Shtërpca dhe gazetaria shqipe

Shtërpca dhe gazetaria shqipe

Nga Gëzim Mekuli - 07/01/2023

Raportimi gazetaresk mbi ndodhinë tragjike e neveritëse ndaj dy qytetarëve të Kosovës, (për mua) ka shumë mëngësi profesionale. 

Në të vërtetë ky rast tragjik e i egër nuk mund të vlerësohet (vetëm) si raportim gazetaresk, sepse ky lajm ka shumë veçori të një lajmi me karakter edhe politik.

Përse e them këtë të dashur lexues? Shtrohet pyetja:
1. Cili medium e lansoj (së pari) lajmin mbi sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës?
2. "U gjuajtën nga një veturë në lëvizje". Kush është ai/ajo, apo kush janë ata, që e kanë parë se vetura ishte në lëvizje?
3. A ishte i uniformuar, pra a e kishte të veshur uniformën ushtarake i dyshuari? Përse këtu kemi zbrazëti informative?
4. Përse në lajmin gazetaresk, e nga disa analistë, u përmend me pompozitet ushtria e Kosovës, pra FSK-ja?   
5. A është rastësi apo qëllim orientimi i medias shqipe, dhe i asaj serbe, në lajmin një-etnik e në veçanti tek FSK-ja?
Të nderuar lexues,

Shtrohet pyetja, si po paraqiten pakicat, e në veçanti serbët, në mediat shqipe? 

Kohët e fundit në lajmin e mediave shqipe po shkruhet e flitet shumë, tepër shumë, për përkatësinë etnike të pakicave. Është fjala për sajimin e lajmit dhe informatës, sipas tyre, të lajmit ‘jo politik’. 

Duke parë ndërtimin e “realitetit” nga mediat tona, ne mund te bindemi dhe te kuptojmë, se dallimet në mes të varfërve dhe të pasurve, dallimet në mes të atyre me arsim të lartë dhe atyre me arsim të ulët, dallimet në mes fshatit dhe qytetit, duket sikur të mos ekzistojnë fare në Kosovë. 

Përse për gazetarët dhe gazetaret tona, biologjia dhe etniciteti është temë më me vlerë, se sa luftimi i dallimeve sociale, si dhe kritika ndaj korrupcionit e hajnisë? 

Fokusimi i njëanshëm mediatik në etni, biologji e racë, kontribuon në mosluftimin e në ngulfatje të kritikës mbi problemet e mëdha të këtijë vendi. 

Në hulimtimin tim bërë mediave të shkruara, portaleve dhe RTK-së, del se etnia serbe, në raport me numrin e popullsisë, është më e theksuara në mediat shqipe. Faktizohet dyshimi im, se në më shumë se 80% të lajmeve, raportimeve dhe të reportazheve, fotografia e serbëve të Kosovës, prezentohet në opinion si “viktimë”, e “dobët” dhe e “mjerë”. Përmes gjuhës dhe shablloneve mediatike, publiku nënkupton, se pakica serbe është në hall të madh; opinioni (keq)informohet, se pakica serbe ka trajtim e shërbime më të dobëta ekonomike e mjekësore, se sa fqnjët e tyre shqiptar. 

Përmes medias shqipe ne “kuptojmë", se serbët kanë qasje të dobët edhe në sistemin edukativ e arsimor. Sipas mediave shqipe, serbët e Kosovës paraqiten në hapsirën tonë publike, si kolektivitet i “dhunuar”, i «terrorizuar» dhe i “harruar” nga shumica shqiptare në Republikën e Kosovës. Mediat, pak dhe imtësisht, paraqesin pjestarët e pakicës serbe si shkelës të lirisë, si dhunues, si terroristë apo si delikuent.

Përse ky marifet anarkist i mediave shqipe? 

Agjendat poltike “nuk lejojnë” mediat që të fokusohen në pabarazinë në mes të të pasurve dhe të varfërve në Kosovë. Mediat më shumë fokusohen në varfërinë me tipare një-etnike e biologjike. Dhe, ky raportim mediatik është duke u perforcuar në menyrë sistematike. 

Përqëndrimi dhe përkufizimi i mediave shqipe në një racë e në një komb, dhe jo në individ e shtresa sociale (pa dallim gjinie, moshe, e përkatësie kombëtare) na çon atje ku ne me sa pakut e duam: Këta gazetarë e gazetare anarkiste po na imponojnë një debat të shtrembër e të çoroditur publik; debat që është antipod i kulturës, traditës, mentalitetit, mikëpritjes dhe bujarisë shqiptare tradicionale. 

Përse e them këtë dhe pse mendoj kështu? 

Përqëndrimi i mediave do të duhej të fokusohej në pabarazinë e thellë sociale. Gazetarët tanë do të duhej të provokojnë debate për gërmimin dhe hulumtimin e shkaktarëve të krimit të organizuar. Këta do të duhej të fokusoheshin në ngjalljen e debatit për të përmirësuar gjendjen e mjerë të arsimit, shkencës dhe kulturës për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim; E jo në stilin e identifikimt të debatit me një pakicë kombetare. 

Fatkeqësisht, mediat më shumë janë të interesuara “t’a luftojnë diskriminimin dhe varfërinë një-etnike”; po, këto më shumë janë të interesuara për lajmin për pakicën serbe, se sa për të debatuar për defektet sociale dhe luftimin e krimit shumë-etnik. Gazetarët dhe gazetaret tona duhet të ndërprejnë mbifokusimin në lajmin një-etnik, e, të përqendrohën, më shumë, në diskriminim social shumë-etnik. 

Është edhe tjetra ajo që alarmon në këtë hulumtim: Me këtë nuk dua të them se media nuk duhet fokusuar në problemet që ka pjestari i pakicës serbe apo i tjerave etnie. Këtu është me rëndësi të kuptohet, se si të konkretizohet ky fokusim gazetaresk. 

Nëse zihen dy të rinj në një qytet apo fshat të Kosovës, prezentimi i këtij rasti në media do të dallohet, e kjo, varësisht nga përkatësia kombëtare e të involvuarve; Nëse Draganit, Zhivoradit apo Stojanit i jepet një flakaresh, atëherë ky lajm do ndërtohet e paraqitet, përafërsisht, kështu: Në artikull/lajm do të ceket, gati secilën herë, përkatësia kombëtare (serbe), emri dhe mbiemri i tij, dhe, zakonisht, ngjarjeve të tilla u ipet konotacion me prapavi nacionaliste (politike). 
Ja ca shembuj nga disa media shqipe: “ u plagosën dy serbë nga një shqiptar», "një serb u grushtua nga….”, “një shtëpi e një serbi…” “..lopa e një serbi…” “…dje pas dite është gjetur trupi i pajetë i një serbi 76-vjeçar…”, “Njė serb u gjuajt me armė zjarri duke punuar nė fushė”, “Njė serb nga veriu i Mitrovicės.. “. etj., etj. 

Përmes lajmit të tillë shqiptarët paraqiten si komb, që fare “natyrshëm, vepron në këtë mënyrë barbare”, sepse ngatërresa, dhuna dhe gjuetia në serbë është pjesë e “kulturës, mentalitetit, edukatës, politikës dhe zakonit të tyre”. Ndërsa, nëse Albani, Migjeni e Kujtimi grushtohen, për vdekje, nga qytetarë me përkatësi tjetër etnike (për shembull serbe), ky rast, të shumtën e rasteve, nuk do të prezentohet me elementin e përkatësisë etnike; këtu mediat do të raportojnë për një ndodhi e delikt të lokalizuar e me karakter individual. 

Kjo mënyrë e paraqitjes stereotipe e pakicës serbe, pavetëdishëm, paraqet dhe ndërton një opinion të gabuar në hapsirën tonë publike; Sepse çdo gjë që sillet rreth Zhivoradit, Draganit e Jovicës servohet si problematike dhe konfliktuoze për Kosovën dhe shqiptarët. Në këtë mënyrë, apriori, serbët, nga mediat shqipe, më shumë prezentohen si “problem dhe ngarkesë” e shoqerisë, se sa si një element stabiliteti, paqeje e pasuri kulturash. 

Të dashur lexues,

Nëse këta gazetarë e gazetare vazhdojnë me ndërtimin e lajmit të tillë, këta, duhet të japin llogari për krizën politike, dhe për thellimin e humnerës kulturore në mes shqiptarëve dhe serbëve. 

Dramaturgjia mediatike ka pasojat të mëdha në objektivitetin dhe pasqyrimin e realitetit. E në këtë pjesë të Ballkanit, kjo dramaturgji mediatike ka pasoja akoma më të mëdha.

E pra, janë (pa)kryeredaktorët ata që duhet të marrin më shumë përgjegjësi në parandalimin e mbjelljes së frikës dhe panikut përmes “lajmit një-etnik”.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco