Absurditetet akademike në UP!

Absurditetet akademike në UP!

Nga Driton Vela - 05/08/2022

Situata në UP është e mbushur me absurditete. Profesorë-dekanë plagjiaturista, profesorë-senatorë plagjiaturista, profesorë-senatorë plagjiaturista, profesorë-anëtarë të KD plagjiaturista, ish-rektor-profesor pa asnjë publikim shkencor. Dhe këtu po flasim vetëm për plagjiatura, sepse po të vazhdojmë të diskutojmë për fenomenin e publikimeve në revistat dhe shtëpitë predatore atëherë do ta shohim çfarë është në të vërtetë prodhimtaria reale e stafit akademik në UP.


Natyrisht, jo të gjithë janë të tillë. Por, në UP ka kohë nuk qahet halli për cilësi. Në UP shumë me lehtë përparon nëse ke lidhje me stafin menaxherial, në UP shumë më lehtë përparon nëse ke lidhje me të fortit e politikës dhe jashtë politikës dhe klanet e caktuara.
Në anën tjetër në UP ka rekordmenë. E kemi një profesor në Fakultetin e Bujqësisë i cili e ka H-indexin 40 (rekord në UP), e kemi asistentin në Fakultet të Mjekësisë i cili ka publikuar në cilësi të autorit të parë në revistën me impakt faktorin më të lartë që ka publikuar ndonjëherë dikush në UP, e kemi edhe asistentin i cili mban rekordin për numrin e publikimeve brenda vitit në cilësi të autorit të parë në revista me impakt faktor dhe i cili njëkohësisht është zgjedhur Shkencëtar i Vitit (yours truly). Këta asistentë nuk avancohen në profesorë me vite edhepse ka kohë që i plotësojnë kriteret e i tejkalojnë disa herë ato.


A e dini që një numër i madh i atyre që e kanë fituar çmimin Shkencëtar i Vitit nuk janë fare pjesë e UP-së? Sigurisht, sepse krahas këtyre plagjiaturistëve, e atyre të cilët botojnë në revista predatore, tashmë UP nuk ka vend për ata të cilët ofrojnë cilësi.
Plagjiaturisti, ata të cilët botojnë në revista predatore (dhe me këto vepra janë avancuar në profesorë) si dhe ata të cilët dyshohen që kanë blerë punimin e doktoratës janë kanceri i UP-së. Ata i zënë fillimisht vendet si staf akademik, pastaj përparojnë në pozitat vendimmarrëse përmes lobimeve të pandershme dhe kështu e kapin sistemin nga brenda.


Dhe e tillë është UP, institucion i kapur nga brenda nga stafi mediokër dhe me arritje të dyshimta. Situata nuk përmirësohet me ndryshime kozmetike për të cilat fatkeqësisht e bartin përgjegjësinë edhe OJQ-të e përfshira në këtë proces.
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco