Kosova nuk bën të dorëzohet përpara Serbisë

Kosova nuk bën të dorëzohet përpara Serbisë

Nga Liri Lloshi - 12/12/2022

Gjithçka ishte duke shkuar për mrekulli! Veriu kishte vite që ishte integruar në Kosovën e pavarur dhe sovrane! Njohja e Kosovës nuk ishte më çështje vitesh, as mujash, por çëshje javësh, ditësh a mbase orësh. Politika largpamëse e pushteteve të kaluara ia kishte hedhur keq Serbisë dhe më ajo s’kishte kah shkonte, pos ta pranonte Kosovën e Pavarur dhe Sovrane! Dhe kur po bëheshim gati ta festonim fitoren tonë të madhe kundër Serbisë, në pushtet erdhi Albin Kurti dhe shkatërroi çdo gjë!!!

Ky është narracioni i kundërshtarëve politikë të Albin Kurtit për gjendjen në Veri. A është duke e blerë kush këtë përrallë të bukur?! Natytisht se jo. Vetëm një gjë është e vërtetë këtu. Koka e pushtetit në Beograd dhe bishti i tij në Mitrovicën Veriore kanë hasur në një arrë të fortë që quhet Albin Kurti dhe kjo arrë ua ka sosur durimin e ua ka humbur shpresat se një ditë do ta formojnë Zajedicën serbe, si një shkallë e parë e fillimit të shthurjes së shtetit të Kosovës. Prandaj, kanë mobilizuar tërë frustrimin për të arritur objektivin e tyre politik. Tjetër gjë nuk u ka mbetur. Shpresa është e vdekur.

Sjellja e opozitës dhe disa mediave karshi këtyre zhvillimeve është në kundërshtim të plotë me interesin e Kosovës. Kjo sjellje që për fokus ka fajësimin e Albin Kurtit për rebelimin e forcave destruktive në Veri, nxit dhe motivon rebeluesit serbë që ta vazhdojnë dhe thellojnë destruktivitetin e tyre, ndërkohë që për bashkësinë ndërkombëtare krijon impresionin se opozita është e gatshme për koncesion me forcat destruktive në Veri që nënkupton gatishmërinë për venien e menjëhershme në jetë të Asociacionit të Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive! A është e vetëdijshme opozita se duke krijuar një percepcion të tillë po ia vë lakun në fyt Kosovës?! Çfarë iu duhet pushteti kur Kosova të kalojë në shtet plotësisht të shkapërderdhur dhe jofunksional?!

Kosova nuk bën të dorëzohet para forcave politike e paramilitare që për qëllim kanë hiç më pak se zhbërjen e saj. Opozita duhet ta largojë vemendjen nga pushteti dhe ta kthejë atë kah interesi momental dhe afatgjatë i shtetit të Kosovës. Interesi i Kosovës është që tendencave për shkatërrimin e saj t’u thuhet jo e qartë dhe jo e madhe. Interesi i Kosovës është që me asnjë çmim të mos lejohet bosnjizimi i saj.
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco