Idiotizmi i injorancës juridike

Idiotizmi i injorancës juridike

Nga Sami Kurteshi - 29/12/2022

A janë KGJK dhe KPK pjesë e krimit të organizuar institucional?

Të deklarosh „Rikujtojmë kryeministrin se gjyqtarët janë dhe duhet të jenë të pavarur gjatë ushtrimit të detyrave të tyre kushtetuese dhe ligjore, ndërsa tendencat për ndërhyrje janë të papranueshme dhe si të tilla i dënojmë fuqishëm.“ (KGJK), në njërën anë, vërteton atë që është botërisht e ditur për varësinë shqetësuese të KGJK dhe gjyqtarë/eve individualë nga ndërhyrjet e jashtme politike, ekonomike, mafioze në punën dhe vendimmarrjen e tyre.

Në anën tjetër, kjo dëshmon të kundërtën e thelbit të deklaratës, se vetëm Kryeministri dhe kabineti i tij nuk kanë ndërhyrë dhe nuk ndërhyjnë në punën e gjyqësorit, edhe pse pikërisht e kërkon KGJK në deklaratë.
Ky është ndryshimi pardigmatik i 14 Shkurtit 2021.

Ky ndryshim, që një kryeministër dhe qeveri të mos ndërhyjnë kurrë, në asnjë rast dhe për asnjë çmim, në pavarësinë funksionale të sistemit të drejtësisë, i ka çorientuar totalisht KGJK dhe KPK dhe shumë gjyqtarë individualë, përjashto rastet e gjykatësve dhe prokurorëve profesionistë e të dinjitetshëm, që janë mësuar të marrin tekste të gatshme të aktakuzave dhe aktgjykimeve në zyrat e ndryshme të pative politike e mafiozëve. Kjo nuk ngjan më!

Çjerrja publike: “Këshilli Gjyqësor publikisht e informon kryeministrin Kurti se bazuar në Kushtetutë dhe Ligj, personi zyrtar kompetent që ka marrë këtë vendim quhet Gjyqtar i Republikës së Kosovës, vendimet e të cilit duhet të respektohen pa i komentuar, pa përjashtim, përfshirë edhe Qeverinë.“, më shumë se një dëshmi për varfëri gjuhësore kërpaçësh gjysmanalfabetë, dëshmon për shkallë jashtëzakonisht të ulët të njohurive kushtetuese e ligjore, për injorancë profesionale, idiotizëm juridik!

Shprehja “personi zyrtar kompetent që ka marrë këtë vendim quhet Gjyqtar i Republikës së Kosovës,” është analfabetizëm gjuhësor e logjik par excelance. Nuk ka njeri a person që quhet “Gjyqtar i Republikës së Kosovës”! 

Ndërsa shprehja “vendimet e të cilit duhet të respektohen pa i komentuar, pa përjashtim, përfshirë edhe Qeverinë,”është shprehje i injorancës profesionale që konsiderohet idiotizëm. Vendimet e gjykatave mund dhe duhet medoemos të komentohen e të kundërshtohen deri në ankimim, nga çdo person, përfshi edhe qeveritë. Mungesa e të drejtës për komentim, sidomos për komentim dhe ankimim, ka vetëm një emërtim - absolutizëm diktatorial. Kjo epokë ka përfunduar në Republikën e Kosovës që moti. Vetëm është për t’u habitur ku e kanë gjetur këtë shprehje idiotike gjuhësore e juridike KGJK dhe “analistët” ligjorë.

Sa për ilustrim të varësisë absolute të sistemit të drejtësisë që përfaqësojnë KGJK dhe KPK, po i sjell dy raste të freskëta të një natyre të përafërt me rastin Pantiq.

Të dënosh një aktivist politik për terrorizëm pa asnjë dëshmi dhe fakt të vetëm, të vrasësh në burg dhe pas shumë vitesh ta shpallësh të pafajshëm, Astrit Deharin, e të mos ndërmarrësh asnjë veprim për të hetuar së pari rrjedhën dhe arsyen e arrestimit e tij, këtë mund ta bëjnë vetëm kriminelët që kanë kërkuar dhe kanë liruar një terrorist shovinist serb, për të cilin ka dëshmi fizike, vizuale dhe fonike,  sic kanë vepruar prokurori e gjykatësi në rastin Pantiq mbrojtësit dhe poltronët e kriminalizuar të tyre të „pavarur“ në KGJK.

Të arrestosh e ta akuzosh për terrorizëm një mësimdhës universitar për fajin e vetëm se ka redaktuar një libër (Sadri Ramabaja), ta mbash me vite të tëra në burg, me dëshmitarë të rrejshëm si ish udhëheqësit e institucioneve shtetërore Thaçi e Veseli, e agjentë të AKI, e ta lirosh si të pafajshëm pas disa vitesh të humbura nëpër burgje, këtë e bëjnë vetëm kriminelët dhe si-kriminelët e sojit e sorollopit që fshihen nën kapelën e prokurorëve e gjykatësve që sot fshihen edhe në KGJK e në KPK.

Mjaft më!

Vetingu është tepër larg!

Shkarkim!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco