Fotoja paralajmëruese e 'kreativitetit' të Albin Kurtit

Fotoja paralajmëruese e 'kreativitetit' të Albin Kurtit

Nga Syri.net Kosova - 27/07/2022

Më në fund, edhe Albin Kurti u prit në nivele të larta në Uashington. Fotoja bashkë me Vjosa Osmanin dhe sekretarin Blinken, me shpejtësi rekord bëri xhiron e internetit. Më entuziastët natyrisht, mbështetësit e kryeministrit. “A ju thoshim se i kemi punët mirë me Amerikën”. Pak a shumë, ky ishte refreni i përbashkët ku nuk fshiheshin tonet mburrëse në reagimet e shumta.

Një fotografi në Shtëpinë e Bardhë. Sa shumë e duan që të gjithë liderët. Të majtë e të djathtë, radikalë e të moderuar. Natyrisht, nuk është ndonjë meritë individuale e veçantë. Marrëdhëniet speciale mes SHBA-së dhe Kosovës, e dërgojnë drejt një fotoje të tillë këdo që mbërrin të ulet në karrigen e pushtetit.

Sa më konstruktivë, bashkëpunues e ndonjëherë edhe kokëulur, aq më shpejt mbërrin te fotoja e shumëpritur. Pak dihet për prapaskenat e organizimit të takimit, që i parapriu nënshkrimit të marrëveshjes për fondet e MCC-së, mbi 200 milionë euro, por me rëndësi është rikonfirmimi i raporteve serioze mes dy vendeve.

Nga ana tjetër, deklaratat e Osmanit e Kurtit, shfaqin sigurisht vetëm majën e ajsbergut politik mes Kosovës e Serbisë. Kryeministrit kosovar i “shpëtoi” një fjalë në qëndrimin e tij. Diku mes rreshtash përmendi edhe “kreativitetin” në dialogun që kuptohet synon njohje reciproke në qendër të marrëveshjes finale.

Albini pa dyshim është kreativ. Duke qenë thellësisht populist e karizmatik, orator e i pakorruptuar së paku deri tani në qeverisje, një dozë kreativiteti mund ta shfaqë edhe në finalen e panjohur me palën serbe.

E udhës është kur të kthehen nga SHBA, kryeministri Kurti e presidentja Osmani, t’i tregojnë popullit të Kosovës se cili është produkti apo propozimi kreativ i Kosovës në dialogun me Serbinë.

Mbetet në tavolinë ende Asociacioni? Rishikohet marrëveshja? Apo çfarë?

Ashtu siç ndodhi me marrëveshjen për energjinë, që pushteti i Vetëvendosjes u detyrua ta pranonte, edhe pse dikur i akuzonte nënshkruesit e saj për tradhti kombëtare, ngjashëm mund të rrjedhin gjërat javëve e muajve të ardhshëm.

Njohja nga Serbia mund të vijë pas një presioni rezultativ të SHBA-ve, por ende është e paqartë se deri ku do të shkojë “kreativiteti” kosovar për nënshkrimin e marrëveshjes finale?

Ndërkohë, pas fotos së suksesshme, Kurti i kthehet qeverisjes, në rrethana të vështira socio-ekonomike, ku pavarësisht përpjekjes për t’u thirrur suksesshëm në ca shifra, e vërteta është e hidhur edhe për këtë qeveri.

Nën pushtetin e Kurtit e Osmanit, kosovarët fatkeqësisht janë më të varfër. Asnjë statistikë qeveritare nuk e rrëzon dot këtë konstatim. Pandemia një herë, pastaj lufta në Ukrainë, inflacioni dramatik, e kanë goditur rëndë popullatën.

Edhe pse deputetët servilë të Kurtit, e shfrenojnë fantazinë duke shpikur të pavërteta për gjoja rritjen e pagave, rritjen e mirëqënies, etj, etj, realiteti ekonomik e social është i zymtë.

Dëshira për të emigruar, sidomos te të rinjtë, është tronditëse. Tregu i punës po rrezikohet nga largimi i fuqisë punëtore. Mënyra se si qeveris Kurti me ekipin e tij, po e zhëgnjen shpesh edhe vetë partinë e tij.

Në fund të ditës, secili në shtëpinë e tij bën një bilanc të thjeshtë. Jetoj më mirë në qeverisjen e Vetëvendosjes?

Kostoja e jetesës është shtrenjtuar së paku 30 për qind apo edhe më tepër në disa raste, të ardhurat mbesin të njëjtat ose edhe më të ulëta për shkak të krizës.

Me rëndësi, fotoja ishte e bukur nga Uashingtoni. Pas rrebeshit në rrjetet sociale, i kthehemi sërish diskutimeve “madhore” për vajin e ullirit, qebabat e pleskavicat, rrahjet mes reperëve dhe luksit të VIP-ave pa vlerë të estradës.

Me një opozitë pikë e pesë e të përgjumur, që brengën kryesore e ka rrezitjen, pushteti i Kurtit mbetet komod, edhe në zhgënjimin e madh që ka prodhuar me mënyrën se si po qeveris deri tani.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco