Antenat ruse në Ballkan mund të çmontohen më së shpejti në Kosovë

Antenat ruse në Ballkan mund të çmontohen më së shpejti në Kosovë

Nga Emin Azemi - 10/08/2022

Heshtja e Brukselit dhe e disa kancelarive evropiane ndaj kërcënimeve serbe, është rrezikim i drejpëdrejt i stabilitetit rajonal e evropian, por edhe devalvim flagrant i përpjekjeve të SHBA për të larguar sa më shumë kufirin e ndikimit rus në Ballkan. Në Kosovë mbrohet Perendimi nga ndikimi rus dhe nëse kjo ende nuk është e qartë shikojeni Ukrainën

Kosova po sillet si shtet, kurse Serbia- si parashtet. Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në takimin e mbajtur të enjten, ka marrë vendim që ta suspendojë Liljana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, deri në një vendim të radhës. Suspendimi i Stevanoviqit vjen pas pjesëmarrjes së saj në takim me Aleksandër Vuçiqin.

Edhe Inspektorati Policor i Kosovës ( IPK ) ka konfirmuar se është duke shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së eprorëve të Policisë së Kosovës në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku u diskutua për vendimin e Qeverisë e Kosovës që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë.

Ndërkohë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi, në një video-mesazh “urgjent”, të postuar në llogarinë e tij në Instagram, e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se “ka vendosur ta sulmojë popullin serb” në Kosovë dhe ka paralajmëruar se Serbia “do të jetë me popullin e saj”.

Vuçiqi ka marrë shkas suspendimin e kryetares së Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Liljana Stevanoviq, e cila ka marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, në Beograd, të mërkurën.

Në anën tjetër, ministri serb i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin,ka thënë se shkarkimi i gjyqtares serbe në Mitrovicë, është hapi i parë drejt luftës mes dy shteteve.

“Ky është hapi i parë drejt përfshirjes së Serbisë në konfliktet e armatosura në Kosovë, të cilin shqiptarët (Vulin ka përdorur termin fyes “šiptari) po e përgatisin…”

Deri tani, ende nuk ka ndonjë reagim nga Brukseli mbi këto kërcënime të hapura të Beogradit drejtuar Kosovës.

Më 24 Mars 1999 Serbia u bombardua që të mos mundet kurrë më ta kërcënojë Kosovën. Por, tani pas 23 viteve ende ka diplomat në Bruxel që mendojnë se Kosova nuk është tamam shtet. Ata ende mendojnë se Serbia ka njëfarë të drejte ta konsideroj Kosovën pjesë të saj. Ende në Bruksel ekziston njëfarë dyshimi/hezitimi se deri ku mund të shkojë fuqia vendimarrëse e Kosovës në mbrotjen të sovranitetit të saj.

Se kjo është kështu dëshmon heshtja dhe tolerimi që i bëhet Beogradit në përpjekjet e tij të hapura shantazhuese ndaj sovranitetit të Kosovës.

Nëse diplomatë të caktuar nuk e kanë bash të qartë qëndrimin e Kosovës në mbrojtjen e sovranitetit të saj, atëherë le të lejojnë që funksionarët e shteteve të tyre të marrin pjesë në mbledhjet e kryetarëve të shteteve fqinje ku merren vendime armiqësore kundër shtetit të tyre. Bie, fjala, ndonjë komandant policie, apo ndonjë kryegjyqtar i Katalonisë le të merr pjesë në mbledhjet e Presidenti francez Makron,ku do të merren qëndrime të hapura kundër sovraniteti të Spanjës, dhe ta shohim pastaj se si do të kundërveporjnë autoritet qendrore në Madrid.

Ky aluzion vlen për spanjollin Jozef Borellin, shefin e diplomacisë europiane, i cili po parapëlqen të përdor standarde të dyfishta kur është në pyetje Serbia, duke i lejuar kësaj hapur të kërcënojë Kosovën me luftë.

Serbia ende e konsideron Kosovën si pjesë të saj, prandaj ajo insiston të mbaj zgedhje në Kosovë, duke dashur që gjeografinë e saj elektorale ta shtrijë bashkë me gjeografinë politike e hegjemoniste në gjithë territorin e Kosovës dhe në dëm të sovranitetit të saj.

Nuk na e ka marrë mendja se edhe pas 23 viteve, BE do të tregohet kaq nonshalante ndaj agresionit serb, duke mohuar në këtë mënyrë gjithë angazhimin diplomatik e ushtarak të Perendimit, sidomos të SHBA dhe NATO-s, në çlirimin e Kosovës nga dominimi serb.

Heshtja e Brukselit dhe e disa kancelarive evropiane ndaj kërcënimeve serbe, është rrezikim i drejpëdrejt i stabilitetit rajonal e evropian, por edhe devalvim flagrant i përpjekjeve të SHBA për të larguar sa më shumë kufirin e ndikimit rus në Ballkan.

Në Kosovë mbrohet Perendimi nga ndikimi rus dhe nëse kjo ende nuk është e qartë shikojeni Ukrainën. Tash është tepër vonë për të ndërmarrë atë që duhej të ndërmirrej para agresionit rus.

Vetëm një Kosovë në NATO e mbron këtë krah të Evropës Juglindore nga furtunat shkatërruese të stepave ruse dhe sa më tepër që të neglizhohet kercënimi serb ndaj Kosovës, aq më i fuqishëm bëhet faktori rus në Ballkan.

Perendimi urgjentisht duhet të lirohet nga hijet e këqia të vendimeve të Shën Stefanit, sepse po u prolongua çështja e mospranimit të Maqedonisë së Veriut në BE dhe e Kosovës në NATO, Rusinë do ta kemi këmbëkryq edhe disa dekada në këtë pjesë të Evropës Juglindore. Disa antena në Sofje dhe Beograd ende janë të kthyera nga Kremlini, prandaj Perendimi e ka problem të transmetoj mesazhet euro-atlantike në këto vende.

Gjithsesi, është koha që antenat ruse në Ballkan të fillojnë të çmontohen në filialat serb në Kosovë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco