'Fotografia e Botës' që do të kujtohet në vitin 2022

'Fotografia e Botës' që do të kujtohet në vitin 2022

Nga Astrit Veliqi - 30/12/2022

Arritëm në fundin e vitit kalendarik 2022. 

Pak orë na ndajnë kur do të troket në kalendarin festiv, Viti i Ri kalendarik, 2023.

Por si mund të karakterizohet viti 2022 që po lëmë pas me pak fjalë?

Pa mëdyshje shumë dinamik, i zhurmshëm me shumë ngjarje por edhe mjaft sfidues.

E themi vit dinamik ngase pothuaj kanë ndodhur shumë ngjarje e tragjedi që e kanë rikthyer edhe vetë planetin tonë në një shënjestër të pazakontë nga raketat ruse në Ukrainë, e deri të polarizimi i skajshëm i bombave berthamore.

Pa asnjë dilemë, viti 2022 në aspektin global ishte viti i luftës në mes Rusisë me Ukrainën por edhe me vetë Përendimin dhe NATO-n. 

Ka munguar vetëm akti i shpalljes së kësaj lufte në teori, ngase në praktikë, pothuajse ka ndodhur, duke e ditur ndihmën e madhe që vendet përendimore kanë dhënë për Ukrainën, sikurse edhe krahu tjetër lindor që ka ndihmuar rusët.

Figurativisht viti që po lëmë pas mund të etiketohet si 'vit i luftës Lindje-Përendim'.

Por viti 2022, konsiderohet edhe i mjaft i zhurmshëm dhe i pazakontë ngase kanë ndodhur mjaft ngjarje që nuk do të shlyhen lehtë nga mjegulla e historisë.

Vetëm të kujtojmë agresionin rus në Ukrainë, ku edhe sot është duke vazhduar me shumë viktima e shkatërrime brutale, e që si pasojë e tij rrjedha e historisë ka ndryshuar tejmase, duke prodhuar pasoja të paparashikueshme.

Kriza e madhe ekonomike, inflacioni rekord në të gjitha aspektet jetësore, duke nisur nga energjia, derivatet, ngritja e produkteve elementare jetësore e të tjera kanë bërë që ky vit të mbahet mend si viti i krizave dhe rrezikut të madh gjeo-politik.

Përveç të tjerave, ky vit u sfidua edhe nga lufta me pandeminë globale, Covid 19, krizat dhe ngjarjet e paprecedenta me produktet jetësore sikur ishte gruri, mielli, vaji, sheqeri e të tjera.

Po ashtu 2022-ta do të mbahet mend edhe për shumë fatkeqësi natyrore e tërmete shkatërruese, shira të rrëmbyeshme, stuhi të jashtëzakonshme e uragane të shumta, por edhe nga ngricat e acaret e borës që i freskët është ai që ndodhi në disa shtete të SHBA-ve.

E përveç të tjerave, viti që po lëmë pas, do të kujtohet edhe si viti i ngjarjeve të mëdha sikur ishte ai i Botërorit në futboll 'Katar 2022' ku përjetuam një adrenalinë të paparë e që kampion Bote u shpall Argjentina, derisa kryelajm i planetit u bë legjenda e futbollit, Lionel Messi.

Ky vit do të mbahet mend edhe për ikjen e monarkes së botës, Mbretëreshës Elizabeta II, e cila me udhëheqjen e saj prej shumë vitesh vulosi epokën e saj historike.

Derisa krejt në fund të vitit që po lëmë pas iki nga kjo botë edhe legjenda e futbollit, apo sikur është quajtur për së gjalli mbreti i futbollit, braziliani Edson Arantes do Nascimento, i njohur si Pele.

Ai me lojën e tij, dhe talentin e tij të jashtëzakonshëm shkruajti historinë në fushën e blertë, duke u kurorëzuar si 'Mbreti i Futbollit'.

Kjo pak a shumë në pika të shkurta do të ishte fotografia që e karakterizoi vitin 2022 në planetin e quajtur Tokë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco