Disa njohuri rreth Tmerreve të Natës tek fëmijët

Disa njohuri rreth Tmerreve të Natës tek fëmijët

Nga Shaban A. Mecinaj - 01/11/2022

Tmerret e natës ose pavor nocturna paraqesin një çrregullim që përfshinë zgjimin e papritur të fëmiut nga gjumi në një gjendje të tmerruar. Tmerret e natës zakonisht konsiderohen normale ose beninje. Megjithatë, shpesh ato janë shumë të frikshëme dhe brengosëse për prindërit, sidomos gjatë “sulmit” në natën e parë.
Zakonisht ndodhin tek fëmijët e grupmoshave tre deri tetë vjeç, por ato mund të paraqitën në cdo moshë. Tmerret e natës pothuaj janë një problem i zakonshëm i gjumit tek fëmijet. Sipas disa llogaritjeve, rreth 30 për qind e fëmijëve kanë tmerre të herëpasëhershme gjatë natës. Fëmijet që kanë tmerre gjatë natës manifestojnë një shqetësim i cili i ngjan atakut të panikut që përcjellet me frymëmarrje të shpejtuar, rrahje të shpejtuara të zemrës, djersitje dhe dënesje të vazhdueshme.
Tmerret tipike të natës zgjasin rreth 5 deri në 30 minuta dhe më pas fëmiu zakonisht kthehet në gjumë të rregullt. Fëmiu gjatë përjetimit të tmerreve të natës, ka të ngjarë që të frikësohet dhe të jetë i trazuar edhe për shkak të reagimit të prindërve ndaj kësaj gjendje, veçanërisht nëse ju bërtisni ndaj tij për t'a zgjuar. Prandaj në vend që të përpiqeni t’a zgjoni fëmijën që ka një tmerr nate, zakonisht është më mirë të kujdeseni që ai të jetë i sigurt, ta ngushëlloni (pajtoni) nëse mundeni dhe ta ndihmoni të kthehet në gjumë sa më parë.
Duhet të dallojmë Tmerret e Nates nga Makthet
Tmerret e natës ngatërrohen shpesh me makthet, por ndryshe nga tmerret e natës, një fëmijë që ka një makth zakonisht zgjohet lehtë dhe ngushëllohet. Tmerret e natës duhet të dallohen nga makthi, sepse ka më shumë të ngjarë që ato të ndodhin gjatë periudhave të stresit ose të lodhjes. Makthet janë më të zakonshme në mëngjes herët, ndërsa tmerret e natës ndodhin zakonisht në gjysmën e parë të natës të paralajmëruara nga një britmë. Makthet janë normale me raste, sidomos pas shikimit të filmave/shfaqjeve televizive të frikshme ose situatave emocionale. Zakonisht fëmija nuk i mban mend hollësitë e frikës.
Shqetësimi tjetër për shumë prindër është se nëse këto episode paraqesin ndonjë lloj të krizës së vetëdijes. Llojet e ndryshme të krizave të pjesshme, duke përfshirë lobin temporal dhe epilepsinë e lobit frontal, mund të duken të ngjashme me tmerret e natës, por ato janë zakonisht të shkurtra (30 sekonda deri në disa minuta) dhe janë më të zakonshme tek fëmijët e moshuar dhe të rriturit.
Shkaqet e Tmerrev të Natës
Cikli normal i gjumit përfshin faza të ndryshme që nga përgjumja e lehtë deri te gjumi i thellë. Tmerret e natës ndodhin gjatë fazës 3 dhe faza 4 të gjumit (gjumë i thellë). Shkaku është i panjohur, por këto tmerre zakonisht janë të lidhura me periudhat e tensionimit emocional, stresit ose ngarkesave tjera psikologjike. Tmerret e natës ndodhin më shpesh tek djemtë paraadoleshent, edhe pse mund të ndodhin tek vajzat dhe të rriturit.
Disa nga shenjat dhe simptomat
• Frikë ose tmerr i vazhdueshëm i fëmiut që ndodh natën.
• Djersitje.
• Të bërtitura natën.
• Rrahjet e shpejta të zemrës.
• Nuk munden për të shpjeguar se çfarë po ndodhë.
• Zgjimi i papritur nga gjumi.
• Nuk munden për t'u zgjuar plotësisht.
• Mund të kanë një ndjenjë të paqartë të imazheve të frikshme.
• Nuk kanë asnjë kujtim të ngjarjes pasi të zgjohen.
Trajtimi dhe parandalimi i Tmerreve të Natës
Në shumë raste, lehtësimi dhe inkurajimi janë i vetmi trajtim që kërkohet. Psikoterapia ose këshillimi mund të jenë të përshtatshme në disa raste. Zakonisht nuk është e nevojshme përdorimi i ndonjë medikamenti për tmerret e zakonshme të natës, meqë shpesh ato nxiten te fëmijët që janë tepër të lodhur. Për t’i parandaluar tmerret mund të ndihmojë nëse sigurohet një rutinë të mirë e gjumit, kjo mund të ndihmojë për të zgjuar fëmijën tuaj para kohës që ai zakonisht ka një tmerr të natës, pra zgjimi i programuar. Kjo metodë mendohet të ndërpresë ose të ndryshojë ciklin e gjumit dhe të parandalojë tmerret e natës që të ndodhin serish. Pasi të pushojë së tmerruari natën për pak javë, mund të filloni ta zgjoni më rrallë derisa të stabilizohet gjumi dhe të bëhët pa tmerret e natës.
Medikamentet benzodiazepine (të tilla si Diazepam) të përdorura në kohën e gjumit shpesh do të zvogëlojë paraqitjen e tmerreve të natës; por, në përgjithësi nuk rekomandohen për të trajtuar këtë çrregullim. Medikamenti Benadryl eliksir (diphenhydramine), i dhënë një orë para gjumit mund të zvogëlojë shfaqjen e tmerreve të natës.
Poashtu prindërit duhet të përpiqen për të pakësuar apo eliminuar çfarëdo stresi që mund të jetë duke ndodhur në mjedisin e fëmijës. Praktikimi i higjienës së mirë të gjumit si; fjetja në një dhomë të errët me një krevat të rehatshëm, në temperaturë konstante, pastaj kufizimi i çdo ngrënieje kafeine ose stimulanti tjetër janë parakushte për shmangien e tmerreve të natës.
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco