Veteranët në protestë, një histori lufte, lavdie dhe abuzimi

Veteranët në protestë, një histori lufte, lavdie dhe abuzimi

Nga Syri.net Kosova - 06/06/2022

Ka plot arsye që të protestohet edhe kundër kësaj qeverie, por kjo e veteranëve, është një protestë e panevojshme.

Nëse me ngritjen e pagës minimale përfitojnë dhjetëra mijëra kosovarë e familje të tyre, mijëra “veteranë” po përfitojnë mbi kurrizin e taksapaguesve kosovarë padrejtësisht dhe paligjshëm.

Asnjëra qeveri, nuk arriti t’i pastrojë listat e falsifikuara të veteranëve të luftës në Kosovë, ku edhe fëmijës në djep, i ra që e ka pasë kapë pushkën që të luftojë Serbinë!

Për kontribuuesit e luftës për liri, duhet trajtimi më meritor i mundshëm, në përputhje me kushtet e shtetit tonë, por për mashtruesit që bëjnë sikur protestojnë, duhet të flasë drejtësia, që nuk e ka kryer punën e saj.

Mijëra “veteranë” kompensohen nga shteti njësoj si dhjerëra mijëra të tjerë, që punojnë sot në kushte nga më të rëndat. Atë që nuk e bënë pushtetet e kaluara, mirë që e ka nisur për ta kryer qeveria e Albin Kurtit.

Rritja e rrogës minimale është shumë e vonuar dhe duhet të mos shtyhet më. Ndërkohë, me abuzimin që është bërë me listat e veteranëve, nëse kjo rritje reflektohet edhe te pagesat e pensioneve të luftës, atëherë Republika shkon drejt kolapsit financiar.

Pra, protesta e sotme, që kuptohet se është politizuar nga opozita e cila thirret ende në vlerat e UÇK-së, efektin e saj final nëse ec presioni, e ka destabilizimin financiar të shtetit.

Kërkesat për mbështetje shtetërore të formave të ndryshme duhet të mbështeten, për aq sa është e mundshme të realizohen. Por, para se të ketë ndryshime në këtë mbështetje financiare, duhet të pastrohen një herë e mirë listat abuzive të veteranëve të luftës.

Protesta e ndershme, do të duhej ta adresonte së pari pikërisht këtë çështje. Ata që dolën për të dhënë jetën në fushën e betejës, nuk e bënë këtë për një pension veterani.

Është e qartë se keqpërdoruesit e vlerave të luftës, për fat të keq, po imponojnë axhendën e tyre destruktive edhe në shoqatat që mbrojnë interesat e veteranëve.

Nën petkun e veteranit, është abuzuar shumë në Kosovë. Paga minimale duhet të rritet, ndërsa pensioni i veteranit të shtohet për aq sa ka mundësi, pasi të pastrohen listat.

Pushteti i Albin Kurtit ka disa mëkate, por për listat nuk është përgjegjës. Megjithatë, përgjegjësia mbi qeverinë aktuale është e plotë për të bërë pastrimin e këtyre listave.

Nëse nuk e bëjnë, atëherë edhe këta do t’u bashkohen qeverive të kaluara, që për interesa të ndryshe, nuk kanë arritur ta mbyllin një herë e mirë, këtë histori lufte, lavdie dhe abuzimi njëkohësisht,

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco