tij është restaurimi i regjimit të vjetër të Millosheviqit. Të njëjtit akterë (radikalët/përparimtarët (naprednjakët), jullovcët, socialistët), të njëjtat maska të karakterit (Vuçiq/Daçiq), të njëjtat teknologji politike të bazuara në miksin shpërthyes të popullizmit nacional dhe social, deinstitucionalizimit të rregullave të ligjit dhe politikës, eksplodimi i arrogancës (etja për të mbajtur pushtetin).”

“Në teorinë politike europiane që nga Montesquieu (Monteskje), ky tip i sundimit e ka vetëm një emër – despoti. (...) Parimi themelor i sundimit të tij është parimi i pushtetit arbitrar. (...) Mishërimi i tij themelor është ‘kultura e frikës’, në të cilën asgjë nuk është e sigurt, jetët tona, prona jonë, statuset tona”.

“Regjimi po e shndërron Serbinë në vatër të rezistencës kundër vlerave politike europiane. Duket e saktë dhe paralajmëruese vërejtja e (Danillo) Kishit se Serbia po aq sa i frikësohet Europës aq edhe e urren. Vlerat e demokracisë kushtetuese i kundërshton ideali organik politik në të cilin të gjithë ne, të udhëhequr nga dora e padukshme e sundimtarit, kemi vendin tonë. Miti zaptues i truallit të shenjtë (Kosova), siç na mëson (Dobrica) Qosiqi, karakterizohet nga pika thelbësore normative orientuese e sjelljes individuale dhe kolektive, ndërsa fshatarët dhe ushtarët bëhen rojtarë kryesorë të identitetit kolektiv. Koncepti radikal-përparimtar i ‘shtetit popullor’ dhe i ‘politikës popullore’ ka lindur nga kjo traditë antimoderniste. Lufta në Ukrainë dhe demonstrimi i sundimit imperial të Putinit kanë shkaktuar dezorientim shtesë të regjimit dhe kanë treguar fytyrën antieuropiane të tij”.

“Mënyra se si Millosheviqi nuk e ka kuptuar rënien e Murit të Berlinit, ashtu edhe Vuçiqi nuk po e kupton luftën që sot po zhvillohet në truallin e Europës. Ky është fati politik i sundimit të tij. Nuk e kupton se lufta po shkatërron vlerat më të thella në të cilat bazohet Europa: është armik i lirisë, shkatërron rendin, është nëna e çdo lloj tiranie. Në mënyrën siç na ka mësuar Plutarku qysh në esenë e famshme mbi Mbretin e Dytë romak Numa Pompulijusin. Të përkujtojmë se Numa Pompulijusi i ka formuar të gjitha institucionet republikane. Si ka mundur ta bëjë këtë, pyet Plutarku dhe përgjigjet: ashtu që portat e lirisë kanë qenë të hapura dyzet e tetë vjet, ndërsa portat e luftës po aq kohë të mbyllura. Andaj, militarizimi i shoqërisë serbe, demonstrimi i forcës nuk sjellin siguri, por kjo është prodhim i planifikuar i frikës”.

“Nuk është hera e parë që në historinë politike lind tipi i sundimit siç e kemi sot në Serbi. Shfaqja e ‘tiranëve të popullarizuar’ dhe e njerëzve nga margjinat e shoqërisë të cilët kapin pushtetin, ka shoqëruar historinë politike që nga kohërat më të hershme. (...) Këso lloje sundimesh shfaqen zakonisht në vende në të cilat populli nuk ka vetëdije politike, andaj politika zbret rëndom në luftën e klikave të vogla të cilat luftojnë për pushtet dhe pasuri. Shumica e popullit shkon në ushtri, paguan tatime, kujdeset që mos e kap policia, por në thelb nuk ka punë me jetën politike. Blerja dhe korruptimi i individëve me ndikim zakonisht është mënyra e vetme që i lidh me udhëheqësit. Ky është, pak a shumë, përshkrimi që do t’i përgjigjej Serbisë”.

“Korrupsioni bëhet një nga levat themelore të regjimit të vendosur. Gjithçka blihet. Njerëzit, statuset, diplomat, rekrutohet armata e atyre që njollosin, e anonimëve digjitalë, e analistëve të lirë, e burokratëve të korruptuar të Brukselit, të cilët çdo ditë punojnë në lartësimin e veprës së liderit. Njëkohësisht është në veprim depluralizimi i trevës politike, kolonizimi i hapësirës publike, përndjekja dhe vrasja e kundërshtarëve politikë, mbështetja në grupe fanash të kriminelëve të cilët kryejnë punët më të pista të pushtetit. Hapësira publike ‘pastrohet’, gjë që ua ngushton hapësirën qytetarëve brenda së cilës mund të mbrojnë liritë e tyre publike dhe politike. Njëkohësisht, krijohet sistemi paralel i kontrollit dhe ndarjes së resurseve ekonomike, mediale dhe simbolike, lind kasta e re me ‘kumbarën’ në krye i cili ndan dekorata dhe favore”.

“Vuçiq ka dërguar funksionarë të rinj të partisë për trajnim në Kinë. Jam i prirë të konstatoj se institucioni i anonimëve digjitalë pasqyron teknologjinë kineze të mbikëqyrjes dhe kontrollit të kundërshtarëve politikë. (...) Putinizmi duket se është ideali politik i Vuçiqit”.

“Partitë politike kanë pushuar të jenë prodhuese të ideve dhe gjithnjë e më shumë janë shndërruar në taraf politik që luftojnë për pushtet dhe ndikim”.

(Nga serbishtja: E.R.)

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco