A do të shpëtoj shteti i Kosovës?

A do të shpëtoj shteti i Kosovës?

Nga Daut Dauti - 06/11/2022
“Dok se Srpska vojska ne vrati, na Kosovo neće biti mira” (Derisa ushtria serbe nuk kthehet, në Kosovë nuk do të ketë paqe). Kjo ka qenë një fjali tronditëse që e kam dëgjuar së paku në dy fshatra serbe dhe që nuk më është hequr kurrë nga mendja. Kjo ka qenë koha kur kam punuar në qeverinë e Kosovës dhe kur i vizitonim fshatrat serbe për t’i bindur serbët që të hynin në institucione. Sa më shumë që i lutnim, ata egërsoheshin më shumë. Ata e nuhatnim mirë pafuqinë tonë (ushtarake). Prandaj, kishin kësi qëndrimi.
Ata e shqiptonin këtë fjali në mënyrë agresive dhe me plot urrejtje: e kërkonin kthimin në të kaluarën që nënkupton sundimin e tyre diskriminues dhe shfarues ndaj shqiptarëve. Ky është mentaliteti i shumicës së serbëve në Kosovë dhe Serbi. Do të mendoni se kjo fjali tronditëse është iluzion, por nuk është. Nuk është më iluzion diçka në të cilën besoni dhe veproni që ajo të ndodhë. Titujt e gazetave të Beogradit fillojnë çdo ditë me këtë fjali. Qeveria e Beogradit edhe e mobilizon ushtrinë e saj dhe e transporton rreth kufririt me Kosovën. Në qeverinë e Serbisë janë po ata njerëz që ishin gjatë luftës dhe nuk e kanë ndërruar aspak qëndrimin që shpesh thuhet se ka qenë i Millosheviqit.
Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me qëndrimin anti shqiptar të një njeriu apo të një kaste politike. Ky është qëndrim gjithpopullor serb, që shqiptarin nuk e sheh ndryshe pos si nën-njeri, inferior dhe okupues të tokave të tyre.
Tashti, sërbi i zakonshëm i Kosovës apo i Sërbisë është pothuaj i pafajshëm në këtë qëndrim. Njeriu nuk mund të jetë ndryshe nëse programi shkollor, gazetat dhe politika e shtetit të tij e ushqejnë me këtë urrejtje. Nëse e shtoni edhe faktin që Evropa, shpesh edhe Amerika, e ledhaton për qëndrimin që ka, gjërat bëhen të qarta.
Gjërat kanë shkuar gabim që nga viti 1999. Së pari, lufta e Kosovës ka përfunduar në mënyrën më të pazakonshme. Sërbia nuk është dënuar për agresionin dhe luftën e humbur në Kosovë, siç e kërkojnë rregullat. Përkundrazi, ata që e sulmuan Kosovën, janë në pushtet. Mentaliteti i serbit të zakonshëm nuk mund të ndryshoj në këto rrethana?
Themelimi i shtetit të Kosovës është bërë në mënyrë të gabueshme. Është shtet që kujdes primar nuk i kushton popullates shumicë, por pakicës serbe. Ky shtet është themeluar, aq sa mund të themelohet, duke mos ia prishë qefin Serbisë. Njëkohësisht duke ua mundësuar serbëve që t’ia lëkundin themelet sa herë që nervozohen me masat e qeverisë në Prishtinë. Problemi me serbët është se ata janë gjithmonë nervozë dhe të shqetësuar me shtetin e Kosovës, të cilin nuk e pranojnë. Serbët nuk duan të drejta. Ata dëshirojnë territor dhe sundim. Ky është qëndrimi i përhershëm i serbit ndaj Kosovës.
Në periudhën e pasluftës shqiptarët nuk kanë patur sukses që të zhvillojnë klasë të mirëfilltë politike dhe intelektuale, e cila do ta përparonte Kosovën. Me ndihmën e ndërkombëtarëve është krijuar një klasë ‘intelektuale’ dhe afariste me ndjenja të shtrydhura kombëtare (shqiptare). Një elitë e re, do të thoshim. Por, kjo nuk është gjë e re. Kjo është metoda që është zbatuar në Jugosllavinë socialiste nën iniciativën e Kardelit dhe tjerëve që kishin për qëllim ta krijonin qytetarin vetëqeverisës me pak ndjenja kombëtare e me më shumë të përkatësisë federative. Por, kjo metodë nuk tregoi sukses. Njeriu nuk ikë nga vetëvetja për shkak se dikush dëshiron të ndodhë kjo gjë.
Megjithatë, kjo ‘elitë’ është e vetmja që e mbronë Kosovën. E mbronë për shkak se dëshiron t’i ruaj privilegjet që i ka e jo për shkak të parimit të ruajtjes së shtetit. Këta i frikësohen luftës dhe nuk ngurrojnë ta marrin anën e Serbisë duke pretenduar se kështu ruhet gjendja paqësore. Ky është mashtrim për shkak se Kosova, që nga viti 1876 është në luftë me Serbinë. Që nga kjo kohë, Beogradi asnjëherë nuk e ka ndryshuar qëndrimin ndaj shqiptarëve. Gjatë kësaj periudhe ka mund të ketë diçka që i ngjanë armpushimit mes serbëve dhe shqiptarëve, por paqe, kurrë. Beogradi e ka zbatuar politikën anti shqiptare edhe në kohë të paqes dhe armëpushimit. Tashti Beogradit i është lënë mundësia që ta mbaj Kosovën në gjendje gjithmonë të destabilizuar.
Pyetja kryesore dhe e fundit është: a do të mbijetoj Kosova si shtet në këto rrethana? Po, por vetëm nëse Serbia detyrohet ta njeh Kosovën brenda kufijve ekzistues. Por, kjo nuk është duke ndodhur. Nuk ka interesim të mjaftueshëm nga jashtë e as kohezion të brendshëm që Kosova të funksionoj si shtet sovran brenda kufijve të saj. Ekziston edhe një alterativë për shpëtimin e shtetit të Kosovës: shkëmbimi i territoreve. Por, as për këtë variant nuk duket që ka interesim. Prandaj, ky dështim e obligon Kosovën që t’i bashkangjitet Shqipërisë. Nuk është duke mbetur rrugë tjetër.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco