Tronditëse, kosovari me 4 djemtë mbajtën skllave katër vajza për 16 vjet

Tronditëse, kosovari me 4 djemtë mbajtën skllave katër vajza për 16 vjet

Nga Enver Robelli - 02/11/2022
Gazeta "Blick" e Zürichut sot ka botuar një shkrim tronditës mbi një burrë shqiptar nga Kosova i cili bashkë me 4 djemtë e tij për 16 vjet (!) i ka mbajtur si skllave katër vajza "nga Ballkani". Viktima e parë, sipas "Blick", ka qenë nga Shqipëria. Dyshohet se burri i kishte zgjedhur këto vajza për djemtë e tij në Zvicër. Ato ishin të moshës mes 14 dhe 17 vjeçare. Javën e ardhshme prindi kosovar dhe katër djemtë e tij do të dalin para gjyqit të qarkut në Moutier, në kantonin Jura afër Bernit. Sipas aktakuzës gratë janë izoluar, kërcënuar, përdhunuar dhe mbajtur si skllave.
Nga shkrimi i "Blick" nuk merret vesh se si ka qenë e mundur që këto gra të mbahen të izoluara 16 vjet pa dijen e autoriteteve zvicerane. Për njërën thuhet se ka jetuar ilegalisht në Zvicër. Por cili ka qenë statusi i grave (vajzave) të tjera? Në tekst thuhet se ato janë futur në Zvicër ilegalisht duke kaluar kufirin "nëpër mal". Më 2019, sipas gazetës zvicerane, gratë arritën të ikin nga banesa(t) ku mbaheshin. Tani janë në një vend të sigurt dhe mbrohen nga autoritetet.
Avokati i grave të dëmtuara deklaroi me vetëbesim se pas trajtimit të keq të viktimave qëndron "Kanuni mesjetar shqiptar". Për këtë pretendim juristi ambicioz nuk ofroi asnjë dëshmi. "Blick" botoi njëfarë shpjegimi tejet sipërfaqësor për Kanunin.
Nuk është hera e parë që mediat - sidomos bulevardeske - zvicerane vetvetishëm pothuaj çdo vrasje apo krim tjetër në komunitetin shqiptar e ndërlidhin me Kanunin. Kjo tingëllon ekzotike në sytë dhe veshët e lexuesve. Kësisoj, etja gazetaresko-bulevardeske për ekzotikë mund të shuhet vetëm duke joshur lexuesit me etiketa për "Kanunin mesjetar shqiptar". Në fakt vrasjet dhe vepra të tjera të dhunshme më shumë kanë të bëjnë me larje hesapesh në rrethet kriminale, me patriarkalizmin, mungesën e edukatës elementare, refuzimin për t'u integruar në shoqërinë e re, frikën iracionale për "humbjen e identitetit" dhe mosekzistencën e kulturës për zgjidhjen e konflikteve në mënyrë të padhunshme.
Kur para disa vitesh qe zbuluar se një burrë austriak e pati mbajtur më shumë se 8 vjet në bodrum një vajzë austriake të cilën e kishte kidnapuar, mediat perëndimore nuk konstruktuan ndonjë "kanun austriak" si shkak të krimit. Një monstrum kishte kryer një krim! Kaq. Duket se pak a shumë kështu është situata edhe në rastin e zbuluar tani nga "Blick". Për të evituar çdo keqkuptim: nuk po e mbroj këtu fare Kanunin, i cili përmban pjesë shumë problematike dhe nuk rregullon dot më jetën bashkëkohore, por tendenca e disa mediave në perëndim që për çdo krim në mesin e diasporës shqiptare të gërmojnë "teorinë" e Kanunit është më shumë se dembeli profesionale.
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco