Fotografia e 'Kosovës 2022': Barrikada, vrasje të grave, inflacion rekord!

Fotografia e 'Kosovës 2022': Barrikada, vrasje të grave, inflacion rekord!

Nga Astrit Veliqi - 31/12/2022

Viti 2022 që shumë shpejt do ta lëmë pas, nuk do të harrohet lehtë as për shtetin tonë i cili në vitin që po vjen do ta festoj datëlindjen e 15-të të tij.

15 vite si moshë organike e njerëzore i bie të ajo e moshës fëmijërore, ose siç njihet ndryshe mosha e tinejxherëve.

Prandaj nëse flasim me gjuhën e 'metaforës', i bie që shteti i Kosovës ende është i ri, për të mos thënë 'tinejxher'.

Por në realitet 15 vite shtet ose një dekadë e gjysmë janë bukur shumë për rrugëtimin e një shteti të ri, i cili çlirimin e ka fituar tash e 24 vite.

Por rruga e Kosovës edhe pas kaq vitesh po sfidohet jashtëzakonisht shumë, si në territor, sovranitet ashtu edhe në subjektivitetin e saj ndërkombëtar.

Prandaj edhe ky vit, si kudo tjetër, pas agresionit rus mbi Ukrainën edhe shtetin tonë, jo vetëm e ka sfiduar, por edhe e ka 'zbehur' si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik, të integrimit, mirëqenies, shëndetit, arsimit e drejtësisë.

E që bilanci i gjithë këtij rrugëtimi do të portretizohej me supersfidën e dialogut me fqinjin tonë verior Serbinë, i cili sa bën hapa para kthehet në pikën zero.

Sikurse do të mbahet mend veriu dhe barrikadimi i tij nga bandat kriminale serbo-ruse, të cilat me metodat e vjetra shoveniste të bllokimit të rrugëve të dirigjuara nga Beogradi po tregojnë fytyrën e tyre kriminale e fazhiste.

E pikërisht kjo pjesë e veriut, po e sfidon seriozisht shtetin e Kosovës ku që nga paslufta ka mbetur si një 'bombë e kurdisur', që tash së fundi, pothuajse serbët braktisën institucionet qëndrore e lokale, duke zgjedhur si front të tyre rrugën, maskat dhe terrin.

Prandaj 2022-ta do të kujtohet si vit i barrikadave, bandave kriminale serbe, shok-bombave, madje edhe sulmeve ndaj policëve dhe qytetarëve të pambrojtur.

Kurse në planin politik, vendi po udhëhiqet nga një shumicë parlamentare, me kryemistër Albin Kurtin për qeverisjen e tij normalisht pritjet e qytetarëve kanë qenë të mëdha.

Por përkundër portretizimit të qeverisjes me duar të pastra e pa korrupsion, edhe ky pushtet i 'shpresës' është sfiduar nga nepotizmi, militantizmi sikurse edhe nga politizimi i skajshëm i administratës shtetërore, bordeve dhe kompanive publike.

Ekzekutivi ka ndarë disa herë mjete financiare në vlera monetare për kategori të rrezikuara të shoqërisë, për përballimin e krizës ekonomike, që ky vit pamedyshje e ka thyer rekordin e inflacionit.

Nomalisht vitin që do ta lëmë pas do të kujtohet si viti i krizave të jashtëzakonshme ekonomike, duke përjetuar rritjen enorme të artikujve bazik për jetën e kosovarëve.

Nuk duhet harruar edhe 'telenovelën me vizat', e cila ka vazhduar edhe sivjet, por që si lajm i mirë konsiderohet deri tani, drita jeshile e këtij procesi maratonik ku kosovarët do të mund të lëvizin lirshëm vetëm në filimin e 2024-trës.

Në politikën e jashtme, Kosova ka stagnuar në shumë procese, ku sidomos njohjet e reja të vendit janë harruar fare, sikurse ka vazhduar avazi i vjetër i politizimit të skajshëm të korit diplomatik kudo në botë.

Ky vit po përmbyllet edhe me gjendjen më të keqe në shëndetësi ku tash së fundi është rikthyer një ministër që s'është karakterizuar për lavde të mira në përiudhën më kritike të Covid-19.

Sikurse edhe si viti i dhunës rekord në familje, ku sidomos vrasjet e grave nga burrat e tyre e kanë tronditur shtetin e brishtë të Kosovës, duke u bërë shpesh edhe si kryelajm në mediat botërore.

Krejt në fund, ky vit do të mbahet mend edhe për polarizimin e skajshëm të 'kauzave' shpesh jetike për kosovarët, ku deputetët e mazhorancës me arrogancën e numrave shpesh janë 'tallur' përballë atyre të opozitës, një opozitë e rrjeteve sociale, krejt e pafuqishme përballë një shumice në shumë raste pa objektivitet.

E Viti i Ri që po vjen, do të jetë vendimtar për shumë procese, sikurse është finalja me Serbinë, por natyrisht do të na presin edhe shumë sfida, por domosdo edhe vendime të paparashikueshme.

Për fund...Shëndet e Gëzuar 2023!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco