Unë grua jam

Unë grua jam

Nga Besa Ismaili - 05/01/2023
Unë grua jam.
Rehat jam.
Në paqe jam.
Shpirti im i gruas është rehat në trupin tim të gruas dhe mendjen time të gruas, në zemrën time të gruas.
Por….
Kurrë në jetë nuk e kam parë veten vetëm si “grua” e të them unë tash mendoj si grua, ha e pi si grua, veproj si grua. I plotësoj kriteret, pritshmëritë, i bie tamam kallëpit social “grua”. Kurrë.
{[Po ju kallxoj veç juve në vesh se bash merak e kam pas gjithnjë, biles fort edhe më kanë shkuar për doresh me prishë kallëpe(stereotipe)]}
Kush dhe kur e ka bërë atë rrethin/standardin se qysh është një grua. Çka e bën një grua, grua të mirë? të keqe? grua të fortë? të dobët? grua të rëndomtë? të jashtëzakonshme? Moderne? Demode? Çka hajt çka? Kush???
S’po flas për gratë që rrethi iu është ardh deri te fyti dhe e festojnë si xherdan. Ato s’janë në kandarin tim fare! Por po pyes kush është gruaja e sotme që ka mbizotëruar rrethin e vet të sotëm, dmth e menaxhon atë dhe ama nuk mjaftohet, dhe kërkon të jetojë pak më gjerë sesa brenda rrethit të së sotmes, të jetoj pak edhe të djeshmen dhe edhe më shumë në të ardhmen, të vizatojë vet rrathët si ajo do dhe si asaj i duhet? Porsi ai njeriu i mençur që vendos një gur që peshon pastaj mbi të bën hapin dhe e merr gurin tjetër dhe vendos hapin tjetër tutje, dhe prap e prap kësisoj për të kaluar këtë “lumin” jetë ?
Ku e kërkon dhe ku e gjen ajo sot frymëzimin, çka i jep forcë për të çarë rrathët? Ato rrathët të cilat një ditë do t’i braktisë të tërë e të shkoj tek Zoti i saj, i Pakufishmi, iPafillim, i PaMbarim?
Unë kurrë nuk e kam shikuar vetën si njëra apo tjetra gjë, kështu apo ashtu, asishne a kësishne.
Unë më së pari dhe mbi gjithçka e dua Zotin tim, pastaj e dua veten time të plotë dhe të përsosur, dhe NUK e copëtoj dot në copa e pjesë a shtresë, tërësinë time, qenien time të përsosur - njeri.
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco