Hasimja dhe KFOR-i

Hasimja dhe KFOR-i

Nga Gurakuç Kuçi - 27/12/2022

Kjo historia e Hasimes më ngjason shumë ngjarjet e fundit me KFOR-in dhe aktorët tjerë në veri të Kosovës. Lexojeni rrëfimin për Hasimën, e vërtetë apo legjendë nuk e di as unë!

Tregohet që rreth 100 vjet më parë një grua me emrin Hasime nga Mirashi i Ferizajit kishte bërë një akt gjakmarrje për vëllezërit e saj pas tradhtisë nga burri.
Hasimes pasi i kishte vdekur babai ia kishin vrarë dy vëllezër duke e lënë pa burra shtëpinë e babës së saj. Ajo ishte e martuar në fshatin Akllap ku kishte lënë një djalë 9 vjeçar dhe ishte kthyer në shtëpinë e babait të saj. Pikëllimi e hidhërimi i saj ishin aq të thellë sa kishte shpërndarë lajmin se kush do nxjerrte hakun për vëllezërit e saj, ajo do i jepte gjithë pasurinë tek babai dhe do bëhej niçahu i tij.

Daja i Hasimes kishte hyrë dorëzanë dhe ishte martuar me Halil Begracën (Lila) nga fshati Begracë i Kaçanikut i cili edhe ishte betuar se do nxjerrte gjakun për vëllezërit e Hasimes.

Mirëpo, thuhet se Hasimja kishte pritur tri vjet dhe haku nuk ishte nxjerrë dhe përkundrazi bashkëshorti e kishte tradhtuar duke ia sjellë hasmin në shtëpi për pajtim.
Por, Hasimja nuk e pranon këtë tradhti të bashkëshortit dhe vishet me rroba burri me tirq dhe kalon nga fshati Begracë të Kacanikut të vjetër, në Gërlicë, Komogllavë, Sojevë për të arritur në Ferizaj ku edhe shkon në Mirash tek dera e hasimit. Aty pyet një plakë se ku janë burrat e cila i përgjigjet se janë në lamë. Hasimja shkon në lamë dhe takon vrasësit e vëllezërve të saj, aty ajo pasi bisedon pak me ta me dorën e majtë nxjerr kutinë e duhanit dhe me dorën e djathtë alltinë ku vret personat e quajtur Xhemë dhe Sejdi.

Pas këtij akti, Hasimja dorëzohet vetë në polici dhe nga gjykata dënohet me 15 vite burgim. Mirëpo, gjatë qëndrimit në burgun e Nishit, Hasimes i vardiset një gardian, pasi ajo pretendohet se ishte shumë e bukur, por Hasimja për këtë akt e godet me shufër metalike gardianin i cili më pas vdes dhe për këtë akt asaj i shtohen edhe 15 vite tjera burgim.
Hasimes nuk i reziston as një gardian i dytë, por ky i fundit i propozon martesë, Hasimja pasi refuzon së pari, pastaj pranon pasi i ishte ofruar liria. Hasimja pretendohet se kishte pranuar të martohet me serbin me një kusht që të mos kthehej në Kosovë pasi që nuk do ia falte toka e Kosovës këtë gabim. “Mëkatin që po bëj unë, martesën me një shka, nuk ma fal tokë e Kosovës. Prandaj, as nuk dua kurrë më këmbë e imja e ndytë të shkelë në tokën e pastër të Kosovës”, kishte thënë Hasimja.

Thuhet se në vitet 40-50, Hasimja kishte takuar dy persona nga Ferizaji në një park në Nish. Ajo iu ishte afruar atyre pasi i kishte dëgjuar tek flisnin shqip pasi i pyet nga ishin dhe ata i tregojnë se ishin nga fshatrat Zaskok dhe Pleshinë të Ferizajit. Hasimja i pyet ata se a kishin dëgjuar për Hasimen. Ata i thonë se kishin dëgjuar dhe ia dinë edhe këngën.

Duke i dëgjuar teksa këndojnë ajo fillon të qajë, ata e pyesin pse po qan dhe ajo u tregon se ajo ishte Hasimja.
Bashkëvendasit e pyesin se pse ajo nuk ishte kthyer dhe thuhet se ajo u ishte përgjigjur se “në Kosovë s’mund të kthehem kurrë, pasi kam bërë mëkatin më të madh në jetë, jam martuar me një shka”, u kish pas thënë Hasimja.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco