Anti-principi ekonomik i Ramës

Anti-principi ekonomik i Ramës

Nga Arbër Zaimi - 17/11/2022

Plani i Ramës për Portin e Durrësit po bie erë të keqe. Erë si ajo e “inceneratorëve”. Qeveria pretendoi se do të sjellë në Shqipëri investime nga një kompani e fuqishme emiratase, siç është “Emaar”, por po del se kjo nuk është e vërtetë. Kompania e cila është afruar për investim po del se nuk e ka as kapitalin e as përvojën e duhur për investime të mëdha, por është një kompani e re dhe pa kapital, e regjistruar nga një ish-punonjës i kompanisë “Emaar” e me aksionerë familjarët e tij.

Mungesa e transparencës sa i përket pronësisë së kompanisë e cila pritet të marrë përsipër ndërtimin e “Durrësit të Ri”, ngjan me rastin fatkeq të pleqve në azile, të regjistruar si pronarë të impianteve të përpunimit të mbeturinave pa vullnetin e tyre, por me vullnetin e bizneseve kriminale që përfitojnë nga mosfunksionimi i shtetit ligjor në Shqipëri.

Shpesh më qëllon të dëgjoj opinionin e përhapur se “fundja ç’rëndësi ka kush është pronari, me rëndësi të vijnë paratë në Shqipëri”. Ky opinion oportunist që tingëllon herë si qëndrim prej lypësi e herë si synim prej hajduti, është propaganduar shumë edhe nga aparati influencues i Ramës, që përfshin opinionistë, deputetë, ministra dhe influencerë të tjerë. Këtë narrativë pastaj e kanë besuar e përvetësuar shumë njerëz të thjeshtë, meqë PS-ja është parti e madhe. Pra “ç’rëndësi ka kush e sjell nga e sjell e si e sjell, me rëndësi të vijë leku”. Mirëpo kjo maksimë që mund të thuhej edhe nga lypësat edhe nga hajdutët, përfundon që shumicën (edhe të mbështetësve të saj) e katandis në lypsare, ndërsa pakicën e pasuron padrejtësisht, si hajdute.

Ky anti-princip karakterial i Ramës, kërkon nga shqiptarët të hapin rrugë për çdo lloj “investimi”, qoftë ai tërësisht vjedhës, si në rastin e inceneratorëve, qoftë mashtrues e jotransparent si në rastin e Portit të Durrësit, qoftë në shërbim të krimit, si në rastin e Amnistisë Fiskale për “çunat” e shtëpive të barit në Angli.

Por nëse do t’i hapnim rrugë investimeve nga mafia, nga mashtruesit, nga kompanitë guaska, nga skemat që pastrojnë para të fituar me drogë a trafiqe të tjera, efektet nuk do të ishin aspak të mira. 

Së pari, do të zhvleftësohej e shkatërrohej konkurrenca biznesore, sepse asnjë biznes i mirëfilltë që ecën përpara me punë e mund nuk do të kishte gjasa përballë kompanive fiktive që s’e kanë problem të hedhin para në ajër, meqë synim kanë shpëlarjen e parave e jo punën. 

Së dyti, spekulimi me bizneset parashpëlarëse do të shkaktonte një rritje çmimesh të papërballueshme nga njerëzit e zakonshëm që nuk shpëlajnë para. Këtë e kemi parë në rastin e ndërtimeve, teksa janë dhjetra mijëra apartamente të pashitura e të padhëna me qira, në Tiranë ende ndërtohet, qytetarët s’kanë fuqi blerëse e megjithatë çmimi veç rritet. S’ka nevojë ai treg për qytetarët si blerës, mjaftojnë mafiozët që ia shesin e ia blejnë njëri-tjetrit. 

Së treti, ky lloj i ekonomisë na mban larg Evropës. Një ndër kriteret për të mos hyrë në listat e zeza evropiane, është moslejimi i regjistrimit të bizneseve që fitojnë pa investuar, siç është psh. rasti i inceneratorëve që vazhdojnë marrin para nga shteti për një punë që as nuk po e bëjnë. Por siç është edhe rasti i investimit në Durrës, ku kompania që paska marrë përsipër ndërtimin e një qyteti të madh bregdetar, nuk ka kapital të vetin por synon ta mbledhë kapitalin duke shitur apartamente, vila e dyqane, qysh para se të hapen themelet. Kjo shitje qysh në render 3D bie era skemë mashtruese. Ajo ngjan me një crowd-funding të përmasave gjigande, ku investimin në fakt e bëjnë vetë banorët, por fitimin e merr një kompani e cila s’merr përsipër asnjë rrezik investiv.

Praktika të tilla ekonomike e lënë qytetarin të ndihet i pafuqishëm, teksa sheh se politika bëhet cinike dhe oportuniste. E kjo pafuqi pastaj përkthehet në mërgim të popullit, ku Shqipëria mban rekord, edhe mes vendeve të Evropës Lindore.

Në vend të investimeve fantazmë, do të ishte mirë që Shqipëria të përforconte ligjin e transparencën biznesore, dhe të fokusohej në afrimin e kompanive prodhuese. Agresioni rus në Ukrainë e ka ndryshuar gjeo-ekonominë evropiane, shumë fabrika që mbaheshin në Rusi e vende të tjera lindore tash do të mbyllen, ndërsa energjia po ashtu po transformohet. Kosova, fqinji më i afërt i Shqipërisë, planifikon të investojë 4.5 miliard euro, pjesa më e madhe me burime evropiane, në energji të gjeneratës së re. Këto investime shkojnë dora-dorës me përmirësimin e demokracisë dhe rikthimin e besimit në institucione. Një rrugë të ngjashme do të ishte mirë të ndiqte edhe Shqipëria. Qeveria Rama e ka gabim nëse mendon se mund të ndjekë shembullin ekonomik beogradas. Shkujdesjen e Vuçiçit, të cilit nuk i bëhet vonë për ligj e transparencë, Rama nuk mund ta implementojë kurrë në Shqipëri, sepse Shqipëria nuk ka aspirata për tutorë si ata që qëndrojnë mbi kokën e Serbisë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco