Zgjidhni! Ose me Martinin e Serbinë ose me Kosovën pa mafien politike e ekonomike

Zgjidhni! Ose me Martinin e Serbinë ose me Kosovën pa mafien politike e ekonomike

Nga Salih Kabashi - 22/04/2022

Pasi e vërteta për ambasadorin e Kosovës në Kroaci para opinionit publik doli, e nga çasti në çast po del krejt cipërcullak, është e çuditshme dhe njëherit për keqardhje pse kosovarët do t’i harrojnë (!) si jo fort skandaloze edhe skandalet e deritashme jo të pakta e jo të vogla të diplomacisë e të diplomatëve të Republikës së tyre.

Do të harrojnë skandalet e heshtura të Anton Berishës, ish-ambasador i RK në Slloveni që, pa e bërë tepër të bujshme, për të mos e dëmtuar diplomacinë e re kosovare, shteti slloven e pat shpallë të padëshirueshëm.

Do ta harrojnë edhe të famshmin Gjergj Dedajn, tashmë ish-ambasador në Maqedoni, i cili ngulte këmbë si thiu në akull të mbetej përgjithmonë në funksion diplomatik, edhe pas dekretit për shkarkim…

Ambasadorit të Kosovës në Kroaci, famëkeqit e spekulantit me stazh të gjatë, Martin Berishajt, tash, po i jipet rasti që ta shohë në pasqyrë të vërtetë mjerimin, shëmtinë e historisë e të bëmave të tij të poshtra nacionale e morale.

Ky tip i kulluar serbo-jugosllav, i ka kaluar gati katër dekada në thurje intrigash nga më të ndryshmet. Ky farë Martini nuk e ka dashur Kosovën kurrë. Kurrë. E ka urrejtë. Ama fort ia ka pasë anda paret e popullit të saj.

Ky ka futë në xhep të vetin pare nga Fondi i LDK-së, ka vjedhë ndihmat për UÇK-në, ka përvetësuar kontributet e shumta për Kosovën.

E njoh këtë tip, janë bërë tridhjetë e kusur vjet tashmë, qyshse e pata dalluar, ashtu të çalë, topall, herë me mjekërr, herë pa mjekërr. Që fliste një gjuhë tepër të varfër shqipe. Që iu ulej pa leje njerëzve në tavolinë dhe që hante e pinte dhe që gjithmonë dilte pa paguar.

Tipi ishte jugosllav me bindje zagari.

Dua të ju tregoj kur ia pata pa surratin për herë të parë. Dhe kur, i trishtuar, ia dëgjova shprehjen e dashurisë së tij për ato që unë i urreja - Jugosllavinë e jugosllavizmin.

Branko Horvat në librin e tij të famshëm « Çështja e Kosovës », kishte shprehur nevojën që për Kosovën të flasin edhe shqiptarët. Ishte i mendimit se intelektualët shqiptarë duhet të mos heshtin, por të vihen përballë të tjerëve në Serbi e Jugosllavi dhe që, në ballafaqim intelektual e demokratik, të thonë të vërtetën e problemeve të tyre me Serbinë e Jugosllavinë.

Qenë sllovenët ata që një ide të tillë për herë të parë e provuan me një tryezë të rrumbullakët në Lubjanë nga data 12-13 janar 1989. Nga Kosova në Cankarjev Dom kishin ardhë Fehmi Agani, Gani Bobi, Muhamedin Kullashi, Hivzi Islami, Rexhep Ismaili, Shkëlzen Maliqi, Isuf Berisha. Aty ishte edhe Branko Horvat, nga Lubjana Rudi Rizman, Lef Kreft, Lino Veljak, nga Serbia Nebojsha Popov, Sllobodan Samarxhiq.

Asokohe e kisha të njohur e mik Jasha Zllobecin. Unë ende, pas daljes nga burgu, vazhdoja të kalitesha në gjirin e klasës punëtore… Por edhe shkruaja ndonjëherë për gazeta sllovene, serbe e kroate për problemet shqiptare me Serbinë e Jugosllavinë. Nganjëherë, jo gjithëherë, edhe mi botonin.

U gjenda përbrenda një kualiteti të lartë intelektual atë ditë janari. Kah mesi i diskutimeve thanë se mund të flisnin edhe ata që nuk ishin të ftuar zyrtarisht.

Dhe unë nuk mund të përmbahesha pa folë.

Thashë se Serbia e Jugosllavia ua ka mbyllur gojën shqiptarëve. Ata më s’kanë kujt t’i flasin, as s’kanë me kend të debatojnë, të cilat çdo ditë po bëhën të rënda e më të rënda. Citova profesor Horvatin që e shihte krej normale ngritjen e Kosovës në rang Republike në kuadër të RSFJ-së. Mandej thashë diçka që nuk iu pëlqeu aspak dy vëllezërve deri atëherë të panjohur për mua. Kishin qenë nga Tuzi i Malit të Zi. Pa e ditë se ajo do t’iu digjte aq shumë, unë para auditorit të shquar pata thënë:

« Veprimet e eksperimentet e para antishqiptare në Jugosllavi, Serbia i ka nisë përmes Maqedonisë e Malit të Zi. Atje ideologjia serbomadhe ka arritë që të shkurtojë pothuajse plotësisht të drejtat e shqiptarëve të garantuara me ligjet e me kushtetutat republikane e federative… Në ato dy republika po ndodh sulm i gjerë e me përmasa të rrezikshme mbi shqiptarë…»

Kjo nxiti reagimin e menjëhershëm të Nikollë Berishajt, i cili tha se pa të drejtë po e akuzoja Malin e Zi e politikën e tij ndaj shqiptarëve, të cilët, thoshte ai, jetojnë pa probleme, në harmoni të plotë e me të drejta të njëjta e me malazezët shumicë. Ai solli argument ekzistencën e revistës Koha.

I replikova duke i thënë se në kohën e fashizmit në Tiranë pokështu dilte gazeta Koha, por ajo ishte vetëm përkthim i gazetës së fashizmit Il tempo…

Menjëherë, pas të vëllait, e mori fjalën ky që sot ende është por që normalisht do të duhej të numëronte orët e të qenmit e të qëndrimit të tij edhe më tutje ambasador, duke e sjellë idenë e shpëtimit jo sall të Jugosllavisë, por edhe të shqiptarëve, të cilëve s’iu duhet gjë tjetër pos të bëhën jugosllavistë…

Shihni origjinalin, lexojeni edhe përkthimin nga libri që doli me kumtesat e debatet nga ai tubim, ku i vetmi i censuruar, i papërfshirë isha unë me fjalën time…

Jasha, i kënaqur me paraqitjen e replikat e mia, erdhi e ma shtriu dorën, ndërsa Hivzi Islami, i cili asokohe ka pasë paraqitje të forta lidhur me natalitetin e shqiptarëve edhe në shtypin slloven, më tha se isha si Azem Galica… Më lavdoi por nuk e teproi si Hivziu, edhe profesori im Fehmi Agani. Më tha se disa gjëra ju mund t’i thoni më guximshëm se sa ne në Prishtinë. Nuk besoj se as Sllobodan Samarxhiqit, jo Nebojsha Popovit, t’iu kishin pëlqyer paraqitjet e dy vëllazërve nga Tuzi, si të kishin qenë mitingashë nga Kosovo Polja…

Vëllezër në shërbim të dreqit!

Ambasadorin e tashëm, për tri dekada më së shumti ke mund me e pa me trafikantë e hajna shqiptarë e serbë në Lubjanë e në Slloveni…

Nuk është çudi se si ky karrierën e tij po e mbyll si një mashtrues e mafioz përmasash mbirajonale.

Ndërsa është e dhimbshme që brenda LVV të jetë infiltruar një antishqiptar si Martin Berishaj.

Sidomos është për keqardhje nëse Albin Kurti e Vjosa Osmani do të vazhdojnë edhe më tutje të fusin veshtë në lesh…

Zgjidhni! Ose me Martinin e Serbinë ose me Kosovën pa mafien politike e ekonomike.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco