Nuk është punë targash, është çështje veriu

Nuk është punë targash, është çështje veriu

Nga Syri.net Kosova - 07/11/2022

Pra, serbët  në mënyrë të organizuar braktisën institucionet e Republikës së Kosovës, pikërisht kur po diskutohet plani franko-gjerman për një marrëveshje finale me Serbinë.

As naivi më i madh, nuk e beson që kjo ka lidhje me targat dhe qortimet ndaj serbëve që refuzojnë t’i nënshtrohen ligjit e rregullave.

Qartazi, një plan i mirëmenduar në Beograd e i zbatuar me përpikmëri nga të dirigjuarit e Vuçiqit.

Më në hall janë serbët lokalë, që janë të shantazhuar nga strukturat paralele dhe bandat kriminale në veri.

Po të rrish me banorët serbë të Kosovës, e kupton shpejt se çfarë presioni kanë nga Serbia, që t’i shkojnë pas një politike të mbrapshtë, që po i sakrifikon ata në radhë të parë.

Dorëzimi i detyrave, mandateve, armëve, nga serbët e veshur me konstumin institucional kosovar, është i koordinuar me pushtetin në Serbi.

Protesta e tyre e së dielës, megjithatë nuk mobilizoi dhe aq pakicën serbe në Kosovë. Kjo dramë që po luhet në veri, me synimin për tensionimin e situatës në kohën kur dialogu mund të finalizohet, kërcënon jo vetëm Kosovën, por mbarë rajonin.

Sot, po korrim pasojat e formimit të Listës serbe dhe marrëveshjeve të dëmshme, siç është ajo e Asociacionit të Komuave me shumicë serbe.

Ndërkombëtarët duan me ngulm themelimin e menjëhershëm, edhe pse ka një pengesë serioze kushtetuese, ndërsa braktisjen nga serbët, po e justifikojnë si formë presioni.

Mund ta marrin me mend se çfarë hapash do të ndërmirrte një mekanizëm i tillë si Asociacioni, po të ishte i formuar. Rreziku nga bosnjizimi, është evident dhe s’e mohon dot askush.

Por, si do ta administrojë Kosova situatën pas këtyre zhvillimeve në veri?

Me Vuçiqin në krye të Serbisë, çdo reagim antiligjor dhe destabilizues është i pritshëm në pjesën veriore. Kjo tashmë, është një përballje e hapur mes Kosovës dhe Serbisë për veriun.

Prezenca e NATO-s, jep garanci për ruajtjen e paqes, megjithatë eskalimi i situatës mund të ndodhë në çdo moment.

Qeveria duhet të garantojë mbrojtjen e territorit të Republikës dhe funksionalitetin e institucioneve që janë goditur nga braktisja e serbëve.

Zgjedhjet duhet të shpallen në komunat e veriut, pas dorëheqjeve të kryetarëve atje.

Kjo gjendje e rëndë, e akumuluar prej vitesh, shpesh ka ardhur në prag të shpërthimit, por pafundësisht nuk mund të zgjasë.

Pakica serbe gëzon të gjitha të drejtat me Kushtetutën e Kosovës, edhe më shumë se i takon një pakice. Askund në Evropë nuk ka një model të tillë të diskriminimit pozitiv.

Por, as kjo nuk mjafton. Serbia e synon hapur veriun e Kosovës dhe duhet kundërshtuar me të gjitha mjetet në dispozicion. 

Në këto rrethana kritike, e udhës është që qeveria e Albin Kurtit së paku të kursehej nga akuzat e kota dhe gishti të drejtohej andej nga vjen e keqja-Serbia.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco