Çka i bën nxehtësia trupit tonë?

Çka i bën nxehtësia trupit tonë?

Nga Blerim Myftiu - 23/07/2022
Çfarëdot detyre, punë apo obiligim, madje edhe dalja e shkurtër deri në marketin e lagjes, që zhvillohet në temperatura të larta, kërkon sforcim shtesë. Temperaturat e larta ndikojnë në lëkurë, tru, mushkëri, zemër, djersitje dhe shkaktojnë lodhje e molisje. Problemet shëndetësore që shkaktohen nga nxehtësia ndryshojnë nga djegia e thjeshtë e lëkurës deri te gjendjet më serioze, siç janë molisja nga të nxehtët dhe goditja e nxehtësisë. Djegiet e lëkurës shkaktohen nga ekspozimi i tepruar i lëkurës rrezeve ultravjollcë të diellit. Sa më i gjatë të jetë ekspozimi, rritet probabiliteti i dëmtimit të ADN-së së qelizave të lëkurës duke e rritur kështu rrezikun e manifestimit të kancerit të lëkurës. Studimet kanë dëshmuar tashmë ndërlidhjen e rrezeve ultravjollcë të diellit me shfaqjen e melanomës.
Nxehtësia është e ndërlidhur me aftësinë e pakësuar kognitive, gabimet në vlerësim dhe rritjen e rrezikut për lëndim në punë. Studimet dëshmojnë se nxehtësia ekstreme ndikon në shëndetin mendor. Studimi i vitit 2006 ka treguar që rritje e temperaturës së brendshme mund të ndikojë në uljen e produktivitetit të punës në zyrë dhe se kjo rënie është konsistente kur temperatura rritet mbi 24 gradë Celsius. Kjo rënie e funksionit mendor nuk është e kufizuar vetëm në punëtorët e zyrës apo të rriturit, por është vërejtur edhe te nxënësit e shkollave të mesme. Një studim nga 2018-a ka treguar se nxehtësia prej 32 gradë Celsiusi mund të pakësojë rezultatin në teste dhe provime për 14% duke ndikuar që mundësia e dhënies së provimit të bie për 10.9%.
Kur truri heton që trupi po nxehet, hipotalamusi u dërgon porosi qelizave të enëve të gjakut të lëkurës që të zgjerohen. Kjo e rrit qarkullimin e gjakut në lëkurë duke mundësuar që përmes djersitjes të hidhet jashtë trupit nxehtësia e tepërt. Nëse ajri jashtë trupit është më i ngrohtë, rreth 5 milionë gjëndra të djersës fillojnë të punojnë. Por, djersitja nuk është një sistem i përkryer. Trupi i dehidruar nuk mund të ftohet me djersitje. Nëse trupi nxehet përtej masës, rrjedhja e gjakut në lëkurë dhe djersitja mund të ndërpriten. Në këtë rast, temperatura trupore rritet dhe qelizat nervore mund të pësojnë dëmtime të parikthyeshme.
Nxehtësia ndikon edhe në cilësinë e ajrit, gjë që e vështirëson frymëmarrjen. Një studim nga viti 2008 ka treguar se secila rritje për 1 gradë Celsius e temperaturës, ndotja me ozon që është pasojë do të shkaktojë vdekjen e 22 mijë njerëzve. Nëse temperatura trupore rritet në 38 gradë Celsius, truri u thotë muskujve që ta ngadalësojnë aktivitetin dhe kësisoj paraqitet lodhja.
Simptomat e molisjes nga nxehtësia përfshijnë marramendjen, pengesat në të pamur, etjen, mundimin dhe shtimin e të rrahurave të zemrës. Nëse temperatura e trupit nuk bie, molisja mund të progredojë në goditjen e nxehtësisë, për të cilën gjë duhet intervenimi urgjent mjekësor. Nëse nuk trajtohet, goditja e nxehtësisë mund të shkaktojë sulme, komë dhe vdekje. Me nxehjen e trupit, enët e gjakut zgjerohen, shtypja e gjakut bie, marramendja dhe mundimi paraqiten. Me rënien drastike të shtypjes së gjakut, rritet rreziku për sulmin në zemër. Me uljen e shtypjes së gjakut, zemra duhet të rrahë më shpejt, prandaj rritet numri i të rrahurave të zemrës. Zemra shkon duke u lodhur.
Të gjitha këto probleme dhe komplikime do të shtohen sepse ngrohja globale vazhdon të jetë realitet dhe temperaturat do të jenë gjithnjë e më të larta.
#heatwave #globalwarming #ngrohjaglobale #goditjanxehtesise #nxehtesia #Celsius #ozone
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco