Për kulturat e mjekëve që ikin nga Kosova

Për kulturat e mjekëve që ikin nga Kosova

Nga Durim Abdullahu - 13/07/2022

"Mjekët n'Kosovë janë yndyra e shoqërisë. Përderisa janë në gjendje 6 vjet me studiu edhe me mësu, me marrë gjithë atë përgjegjësi, ata janë pjesa ma e inteligjente. Dhe iu them mjekëve në Kosovë, kudo që shkoni jeni të aftë me arrit shumë ma shumë." - tha doktoresha në lidhje prej Gjermanisë. E tha me po kaq injorancë dhe paturpësi sa po tingëllon këtu.

Në një shoqëri që prej gjysmë shekulli vazhdon të kultivojë një subkulturë skololatrie (ku shkolla adhurohet, se mi grah shkolles është mas miri), prodhohen edhe komunitete profesionale sikur doktorët kosovarë, që mburren me vitet e kaluara në studime, si një argument i mjaftueshëm për t'ua dëgjuar fjalët. Por kjo 'yndyrë e shoqërisë ... që janë pjesa ma inteligjente", 22 vjet pas luftës, nuk prodhon dot një intelektual të mirëfillt, që intelektin mëton ta bëjë realitet, e që problemet dhe interesat e këtij komuniteti profesional, di t'i artikulojë dhe konceptojë drejt në publik.

Ne kemi super doktorë, që arrijnë të operojnë mrekullisht edhe kur kushtet elementare mund të mungojnë, por sapo nisin të flasin për shoqërinë ku kanë lindur, janë rritur e shkolluar, kupton që ke të bësh me disa monomanë pa asnjë formim kulturor kompakt. Paaftësia e shtetit të Kosovës për të ngritur një sistem shëndetësor modern funksional, është rezultat edhe i paaftësisë së këtyre mjekëve për t'iu imponuar publikes politike dhe për të zënë vend në këtë shoqëri. Kjo sepse prej vitesh, doktorët në Kosovë e kanë jetuar profesionin e tyre mes tre kulturash sociale të mbrapshta dhe të padinjitetshme: shkujdesit dhe plaçkitjes në sistemin shëndetësor publik, mashtrimeve dhe vjedhjeve të pacientëve në sektorin privat dhe ngarendjes për të ikur nga Kosova. Kjo e fundit është rezultat i bindjes që "ky vend është i vogël për gjeninë tonë". Aq e përhapur është kjo bindje për ata që i hyjnë rrugës për tu bërë mjek, sa që gjimnazistët e shkëlqyeshëm në Kosovë, të gjitha orinetimet i drejtojnë kah studimet në mjekësi, të paktën sa për ta provuar. Fushat dhe drejtimet e tjera ende shihen si jofort të denja për të merituar ndonjë nga 'yndyra dhe inteligjentja' e shoqërisë. Në Kosovë, shoqëria ende nuk e di se sa shumë herë më e vështirë është të formohet një doktor tjetër, jo i mjekësisë, një doktor prej së vërteti në dijet humane dhe shkencat shoqërore. Prandaj humanja dhe shoqërorja jonë, janë aq pa busull.

Ashtu siç ka mijëra të papunë profesionistësh fushash të ndryshme, në Kosovë ka edhe rreth 600 mjekë të papunë. Por ikja nuk është zgjidhje. Ikja e mjekëve nga Kosova, vërtetë është arratisje nga vendi i tyre që iu dha dijen dhe titullin mjek, por në një jetë jo shumë të jetueshme dhe cilësore. Megjithatë, kjo nuk i justifikon rrëfimet e tyre nga Gjermania prej të shpëtuarish të dalë në selamet, rrëfime me forma që i bën të duken sikur mezi kanë gjetur azil politik apo sikur janë puritanët e një feje që migruan për ta ruajtur besimin e tyre. Në këtë pikë, ata të nxisin irritim dhe shpesh ndjellin gjithë përçmimin e pacientëve të tyre, të shëruar a të mundshëm.

Kosova ka qenë krahina më sistematikisht e shtypur në Europë gjatë gjithë shekullit XX. Republika e Kosovës është një mrekulli e ëndërruar guximshëm, por edhe një zhgëndërr e realizuar suksesshëm. Nëse të gjithë do të vendosnin të iknin nga Kosova për mungesë kushtesh dhe për gjendje që nuk iu mundësojnë ta ushtroni profesionin, Kosova do të kthehej në një shkretëtirë demografike dhe në një shoqëri të paaftë për tu vetëfunksionalizuar dhe e destinuar për tu zhdukur nga historia. Ikja nga Kosova është arratisje prej vendlindjes dhe braktisje e përpjekjes së gjatë të shoqërisë së saj për tu zhvilluar natyrshëm në liri. Ikni, por mos e ktheni kokën pas për të na treguar sa keq na keni lënë, sepse ikja juaj është dorëqje nga projekti më madhor dhe historikisht më emancipues për një shoqëri: të jetë vetëfunksionale në liri!

Foto: Adrian Paci (2007)
P.S
E tepërt të thuhet që ky shkrim nuk i përgjithëson të gjithë mjekët, mes të cilëve mund të gjesh variantet më të virtytshme profesionale dhe njerëzore.
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco