Përkujtimi i gjenocidit serb në kohën kritike të dialogut Kosovë-Serbi

Përkujtimi i gjenocidit serb në kohën kritike të dialogut Kosovë-Serbi

Nga Syri.net Kosova - 11/07/2022

Përvjetori i 27-të i gjenocidit serb në Srebrenicë, na rikthen në të kaluarën kriminale, ende të pandëshkuar e që jo rrallë edhe amnistohet nga Evropa.

Masakra në Bosnjë, ku u vranë mbi 8 mijë burra e djem myslimanë, është ndër më të rëndat në kontinentin tonë, një vulë turpi e gjaku mbi ndërgjegjjen evropiane.

Sot e shënojmë këtë përvjetor, me peshën e madhe të historisë së përgjakshme të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, që shkaktoi plagë e dhimbje të thella edhe te shqiptarët.

Mijëra shqiptarë u vranë, masakruan, përdhunuan e mijëra të tjerë u zhdukën. Serbia ushtroi gjenocid në Kosovë, duke dëbuar popullatën nga shtëpitë e tyre.

Kriminelët sot enden të lirë në Serbi dhe drejtësia ka dështuar në adresimin e përgjegjësisë për masakrat, dhunimet, zhdukjet, dëmet miliardëshe.

Serbët bënë gjenocid në Bosnjë, bënë gjenocid edhe në Kosovë. Përmasat e gjenocidit në Bosnjë ishin më të tmerrshme, por krimi gjenocidial ishte tronditës edhe në vendin tonë.

Është me rëndësi të ritheksohet ky fakt, sot 27 vjet pas masakrës së Srebrenicës, sepse nganjëherë krijohet përshtypja se po harrohet e kaluara dhe po amnistohet Serbia që asnjëherë nuk ka reflektuar ndaj të shkuarë gjenocidiale.

Kosova sot negocion me Serbinë për një marrëveshje finale, ku kërkohet njohje reciproke, por as që ka shenja pranimi nga ana e Beogradit zyrtar.

Sa herë Serbia merr tolerim dhe lëshime nga pala kosovare, aq më jokonstruktive bëhet. Vendosmëria kosovare aktuale për të mos pranuar asgjë tjetër përveç marrëveshjes me njohje reciproke, është vendimi i duhur.

Ndërkohë, për fat të keq, në anën tjetër kemi një Shqipëri zyrtare që po i shkon për shtati politikës së Vuçiqit.

Kryeministri Edi Rama në vend që të këmbëngulë për Kosovën, për ndëshkimin e gjenocidit serb, bën thirrje të falet Serbia e të harrohet e kaluara, të mohohet gjenocidi e të shkohet deri në kompromise të rënda si ndarja territoriale.

Kjo është e pafalshme për një kryeministër shqiptar, që me veprimet e tij të papërgjegjshme, trimëron Serbinë e dëmton Kosovën.

Në çdo negociatë, takim ndërkombëtar, paraqitje publike, Kosova duhet ta përsërisë më forcë se Serbia bëri gjenocid në vendin tonë e nuk është ballafaquar me drejtësinë për këto krime monstruoze.

Dhjetëra mijëra familje duan përgjigje për më të dashurit e tyre, duan drejtësinë e mohuar për më shumë se dy dekada.

Evropianët vazhdojnë ta përkëdhelin Serbinë, ndërsa i bëjnë presion Kosovës të hyjë në kompromise të reja. Kosova nuk ka çfarë të japë më, por duhet të kërkojë shpagim dhe drejtësi, për jetët e humbura, për gjenocidin e pandëshkuar të regjimit serb, pasardhësit e të cilit, janë sot në pushtet në shtetin fqinjë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco