‘Qortimi' për targat dhe 'zhgënjimi' nga Amerika

‘Qortimi' për targat dhe 'zhgënjimi' nga Amerika

Nga Astrit Veliqi - 01/11/2022

Përderisa institucionet e Republikës së Kosovës kanë marrë vendimin për targat ilegale që përdorën nga serbët lokalë në vendin tonë, në mënyrë eksplicite ai duhet të zbatohet në disa etapa, ku fillimisht do të ketë qortime, e pastaj edhe mund të gjobiten.

Ky vendim domosdo i miratuar nga Qeveria e Kosovës në sinkron si i tillë edhe mund të jetë i qëndrueshëm edhe një lloj 'reciprociteti' ndaj Serbisë, megjithatë reagimet e fundit që kanë mbërri nga SHBA-ja, miku ynë i përjetshëm nuk kanë lënë shije të mirë.

Edhe pse emisarët amerikanë erdhën në Kosovë dhe i kërkuan Qeverisë dhe kryeministrit Albin Kurti që afati për zbatimin e marrëveshjes për targat të shtyhej rreth 10 muaj, megjithatë vendimi që mori Qeveria ishte krejt tjetër dhe si i tillë po del të jetë me shumë sesa qortues.

Por si për çudi, përderisa intsitucionet kosovare me vendimin e fundit do të qortojnë serbët lokalë nëse nuk i kthejnë targat në RKS, qortime për mos shtyrjen e afatit po marrim për herën e parë edhe nga vendet mike, sikur janë SHBA-të.

Deklarata e mbrëmshme nga Departamenti i Shtetit e thënë troç si kurrë me parë se ‘jemi të zhgënjyer nga Qeveria e Kosovës, pasi ne i kërkuam atyre të shtyhet vendimi, e jo të implementohet në faza’, ka qenë goditja më direkte për vendin tonë si Republikë e Kosovës.

Por si duket edhe ky zhgënjim i cili ka ardhur nga Amerika për herë të parë publikisht nuk i ka bërë shumë përshtypje institucioneve, e cila përkundër lutjeve të miqve tanë ka vazhduar me zbatimin e tij në praktikë.

Por si duhet parë kjo qasje e kryeministrit, karshi lutjeve të vazhdueshme amerikane e evropiane që të shmangen tensionet sidomos në veri, e që si 'mollë sherri' mund të bëhen edhe disa targa.

Kur dihet se problemet janë shumë madhore, që pas agresionit rus në Ukrainë, është përmbysur edhe siguria globale dhe ora e historisë ka ndërruar 100%, ku sot me shumë se kurrë kërcenohemi nga bombat berthamore dhe ato të shkatërrimit në masë.

Prandaj duke e parë situatën në këtë sfond, edhe problemet me fqinjin tonë veriorë, Serbinë i kemi të mëdha, ku siç dihet po bëhet një luftë e paprecedentë për të arritur deri të marrëveshja finale mes dy vendeve që kompromisi i vetëm i yni duhet të jetë njohja reciproke.

Por sa do të jetë efektive qasja e fundit e qeverisë karshi targave ilegale, që edhe për policët tanë dhe forcat tjera të sigurisë do të jetë e vështirë të arrihet deri të zbatimi i saj.

Domosdo nuk jemi kundër vendimit që targat ilegale të mbesin në rrugët tona, por fjala e miqve tanë ka peshë vendimtare kur dihet se edhe lirinë dhe shtetin e kemi edhe falë ndihmës dhe këshillave dhe suportit të tyre të vazhdueshëm.

Natyrisht nuk duhet harruar edhe brishtësinë e vendit si shtet por edhe si demokraci ku që besa për fatin ma të keq ma shumë edhe për fajin tonë kemi mbetur të izoluar nga bota.

Prandaj problemet dhe sfidat e vendit që kërkojnë zgjidhje urgjente janë si të përballohet dimri nga mungesa e energjisë elektrike, infalcioni rekord, çmimet e produkteve bazike që pothuaj po rriten çdo ditë, kaosi urban, pluhuri, balta, kanalizmet e çka tjetër....!

Krejt në fund, nëse rrezikohet stabiliteti i vendit, a do të kemi ‘qortime’ edhe më serioze  që mund të vijnë nga aleatët tanë amerikanë dhe evropianë?!

Por ka ende kohë…do t’i shohim, megjithatë barrikadat nuk duhet parë më asnjëherë në veri, përndryshe gjithçka do të kthehej në pikën zero.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco