Ushqimi si kulturë

Ushqimi si kulturë

Nga Daut Dauti - 26/07/2022

Ka më shumë se tri dekada kur në Novi Sad, unë dhe një profesor britanik e takuam një profesor të universitetit të këtij qyteti. Pas një bisede jo të gjatë, profesori novisadas na ftoi në shtëpi të tij për darkë. Na tha se kishte lakra të ziera. Profesori britanik, pa ndonjë hamendje, tha:’Mua nuk më pëlqejnë lakrat’.

‘Nuk të pëlqejnë për shkak se me siguri ende nuk ke ngrënë lakra që përgatiten mirë’ – ia ktheu novisadasi me shpejtësi.
Vërtetë lakrat ishin përgatitur mirë dhe i pëlqyen britanikut. Unë nuk e kisha këtë problem se mua më pëlqejnë lakrat, sidomos nëse ato zihen me mish të terur. Nuk ka gjë më të mirë.

Lakrat, cfarqëdo forme që kanë, të freskëta turshi apo të ziera, janë edhe ushqim tejet i shëndetshëm. Por, lakra nuk është e popullarizuar gjithkund. Popullariteti i saj shtrihet nga Rusia në Ballan dhe në drejtim të Evropës Qendrore duke përfunduar në Holandë. Më tej, mos kërkoni lakra për ushqim.

Aktori amerikan, Jim Belushi, në një intervistë e kujton gjyshen e tij për dy gjëra. E para që fliste vetëm shqip dhe e dyta për shkak se ajo e përgatiste një ushqim me lakra të ziera, të cilat nuk i pëlqenin nipave të saj, Jimit dhe Johnit. E vërtetë, lakra nuk ka arritë të popullarizohet në Amerikë.

Në Luftën e Parë Botërore, anglezët i quanin ushtarët gjermanë me emrin ‘kraut’, për shkak se kështu gjermanët i thonë lakrës, të cilën e përdorin shumë për ushqim. Gjermanët janë të njohur edhe për lakra turshi që ata i quajnë ‘Sauerkraut’. Ky emërtim u përdor edhe në Luftën e Dytë Botërore. Kësaj radhe edhe nga amerikanët, për ushtarët gjermanë. Është term pezhorativ, natyrisht. Por, ky emërtim është përdorur vetëm gjatë luftës. Në kohë paqe nuk ka anglezë e as amerikanë që mund ta nëçmojnë gjermanin në aspektin kulturor, politik apo ekonomik. Të gjithë e dinë se kush janë gjermanët, pa marrë parasyshë lakrën që e hanë ata.

Deri në vitet 1960-ta, vaji i ullirit në Britani të Madhe është shitur në shishe të vogla në barnatore. Pra, si ilaç. Vetëm kah fundi i viteve 1970-ta, ka filluar të shitet në supermarkete për përdorim të përgjithshëm dhe as sot nuk është shumë i përdorur për shkak të çmimit të lartë. Njësoj ka qenë edhe në vendet skandinave.

Tashti, a mundet dikush nga Greqia apo Shqipëria, ku vaji i ullirit është përdorur më herët, t’iu thot gjermanëve, me qëllim nënçmimi kulturor, se ‘ju ende hani lakra’ kurse anglezëve ‘ju vonë keni filluar ta përdorni vajin e ullirit’?

Sado që ushqimi ka karakter ndërkombëtar, ai nuk arrin të shtrihet gjithkund njësoj edhepse shpërndahet si kultura. Kuzhinieri i njohur britanik, Rick Stein, në seritë e tija për BBC dhe në librin me titull ‘From Venice to Istanbul’, e paraqet ndikimin bizantin dhe otoman me anë të ushqimit në udhëtimin e tij duke u nisur nga Italia, pastaj për të vazhduar në Kroaci, Shqipëri, Greqi dhe për të përfunduar në Turqi. Ushqimi në Ballkan është pothuaj i njejtë. Në Greqi ekziston tendenca që gjithçka të paraqitet greke, por që në fakt është turke dhe përdoret edhe në vendet tjera ballkanike.

Në Turqi, Rick Stein, e sqaron këtë fenomen duke e pyetur në Stamboll një kuzhinier dhe ekspert turk të ushqimit. Ai thotë që në fakt ky ushqim nuk është as turk e lëre më grek. Është kombinim i ushqimeve të gjithë atyre popujve që kanë jetuar në Perandorinë Otomane dhe që është shpërndarë me ndikimin e sundimit ottoman.

Ushqimi më i preferuar sot në botë konsiderohet se është ai libanez. Kjo është për shkak se edhe ky është kombinim i atij arab, otoman dhe francez. Ushqimi, sikur asgjë tjetër në botë, nuk ka origjinë nga një vend i vetëm dhe popull i vetëm. Ushqimi është sikur idetë. Lind në një vend dhe transferohet duke u pasuruar nga tjerët.

Origjinën e kebapit (qoftet dhe pleskavicat), duhet kërkuar në Stamboll, por sot përgatiten më mirë në Greqi, Kosovë, Bosnjë e Serbi. Në një emision televiziv turk, disa turq që e vizitojnë Kosovën dhe Bosnjën, mahniten me shijen e burekut (pites) dhe pleskavicave. Pra, me lëvizje, ushqimi merr edhe karakeristika shtesë dhe i ndryshohet shija duke u bërë më të preferuara se që kanë qenë në fillim. Në këtë aspekt, ushqimi tajlandez, indian, pakistanez, kinez apo ndonjë tjetër, që servohet në restoranet e Londrës, ka tjetër shije me atë të origjinës. Kjo është për shkak se i është përshtatur shijes së vendasve.

Megjithatë, ne nuk mundemi ta nënçmojmë një popull në aspektin kulturor për shkak se e preferon apo nuk e preferon këtë apo atë lloj ushqimi.
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco