Hapësirë e gjerë për propagandën serbe në televizionin publik gjerman ARD

Hapësirë e gjerë për propagandën serbe në televizionin publik gjerman ARD

Nga Enver Robelli - 29/12/2022

Mbrëmë në emisionin qendror të lajmeve të televizionit publik gjerman ARD u emitua një kronikë mbi zhvillimet në Kosovë. Nga Mitrovica raportoi një gazetare e ARD-së.

Ajo i dha hapësirë të gjerë një personi të quajtur Radovan Gligiq, i cili u prezantua si mësues. Gligiq tha: “Jemi në barrikada sepse shteti po na keqtrajton, nuk kemi kurrfarë sigurie, policë të armatosur deri në dhëmbë dërgohen për t’iu vërsulur qytetarëve paqësorë, bashkëqytetarët tanë arrestohen arbitrarisht dhe mbahen në burgje pa mbrojtje juridike.

Duhet gjetur një zgjidhje që ne të mos jemi më keq se shqiptarët deri më 1999 në Serbi. Ata i kanë pasur të drejtat e njëjta si ne. Madje si pakicë kombëtare ata kanë pasur Akademinë e tyre të Arteve”.

Krejt kjo rrenë e madhe u emitua pa asnjë saktësim nga gazetarja. U emitua para një publiku milionësh.
Nga viti 1989 deri më 1999 shqiptarët nuk kanë pasur asnjë të drejtë në Kosovë. Pushtetin që Serbia e imponoi në Kosovë mes 1989-1999 ka qenë i ngjashëm me aparteidin jugafrikan.

Mësuesi Gligiq nga Mitrovica gënjeu kur tha se shqiptarët deri më 1999 kishin akademi. Jo, s’kishin asgjë. Të gjitha ua mori arbitrarisht shteti kriminal serb nga viti 1989 e tutje. Shqiptarët u dëbuan nga jeta publike dhe u organizuan në sistemin paralel.

Ende pa nisur lufta, nga Kosova me masa diskriminuese u dëbuan kryesisht në Europën Perëndimore rreth gjysmë milioni shqiptarë. Qindra shqiptarë u vranë. 

Në kronikën e gazetares gjermane nuk gjeti vend ASNJË zë nga pala shqiptare. Pra, plot minuta për propagandën serbe dhe asnjë mendim nga shoqëria shqiptare e Kosovës, e cila përbën mbi 90 për qind të popullsisë së Kosovës.

Fatmirësisht, pas kronikës u zhvillua një intervistë me politologun Florian Bieber nga Universiteti i Grazit, i cili tha se “në politikën e jashtme dhe në shumë çështje të tjera Kosova është shume më afër BE-së sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë, por edhe sa i përket demokracisë Kosova është shumë më demokratike se Serbia nën presidentin Vuçiq”.

E vërteta e hidhur mbetet: kronika e ARD-së ishte e nivelit të gazetarisë së praktikantëve. Ndaj Kosovës mund të bëhen këso lëshimesh, ndaj shteteve dhe shoqërive të tjera jo.

Le të më lejohet kaq jomodesti: po të mos e përmendja unë këtu këtë lëshim të televizionit gjerman, as që do të merrej vesh. Sepse opinioni shqiptar është i vetëkënaqur në beteja të vogla provinciale për interesa krejtësisht të vogla provinciale.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco