A ka shqiptarë në Singapor?

A ka shqiptarë në Singapor?

Nga Gani Mehmetaj - 14/12/2022

Sikurse shumica e evropianëve, edhe unë në shtegtimin tim nga Dardania në Australi u ndala në Singapor. Këtë rrugëtim e kanë bërë ndër shekuj udhëtarë e tregtarë, misionarë e shtegtarë, aventuristë e pushtues. Singapori ishte caku i parë edhe për shumë shqiptarë që u nisën drejt kontinentit të ri-Australisë, të ndjekur nga dhuna e persekutimet në vendlindjen e tyre, duke shpresuar për një jetë të re e për punë. Vendi i ishujve nuk i ndali asnjërin, por Singaporin e kam dëgjuar nga rrëfimet e peripecitë e tyre. Aeroporti, pas njëmbëdhjetë orësh fluturimi, m’u duk oazë e qetë e gjumëndjellëse. Zyrtarja e aeroportit më priste me emrin tim e të gruas, të shkruar në një copë letre të bardhë. Kinezja simpatike mezi dëgjohej derisa fliste me zë të ulët. Aeroporti ishte një ambient i veçantë, me restorante të dizajnuara mirë, me gjelbërim e kopshte botanike, me kaktuse e bimë tropikale të mbjella brenda, sepse edhe qyteti atë klimë e kishte. Singapori ka njërin ndër aeroportet më të mëdha në Azi, të rregulluar me shije. Ambienti i brendshëm është qetësues për shtegtarin e stresuar e të pagjumë që ka kaptuar kontinente, që vjen nga njëri cep i botës në tjetrin. Shërbimi i mirë nëpër restorante është përshtypja tjetër e këndshme.

Kur dola jashtë aeroportit, vala e të ngrohtit tropikal më goditi befasisht, i mësuar me freskun e pranverës në Prishtinë, që më shumë ishte fundii dimrit. Zyrtarët e aeroportit mezi i dëgjoje kur të flisnin me pëshpërima, sikur druanin se mos e zgjonin nga gjumi dikë të padukshëm.

Singapori është i veçantë nga vendet e tjera të Azisë Juglindore, e megjithatë ka diçka nga secili prej tyre. Një mik imi virtual mëuroi pushim të mirë, duke më sugjeruar se Singapori është një kryqëzim Kine, Malajzie, Indonezie e Perëndimi. Singapori është sinonim i zhvillimit marramendës, shembull i shkrirjes së tradicionales me bashkëkohoren, zhvillimin ekonomik dhe disiplinën e hekurt, fatin dhe kujdesin. Durimi tradicional oriental me dinamizmin europerëndimor, ku shprehia e punës ngërthehet me ligjet e rrepta, bën që ky vend të jetë në kreun e vendeve të zhvilluara. Por edhe rreptësia me të cilën trajtohen disa sëmundje të qytetërimit të huton. Secilit udhëtar që vjen nga Evropa a SHBA-jae vë në pah qysh në aeroplan letrën me pyetësor se bartja a tregtimi i drogës dënohet me vdekje, që e bëjnë t‘i shkojnë djersë të ftohta, gjithnjë duke u druajtur se mund t'ia kurdisë dikush ndonjë sasi droge të mjaftueshme sa të dënohet me vdekje. Në të kaluarën janë dënuar disa perëndimorë, pavarësisht faktit që pati ndërhyrje nga qarqe të larta për falje. Rasti i australianes që është kapur me drogë, ndërsa ajo thotë se nuk është droga e  saj, por këmbëngulte që dikush ia ka vënë në bagazh, është rrëqethës. Për kurdisje ose fatkeqësi të tilla kam parë edhe filma artistikë amerikanë.  

Singapori është shembull i qytetit që u pavarësua pa dashje. Pasi u larguan britanikët, Malajzia e përjashtoi Singaporin nga shteti i përbashkët, për ç'gjë singaporasit u mërzitën shumë, sepse britanikët i lanë në një shtet. Në atë kohë Malajzia ishte shumë më e zhvilluar, prandaj nuk donte ta mbante. Emri i vjen nga “Singapura”,  që do të thotë “Qytet i luanit”. Ndërkaq, Singapori nuk ka luanë. Sot,“Qyteti i luanit” është qytet-shtet si Monako apo Vatikani. Është ndër vendet më të vizituara, shumë joshëse për shtegtarë e aventuristë.

Por ajo që të bie në sy, hiq ligjin e ashpër për drogën, Singapori është shembull i vendit të lulëzuar nën kapelën britanike, dëshmi e pushtuesit që nuk të zhvatë, por të ndihmon e të qytetëron. Anglezët e themeluan këtë koloni, e zhvilluan dhe e ngritën në qendër botërore të tregtisë, për ta vazhduar pastaj kinezët me malajziasit. Dhe kur e sheh këtë mrekulli, se si të vjen. Singapori të gjitha këto i bëri nën sundimit e Perandorisë britanike. Kinezët nuk donin që të iknin britanikët, situatë absurdi po të shihet nga prizmi ynë.  E qeverisën Singaporin më shumë se sa që mund të themi se e pushtuan, i dhanë injeksione dhe e bën qendër tregtare e udhëkryq në mes të dy botëve, madje në mes të disa kontinenteve.

Singapori e shfrytëzoi pozitën e mirë strategjike, ndaj kjo e avancoi duke e dalluar nga shteti amë, ku varfëria e barazisë komuniste ua han shpitin. 

Pozita strategjike e ndihmoi, i dha krah zhvillimit, e bëri qendër nevralgjike jo vetëm për Azinë, sepse Singapori është udhë kyç nga Evropa në Australi. Shumë nga shqiptarët që i kemi takuar më vonë në Australi e përmendin se si erdhën një herë në Singapor e pastaj vazhduan tutje në qytete të ndryshme australiane. Është fjala kryekëput për shqiptarë nga Dardania e nga territoret etnike. Thuhet se edhe shumë shqiptarë pas rënies së komunizmit në Shqipëri ia mësyn Singaporit me shpresën se do të realizohen, meqë i njihnin kinezët e Mao Ce Dunit, mirëpo kinezët e Singaporit ishin ndryshe. Ikën shqiptarët në shtegtime drejt Malajzisë apo tutje në Australi.

A ka shqiptarë në Singapor? Sigurisht ka, por është i vogël numri i tyre. Është vështirë t'i takosh në këtë qytet shumëmilionësh. 

Edhe Shqipëria natyrale mu si Singapori pati pozitë të mirë strategjike në Gadishullin Ilirik, por ky fakt nuk e ndihmoi, përkundrazi e dëmtoi, sepse secili nga pushtuesit e lakmonte vendin pa vendës, ndërsa nuk kishin ide për zhvillim e avancim.

Britanikët me qytetërim ishin para vendësve në Singapor, ishin para gjithë botës, prandaj kjo gjë i dha krah zhvillimit të kinezëve. Askush nuk e do pushtuesin, askush s’ka pse e lavdëron, mirëpo ata e zhvilluan

Singaporin disa herë më shumë se sa që ishte Kina. Derisa në mendjen time i bëja krahasimet e pushtuesit të mirë e të keq, përpara kisha Singaporin e jetës dinamike e të qytetërimit euroaziatik, kryqëzimin e disa kulturave dhe kryqëzimin ekonomik tregtar të disa kontinenteve. Perandoria britanike ka mbetur në kujtesë të mirë, gjë që nuk mund të thuhet për ish-pushtuesit tanë.

Me pushtuesin e mirë jam ndeshur edhe më parë, kur shëtisja në Lubjanë e Maribor  (Slloveni), apo në Zagreb e në qytetet dalmate të Kroacisë. Dhe, me dëshpërim,krahasoja atë që ua la Austria sllovenëve e kroatëve me atë që na e lanë neve turqit e serbët.

Sikur të triumfonte ideja e Haxhi Zekë Biberajt, ne do ta kishim Britaninë e Madhe në vend të Turqisë e Serbisë, mbase do të bëheshim Singapor evropian. U nisa nga Singapori me një aeroplan ndërkontinental australian "Qantas"  mbi oqeanin e pafundmë, me një dozë dëshpërimi pse nuk e kapëm momentin historik.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco