Gomonet që vrasin fëmijë i drejton dora e burrështetasve që e vranë Shqipërinë!

Gomonet që vrasin fëmijë i drejton dora e burrështetasve që e vranë Shqipërinë!

Nga Kim Mehmeti - 02/08/2022

Duhet përsëritur atë që e kam shkruar dikur: ka raste kur fjalët nuk kanë asnjë kuptim, kur dhembja shkon përtej dhembjes dhe kur duhet t’i dorëzohemi asaj po aq sa edhe familjarët e vajzës që erdhën të pushonin e të çmalleshin me vendlindjen, e ku atdheu ua morri më të shtrenjtën që kishin.  

Dhe përderisa në heshtje e jetojmë dhembjen e atyre që e humbën më të dashurën e vet, do duhet vetvetes t’ia shtrojmë pyetjet që nuk ia kemi shtruar në kohën e duhur. Si për shembull atë se ç’njerëz janë ata që i drejtojnë gomonet vrastare dhe, si u bë Shqipëria vend ku çdokush mund të të vret e thuajse askush nuk të mbron.

Po pra, tragjedia rrëqethëse që ndodhi në Himarë, mund edhe të na ndihmojë t’i gjejmë përgjigjet e duhura, si për shembull atë se drejtuesit e gomoneve që i vrasin fëmijë tanë janë të njëjtë me shumë nga ata që i kemi votuar ne, janë të njëjtë si burrështetasit që e kriminalizuan vendin, të cilëve ua besuam jetën e na dhanë vdekjen, si ata që kërkojnë dënimin e vrasësve tanë, por pasi që vetë e vranë Shqipërinë. 

Dhe sot kur e jetojmë këtë dhembje rrëqethëse dhe të paimagjinueshme, tani kur përballemi me këtë tragjedi -  të ta vrasin fëmijën në plazh, aty ku ke shkuar të pushosh e ku ke besuar se je më i mbrojtur se kudo qoftë në tjetër vend -  duhet kërkuar përgjegjësi para së gjithash nga vetvetja. 

Sepse vetëm kështu do mund të shohim se përtej dhembjes që përjetojmë sot, qëndron mëkati ynë kolektiv i dekadave të fundit, i dekadave gjatë të cilave i përkrahëm ata që përfitojnë edhe nga vdekja edhe nga jeta jonë, ata që na vijnë për ngushëllime me buqete lulesh atëherë kur na i vrasin fëmijët.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco